Barazia gjinore në Britaninë e Madhe: situata e njëjtë si 10 vite më parë
Britania renditet përkrah Sllovakisë dhe Republikës Çeke në indeksin e barazisë gjinore, ku shihet se ky vend ka bërë shumë pak progres në këtë aspekt.
Britania del të ketë bërë zero progres në trajtimin e barazisë gjinore midis sekseve për sa i përket dekadës së shkuar dhe mbetet mbrapa Suedisë, Danimarkës, Finlandës, Holandës dhe Francës në listën e shteteve anëtare të BE sa i përket emancipimit gjinor.
Britania e Madhe kategorizohet së bashku me Sllovakinë dhe Republikën Çeke midis 28 shteteve anëtare të BE. Ky grup shtetesh nuk ka shfaqur progres në reduktimin e niveleve te pabarazisë, duke marrë këtu parasysh një gamë të gjerë fushash si: vendi i punës, të ardhurat, edukimi, shëndetësia ose pjesëmarrja politike.
Britania e Madhe i bashkangjitet një panorame të përgjithshme që flet për një progres të avashtë në Europë midis viteve 2005 dhe 2015.
Hendeku në punësim midis sekseve është i përhapur dhe i vazhdueshëm në BE, shfaqin të dhënat e indeksit që konkludojnë se niveli i punësimit mbetet 40% për gratë dhe 56% për burrat. Hendeku i pagave midis sekseve është ngushtuar, por mesatarisht gratë fitojnë 20% më pak se burrat.
Vetëm një në tre burra në BE kujdeset për gatimin dhe punët e shtëpisë, krahasimisht me gratë ku një në tetë gra përkujdeset për këtë pjesë.
Në edukim burrat ende dominojnë fushën e shkencës dhe teknologjisë (66%). Gratë përfaqësojnë tre të katërtën të studentëve në fushën e mësimdhënies (78%), shëndetësi dhe mirëqenie (71%) dhe shkenca sociale dhe artet e bukura (65%).
Raporti dëfton: ‘’Ndarja e zgjedhjeve universitare shkakton dhe ndarjen e mëtejshme të tregut të punës dhe ripërforcon mosvlerësimin e punës, aftësive dhe kapaciteteve që nuk i atribuohen tradicionalisht grave”.
Raporti thekson se barazia gjinore në vendim-marrjen politike, ekonomike dhe sociale po progreson me hapa të shpejtë, por vazhdon të mbetet sektori me përformancën më të ulët.
Vĕra Jourová, komisionerja e Brukselit përgjegjëse për barazinë gjinore, e përshkruan rezultatin si ”të turpshëm” dhe bëri thirrje për një plan aksioni që shtrihet në të gjithë BE.
Burimi: The Independent