Studentët e qytetit të Tiranës, marshuan sot nga korpusi universitar në sheshin “Nënë Tereza” drejt Kryeministrisë, në shenjë proteste për gjendjen ku ndodhet aktualisht universiteti publik.
Gjatë protestës së lajmëruar prej disa ditësh nga “Lëvizja për Universitetin”, studentë të ndryshëm parashtruan disa nga kërkesat e tyre, që kishin të bënin kryesisht me uljen e tarifave të studimit, rritjen e buxhetit për arsimin e lartë si dhe krijimin e një shtëpie botuese për botimin e librave universitarë apo subvencionimin e tyre nga ana e shtetit.
Gjatë ditëve të shkuara, përkrahës dhe përfaqësues së “Lëvizjes për Universitetin” kanë kryer aksione simbolike për të ftuar studentët në protestë. Përkrahës ka pasur dhe nga shtete të tjera të botës, kryesisht studentë, por edhe profesorë të cilët bashkohen me kauzën e studentëve shqiptarë.
“Buxheti për arsimin në tërësi, dhe atë lartë në veçanti, është më i ulëti në rajon. Ne kërkojmë rritje të buxhetit për arsimin. Tarifat dhe kostot e librave, që mesatarisht për 5 vite shkollë shkojnë mbi 4 milionë lekë të vjetra, janë shumë të larta, të papërballueshmë për nivelin e pagave të pjesës dërrmuese të shoqërisë shqiptare. Kjo nuk është e drejtë! Studentët, gjithnjë e më shumë, punojnë gjatë kohës së studimeve, duke ulur ndjeshëm cilësinë e marrjes së dijeve. Kjo nuk është e drejtë!”, deklarohet në një nga postimet e Lëvizjes së Universitetit në Facebook.
E themeluar në vitin 2014, Lëvizja për Universitetin është një organizim studentësh të universiteteve publike, të cilët fillimisht kundërshtuan reformën në arsimin e lartë dhe ligjin e dalë prej saj, e në vazhdimësi kanë organizuar protesta të shumta për përmirësimin e kushteve në universitetet publike dhe uljen e tarifave të studimit./ k.j