Samiti i Klimës në Poloni, përpjekjet për shpëtimin e Marrëveshjes së Parisit

Raundi më i fundit i bisedimeve të Kombeve të Bashkuara mbi ndryshimet klimatike filloi të dielën në qytetin polak të Katovicës – një nga vendet më të ndotura në Evropë. Bisedimet e këtij viti do të fokusohen mbi Marrëveshjen e Klimës së Parisit, për të cilën në vitin 2015 udhëheqësit e botës ranë dakord dhe vendosën qëllimin për uljen e ndotjes nga lëndët djegëse fosile.
Konferenca dy javore filloi në një situatë paqartësish të mëdha dhe ndarjesh të thella politike. Pas tërheqjes së SHBA-ve nga Marrëveshja e Parisit, një nga ndotëset më të mëdha në botë , duket se dhe Brazili ka dhënë shenja për tërheqje, pas zgjedhjeve që sollën në krye të presidences barziliane kandidatin konservator Jair Bolsonaron.
Udhëheqësit e bisedimeve të sponsorizuara nga Kombet e Bashkuara, paralajmëruan se planeti “është në udhëkryq”.
Negociatorët nga 200 vende të botës u caktuan të marrin pjesë në Samitin e Kombeve të Bashkuara.
Secili shtet do të vendosë vetë se si planifikon të ulë emetimet e gazit karbonik. Marrëveshja e Parisit nuk do të jetë funksionale deri në vitin 2020, por përpara hyrjes në fuqi të Marrëveshjes, zyrtarët do të duhet të vendosin se si të matin, raportojnë dhe verifikojnë emetimet e gazrave serë dhe se si ‘financimi i klimës’ do t’u ofrohet vendeve të varfëra.
Sipas Financial Times, fondi botëror i klimës është shumë më i pakët sesa e parashikon marrëveshja e Parisit. Vendet e pasura kanë siguruar vetëm 48 miliardë dollarë për vendet e varfëra, që është gjysma e 100 miliardë dollarëve (88 miliardë euro) që vendet duhet të dorëzojnë çdo vit deri në vitin 2020.
Rreth 29 krerë shtetesh dhe zyrtarë do të japin deklarata, duke përfshirë presidentin francez Emmanuel Macron. Megjithatë, të gjithë vëmendjen do ta ketë Kina – ndotësi më i madh në botë. Shteti kinez ka riafirmuar angazhimin ndaj marrëveshjes së Parisit, por varësia e tyre mbi qymyrin dhe se si do të bashkëpunojë me BE-në mbetet për t’u parë.
Polonia, shteti pritës i samitit është gjithashtu ndotësja më e madhe e BE-së dhe ende shumë e varur nga qymyri dhe karburantet fosile, që sigurojnë rreth 80% të energjisë në vend dhe janë një burim primar i punësimit.
Emetimi i gazrave të dëmshme po rritet në mbarë botën, ndërsa qëllimi për kufizimin e rritjes së temperaturës në dy gradë është cenuar si kurrë më parë. Marrëveshjet e bazuara në vullnetin e mirë nuk janë në modë jo vetëm SHBA dhe Brazil, por as në Australi dhe shumë vende evropianolindore.
Në Gjermani ekologjistët kanë shënuar një rritje të madhe të imazhit tek votuesit, që kanë dëshmuar zgjedhjet e fundit në lande, ku Partia e Gjelbër doli e dyta në rang kombëtar. Kjo ka lidhje edhe me ndryshimin e klimës, që po shqetëson shumë njerëz. Përballë ekologjistëve janë populistët në Gjermani por edhe në vendet tjera të botës, të cilët me teoritë e konspiracionit po përpiqen të influencojnë edhe zhvillimet shkencore dhe të ndrshojnë bindjen se klima po ndryshon për shkak të njeriut./ k.j