Vitet e fundit është parë një rritje e madhe e numrit të grave udhëheqëse, jo vetëm brenda Europës, por edhe jashtë saj. Ndërkohë që në Shtetet e Bashkuara po diskutohet në fushatën aktuale zgjedhore për një rritje të përfaqësimit të grave në politikë, duket se ndryshimi në Europë është shumë më i madh.
Lajmi se Merkel do të tërhiqet nga kreu i partisë dhe se nuk do të kandidojë më për Kancelare të Gjermanisë, mund të duket si një kthim prapa përsa i përket grave në politikë, por aktualisht Gjermania nuk është i vetmi shtet me një udhëheqëse grua.
Një grafikë e Radios Europa e Lirë tregon mbi numrin grave udhëheqëse dhe se aktualisht 10 shtete europiane drejtohen nga gra. Në po këto shtete kemi dhe nje numër të konsiderueshëm të kabinetit qeveritar të përbërë nga ministre gra dhe një numër të madh të grave deputete në parlament.
Estonia, Lituania, Malta dhe Kroacia kanë një grua për Presidente, ndërsa Islanda, Norvegjia, Britania e Madhe, Serbia, Rumania dhe Gjermania kanë një grua në krye të qeverisë. Raporti i grave në kabinetin qeveritar është më i madh se i burrave në Spanjë me 61%, në Suedi me 54% dhe Francë me 53%. Në një situatë të ngjashme është dhe Shqipëria me gjysmën e kabinetit qeveritar të përbërë nga ministre gra, dhe pavarësisht debatit të kuotave apo nëse këto qeveri janë vërtet efikase apo jo, shifrat tregojnë se në disa nga ekonomitë udhëheqëse të Europës apo dhe shtete me ndikim të madh rajonal, udhëheqja ka rezultuar e suksesshme./ k.j