Sllovakia zgjedh një grua për Presidente

Zuzana Čaputová arriti të fitojë zgjedhjet presidenciale në Sllovaki me platformën e saj progresiste dhe pro-europiane. Pa eksperiencë politike dhe avokate në profesion, ajo ka arritur të fitojë në raundin e dytë me 58% të votave duke fituar besimin e qytetarëve mbi premtimet e saj për luftën kundër korrupsionit dhe vlerave pro-europiane.
Čaputová është 45 vjeç, e divorcuar dhe nënë e dy fëmijëve. Kandidate për partinë e vogël Sllovakia Progresiste, e krijuar në vitin 2017 dhe deri më tani e papërfaqësuar në Parlament, Čaputová është pro martesave brenda gjinisë si edhe adoptimit të fëmijëve nga familjet e së njëjtës gjini.
Ajo ka dalë hapur pro projektit të përbashkët evropian duke kritikuar shtetet e lindjes për frymën e tyre autoritarise dhe jo-liberale të udhëheqjes. Zgjedhja e saj në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të Bashkimit Evropian ka motivuar më tej partitë dhe koalicionet progresive dhe liberale për të kundërshtuar platformat elektorale populiste, të cilat duket të jenë shtuar në të githë vendet anëtare.
Edhe pse Presidenti në Sllovaki ka një rol kryesisht ceremonial, sërish falë detyrës së saj presidentja e re do të ketë në dorë emërimet e gjyqtarëve në vazhdimësi dhe figurave të rëndësishme për institucionet e vendit.
Zgjedhje dhe në Ukrainë dhe Turqi
Zgjedhje janë zhvilluar dhe në Ukrainë dhe në Turqi.
Në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Ukrainë, një komedian shumë popullor për publikun arriti të marrë shumicën e votave duke mundur presidentin Poroshenko, me të cilin do të përballet në një raund të dytë, dhe një numër të madh politikanësh me eksperiencë në vend.
Zgjedhjet lokale janë zhvilluar dhe në Turqi, ku partia e Presidentit Erdogan ka fituar shumicën e qyteteve, por jo në numër aq të madh sa pritej. AKP ka fituar në lokalitete të shumta duke dominuar jetën politike në zonat rurale të Turqisë, por e pati të vështirë garën në Stamboll dhe Ankara. Me rezultatet paraprake që tregojnë një fitore të partisë kryesore opozitare në Ankara, një bastion i Erdogan prej 25 vitesh, gara dhe në Stamboll është ngushtuar duke përkeqësuar pozitat e AKP në dy qytetet kryesore të vendit./k.j