Protestat studentore/ Simbolika e fundeve të aktivisteve vajza një shuplakë ndaj seksizmit

Protestat masive të studentëve të zhvilluara gjatë dhjetorit tërhoqën vëmendjen jo vetëm të të gjithë opinionit publik shqiptar por edhe atij ndërkombëtar. Këto protesta bënë së bashku mijëra studentë të revoltuar nga një sistem arsimor klientelist dhe një jetë studentore e kthyer në një mankth e luftë për mbijetese. Analistë, aktivistë dhe qeveritarë i panë nga këndvështrime të ndryshme revoltat studentore.
Pas pushimeve dimërore, protestat rinisën në 7 janar duke riartikuluar me vendosmëri kërkesat e mëposhtme si dhe shfuqizimin e Ligjit të Arsimit të Lartë:
1. Përgjysmimin e tarifave në të gjitha nivelet e studimit (sidomos në master).
2. Rritjen në 50% të peshës së votës studentore.
3. Dyfishimin e buxhetit shtetëror për universitetet publike.
4. Ndalimin e financimit publik të universiteteve private.
Në protestën e zhvilluar ditën e djeshme çfarë spikati ishte një kod veshjeje i përbashkët midis aktivisteve vajza të lëvizjes “Për Universitetin” (LPU). Edhe pse temperaturat e ulëta, vajzat kishin zgjedhur të vishnin funde për të drejtuar një mesazh tjetër të rëndësishëm. Të qenurit studentë sot sjell një mori sfidash, por për studentet vajza sfidat shtohen për shkak të statusit social të tyre.
Favoret seksual, objektifikimi i studenteve për shkak të gjinisë si dhe mentaliteti patriarkal që shpeshherë iu mohon vajzave të drejtën e arsimit, e përforcon nënshtrimin e tyre në shoqëri. Ndaj aktivistet vajza sollën në vëmendje këtë gjë duke ndërmarrë një aksion simbolik: një shuplakë ndaj të gjithë personave seksist që diktojnë se si duhen të vishen vajzat që të merren seriozisht.
Më poshtë gjendet deklarata e plotë nga vajzat e LPU:
Në historikun e protestave për Arsimin e Lartë në Shqipëri prej vitit 2014, prania e vajzave ka qenë frymëzim më vete. Të vendosura, të forta, të mençura, ato i kanë ndihmuar protestës jo vetëm pse kanë qenë të shumta në numër, por edhe të mirëartikuluara, duke u bërë zëri i saj. Sot, gruaja endet e nëpërkëmbur në shoqëri, kësisoj arsimimi veçanërisht është i rëndësishëm për vajzat, për të shpëtuar prej rolit “biologjik” apo edhe tradicional që i mvishet.
Në ditë të tilla kur modelet që i serviren për zhvillim janë tejet të cungëta; më i përhapuri ngelet roli i nënës së devotshme, një gruaje zëmbytur për hir të një “familjeje të shëndoshë” – së cilës i duhet të heqë dorë nga vazhdimi i studimeve fill pas gjimnazit.
Sakaq, ende imponohen mënyrat për të qenë të sa më e moralshme; të folurit, të sjellurit, të veshurit. E nëse një vajzë vesh minifund, fustan apo dekolte, atëherë medoemos ajo po e bën enkas për të provokuar apo ndjellë burrin. Zakonshëm kështu justifikohen paragjykimet, kanosjet apo përdhunimet; Ajo provokoi. (Në këtë rast NE!)
Historinë deri më tash e kanë shkruar të tjerët për ne, nga sot do të jemi ne ATO që do të shkruajmë e flasim për veten. Në protestat për arsim e shoqëri më të mirë, vajzat kanë bërë kritikën e kanë thënë fjalën e tyre pa drojë dhe me grintën që buron prej thellësive të historisë së secilës. Jemi dëgjuar me pantallona, tani po e bëjmë me fustane e minifunde. Nuk ka vend për paragjykim a nënçmim, veç FRYMËZIM! Për njëra-tjetrën, brezat që vijnë, e një shoqëri të mirëarsimuar!
/k.m/
Burimi: Foto të marra nga llogaria personale e Albina Ruko