Një gjykatë në Bjellorusi dënoi të enjten dy gazetare me dy vjet burg nën akuzat e shkeljes së rendit publik pasi mbuluan një protestë kundër presidentit Lukashenko, raporton Euronews.
Gjykata në kryeqytetin Bjellorus të Minsk i dha dy vjet burg Katsiaryna Andreyeva dhe Daria Chultsova, gazetare nga media e pavarur Belsat TV.
Prej muajsh, Bjellorusia është e përfshirë nga protesta që kundërshtojnë rezultatet e kontestuara të zgjedhjeve të shkuara Presidenciale, ku Presidenti Lukashenko u rizgjodh, pavarësisht dyshimeve për mos-numërim të votave të opozitës.
Gazetaret dhe arrestimi i tyre janë një vazhdim i shtypjes së zërave ndryshe dhe protestave nga ana e autoriteteve bjelloruse dhe u arrestuan më 15 nëntor në një banesë në Minsk, nga e cila kishin filmuar pasqyrimin e drejtpërdrejtë të shpërndarjes së dhunshme të një demonstrate.
Demonstratat u përshkallëzuan javën e shkuar, pasi mijëra qytetarë mbushën rrugët e kryeqytetit në homazhe ndaj një aktivisti të opozitës, Roman Bondarenko, i cili kishte vdekur disa ditë më parë në paraburgim të policisë pasi u arrestua.
Autoritetet në Bjellorusi u janë përgjigjur me një goditje të dhunshme demonstratave, më e madhja prej të cilave tërhoqi deri në 200,000 njerëz. Sipas mbrojtësve të të drejtave të njeriut, më shumë se 30,000 njerëz janë arrestuar që nga fillimi i protestave dhe mijëra prej tyre raportojnë dhunë dhe tortura gjatë arrestimit.
Pas arrestimeve, reagoi dhe liderja e opozitës e cila ështv në mërgim. Në një postim, Sviatlana Tsikhanouskaya shkroi në Twitter: “Vetëm shikoni Darya dhe Katsiaryna – të forta, të qeshura dhe duke i thënë lamtumirë të dashurve të tyre përmes hekurave. Lukashenko nuk mund të na thyejë”.
Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe vendet e tjera perëndimore kanë refuzuar të njohin Lukashenkon, 66 vjeç, si udhëheqësi legjitim i Bjellorusisë dhe kanë dënuar atë dhe zyrtarët e lartë Bjellorusë me sanksione në përgjigje të “falsifikimit” të votës dhe dhunës së pas zgjedhjeve.
Sipas mediave opozitare, policia po përpiqet të arrestojë dhe drejtues të tjerë të medias si dhe aktivistë të organizatave të shoqërisë civile.
Kundër arrestimeve dhe përndjekjes reagoi dhe Komisionerja për të Drejtat e Njeriut e Këshillit të Evropës, duke deklaruar se: “Ngacmimi përmes kërkimeve, arrestimeve dhe ndjekjeve penale të gazetarëve dhe mbrojtësve të të drejtave të njeriut, në Bjellorusi janë të papranueshme. Liritë e shprehjes, përkatësisë dhe grumbullimeve duhet të sigurohen në përputhje me standardet e të drejtave të njeriut.”.