Mbahet Tirana Pride 2023

Është mbajtur sot “Tirana Pride 2023”.
Qindra anëtarë të komunitetit LGBTQ+ dhe mbështetës të tyre, marshuan rrugëve dhe shesheve kryesore të Tiranës nën moton “Hape Zemrën”.
Një ndër banerat kryesor të marshimit ishte kërkesa për akses në shëndetësi për personat transgjinorë.

“Sot, mes shumë zemrash të hapura dhe të guximshme, në fillim të një dekade të dytë të betejës tonë për ekzistencë dinjitoze, njohje ligjore dhe trajtim të barabartë, ndiejmë peshën e artikulimit të betejave të secilit prej nesh, mbi të gjitha në emër të gjithë personave gej, lesbike, biseksualë, transgjinorë dhe interseks, të cilëve guximin e shpresen ua mbysin sfidat që duhet të përballin çdo ditë.”-tha Xheni Karaj përpara zyrës së kryeministrit.

“Sot, pavarësisht ekzistencës së një ligji për mbrojtjen nga diskriminimi dhe një Plani kombetar veprimi për personat LGBTI+, 75% e personave LGBTI+ raportojnë se personalisht janë përballur apo kanë dëshmuar dhunën dhe diskriminimin për shkak të orientimit seksual, identitetit gjinor apo karakteristikave të seksit. Për shkak të mungesës së besimit në institucionet e rendit dhe drejtësisë, 89% e tyre zgjedhin të mos e raportojnë dhunën dhe diskriminimin.”-shtoi ajo.
Edlira Mara e cila është nëna e dy vajzave të vogla që së bashku me partneren e saj kërkojnë prej 2 vitesh që të regjistrojnë bebet e tyre kërkoj që çështja të marrë zgjidhje sa më shpejt.

“Unë dhe partnerja ime jemi nëna të dy vogëlusheve që nuk njihen nga shteti.
Kur lindën vajzat tona, deri në momentin që dolëm nga spitali, u futëm në makinë dhe mbyllëm dyert edhe me siguresa, kishim një frikë të pa shpjegueshme që do të na i merrnin. Kjo frikë vazhdoi edhe për ca kohë kur dilnim me vajzat për shëtitje. Por sot nuk kemi më frikë nga këto vogëlsira, por kemi frikë për të ardhmen e tyre. Kemi frikë nga indiferenca e ligjvënësve tanë, kemi frikë se ata do dështojnë në misionin e tyre për të cilin kanë marrë edhe votat tona, që ti japin një jetë dinjitoze dhe të barabartë të gjithë qytetarëve të këtij vendi.

Ndërsa qëndrojmë këtu sot, na kujtohen betejat me të cilat është përballur dhe vazhdon të përballet komuniteti ynë. Ne e dimë se ka shumë të tjerë si ne, që nuk njihen nga shteti, që nuk kanë të njëjtat mbrojtje ligjore si të tjerët dhe që përballen me diskriminim dhe dhunë thjesht për shkak të asaj që janë.”-tha Edlira Mara.

Në fund të marshimit aktivistët i lanë kryeministrit tek dera e tij një dajre ndërsa thanë se: Ti, Z. Kryeministër dhe e e gjithë kasta politike e 30 viteve të fundit mund të fitoni zgjedhje por keni humbur besimin e qytetarëve. Meqe e keni kthyer politikën në rënie dajresh, po jua lëmë dhe ne një dajre nga komuniteti me shpresën që të gjeni një fije guxim për të ndihmuar personat LGBTI+ në kauzën tonë për drejtësi./ Historiaime.al









































