ASNJË GRUA TJETËR

Dhuna ndaj grave dhe vajzave në shoqërinë tonë është bërë tanimë sistematike, dhe është një shqetësim përballë së cilit jo vetëm shoqëria; por edhe shteti e institucionet kanë dështuar.
Para kryeministrisë, në Tiranë është protestur pasditen e së premtes, për vrasjen e Irvana Hyka Medinajt.
28-vjeçarja është vrarë të enjten nga Bashkëshorti saj në Fier, ndërsa ishte nënë e dy fëmijëve, dhe të tretin e priste të vinte në jetë.
Aktivistet gra dhe vajza, kanë thënë se shteti dhe institucionet kanë dështuar në mbrojtjen e grave dhe vajzave në vendin tonë.
“Vrasja është bërë një rutinë e normalizuar shoqërore brenda këtij sistemi shtypës dhe patriarkal. Andaj nuk do të heshtim! Gruaja është njeri, jo plaçkë. Ajo meriton në mënyrë të barabartë çdo të drejtë njerëzore: lirinë, dinjitetin dhe mbi të gjitha, të drejtën për të jetuar; për të shijuar çdo ditë të lume në paqe, pa frikë, pa ankth, pa shfrytëzim, pa kërcënime; pa u ndjerë në borxh me askënd dhe asgjë për ekzistencën e saj.
Jeta e gruas nuk është tagër i burrit! Trupi i gruas nuk është tagër i burrit! Gruaja nuk i përket askujt veç vetes! E mbrojtja e jetëve tona, mbrojtja e secilës prej nesh, është detyrë institucionale dhe përgjegjësi shoqërore. “-thanë ndër të tjera ato.
Institucionet shtetërore shpesh-herë kanë dështuar të sigurojnë mbrojtjen e grave dhe vajzave nga dhunues, përdhunues e vrasës.
“Por ky shtet na ka braktisur prej kohësh. Ai ka dështuar të ngrejë struktura sociale mirëfunksionale, të cilat adresojnë dhe lehtësojnë dhunën me baza gjinore dhe shmangin vrasjen. Ky shtet, ku jeta ka kaq pak vlerë, ka refuzuar të çojë përpara politika sociale, që do t’i edukonin gratë dhe burrat për të qenë aleatë me njëri-tjetrin, jo armiq.
Arsimi është gjunjëzuar në 30 vite zhvatje, diskriminim ekonomik dhe mungesë mendimi kritik. Një dramë nga e cila është prekur veçanërisht gruaja. Ajo ose është rikthyer në vatrën familjare, ku i shërben kryepatriarkut dhe çdo burri tjetër që e shoqëron atë brenda këtij gjiri, ose është degdisur të punojë për një pagë nën minimalen, që rishtas i shërben mendësisë patriarkale ku ajo frymon dhe jo çlirimit apo emancipimit të vetë saj. Ngase pagat skllavëruese nuk i kontribuojnë lirisë së gruas e mirëqenies së saj shoqërore; divorcit nga një burrë i dhunshëm apo braktisjes së strehës së parë të shtypjes, kurthit më të madh historik të mëkimit të dhunës: familjes patriarkale. Kjo gjendje ekonomike dhe shoqërore e ka intensifikuar mjerimin, deri në goditjen e fundme… 31 herë, siç ishte rasti për Irvana Hyka Medinajn.
Nga ana tjetër, policia nuk do t’ia dijë për jetët e grave. Ky institucion mbetet një tjetër mekanizëm dhune, instrument i një shteti po kaq të egër. Rëndom, urdhërat e mbrojtjes janë fiktivë e kur gratë kërkojnë ndihmë, ato këshillohen të kthehen në shtëpi, mundësisht gojëmbyllura e gati për të duruar dajakun e bashkëshortit, deri kur policia të thirret për të tërhequr kufomën. Gjithnjë grua!
Ndërsa gjykatat thellojnë burokracinë dhe vonesat e paarsyetuara, që shtojnë radhët e vrasësve dhe viktimave. Vikitma, gjithnjë grua!
Atë që institucionet kanë dështuar të bëjnë, do ta bëjmë ne vetë, të gjitha së bashku, trup më trup! Solidariteti mes nesh, veprimtaria njëzëri, do të jenë tash e tutje institucioni i munguar që do të ofrojë mbrojtje, dashuri, prehje dhe revoltën e parë kolektive të motërzimit tonë!
Ne jemi këtu! Kemi njëra-tjetrën, s’jemi vetëm! -thanë aktivistet në një komunikatë të shpërndarë për mediat.
Dhuna ndaj vajzave dhe grave në Shqipëri
Nga Isa MYZYRAJ
Ku jemi?!
Dhuna ndaj grave dhe vajzave në shoqërinë shqiptare është një ndër sfidat më të mëdha në ditët e sotme. Gratë, dhunohen, rrihen, vriten sistematikisht, ndërsa shifrat alarmante sa vijnë e fryhen edhe më tej.
Në një mjedis ku mbizotëron konservatorizmi, tradita e kultura e thellë patriarkale, gratë dhe vajzat ende nuk po arrijnë të gjejnë vendin e tyre, si brenda mjediseve “të sigurta” familjare, por as në rrugë, e në vetë shoqërinë.
Gresa Hasa, një aktiviste e zëshme e të drejtave të grave dhe vajzave, gjithashtu bashkë themeluese e revistës feminist “Shota” thotë se: COVID-19 nxorri përfundimisht në pah sesi pesha e riprodhimit shoqëror, ku përfshihen të gjitha aktivitetet që prodhojnë dhe përkujdesen për jetën, vazhdojnë të rëndojnë mbi supet e grave. Në Shqipëri por edhe tjetërkund në botë, veçanërisht në vende ku politikat liberale vazhdojnë të vlerësojnë fitimin përpara jetës, gratë po luajnë rolin e shtetit social. Ato vijojnë të kryejnë detyrën që do duhej të kryente shteti po të kishte investuar në shkolla dhe kopshte cilësore; shërbime shëndetësore cilësore dhe falas; qendra komunitare; shtëpi dinjitoze dhe cilësore për të moshuar etj.”
Sipas Hasës: Kjo barrë rëndon në mënyrë joproporcionale mbi gratë, pjesa dërrmuese e të cilave pas përfundimit të punës me orë të tejzgjatura e për paga që nuk mbulojnë dot as shërbimet shëndetësore bazë, kthehen në shtëpi ku në vend se të çlodhen, vijojnë të punojnë por pa pagë duke larë e gatuar, duke u kujdesur për të vegjëlit, etj. “
Erjona Rusi, gazetare dhe aktiviste në Shqipëri, problemin e sheh që tek rrija e fëmijëve.
“Burrat rriten keq, që fëmijë. Nëse ti, si prind, që të vegjël i thua djalit ‘rri të keqen, mos bëj agjë’, dhe i thua motrës ‘bëja gati, t’i bëja gati’. Që këtu e ke mësuar keq, dhe kur të martohet është mësuar që t’i ketë gati, ai e sheh gruan si shërbëtore, jo si partnere jete”-thotë ajo.
Një tjetër aktiviste, Një Artjolë, thotë se situata në vendin tonë është e rëndë, ndërsa kur pyetet për situatën e grave dhe vajzave në Shqipëri, teksa thotë se është një pyetje mjaft e gjerë, mundohet të rendisë disa nga problemet më të mëdha që po përballen gratë dhe vajzat.
“Pikë së pari kemi rastet e dhunës në familje, që në rastin më të keq përfundojnë me viktima, dhe në rastin më të mirë përfundojnë me urdhëra mbrojtje qesharakë, në situata ku viktima dhe agresori gjallojnë në largësinë nga kuzhina në dhomën e gjumit, pra jetojnë në një shtëpi. Pastaj kemi rastet e ngacmimeve dhe të dhunës seksuale. Prej të cilave gratë duhet të mbrohen që në mëngjes kur hipin në autobuz, kur shkojnë në punë dhe deri kur kthehen në shtëpi. Pastaj në zonat rurale kemi problem shumë të madh shkollimin e vajzave dhe të grave. Pjesa më e madhe e të cilave nuk marrin arsimimin e duhur dhe si pasojë bëhen dhe skllave ekonomike të burrave më vonë. Kemi punën e papaguar të grave shtëpiake, që kur të dalin në pension nuk do të kenë më çfarë të jetojnë. Kemi problemin de fakto të pronave që duhet t’i shkojnë më së s’bën djalit të shtëpisë duke e lënë vajzën pa trashëgimi. Këto janë sipas meje problemet, por jam e sigurt që dhe më kanë shpëtuar disa”-thotë ajo.
Të paragjykuara dy herë
Kur flasim për gratë dhe vajzat, në shumë raste si në artikulimet mediatike, ashtu edhe në ato shoqërore e personale, shumica harrojnë të përmendin gratë dhe vajzat e komunitetit LGBTI+.
Për vitet të tëra “pa zë”, shumë prej tyre kanë ngritur heroikisht zërin vitet e fundit, duke guxuar që të kërkojnë të drejta të barabarta në shoqërinë tonë.
Aktivistja e të drejtave të njeriut, dhe të drejtave LGBT+, Xhani Karaj, jep një panoramë të zymtë në cilën ndodhen gratë dhe vajzat e këtij komuniteti.
“Vajzat dhe grate lesbike, biseksuale dhe transgjinore vuajnë diskriminim të dyfishtë në shqipëri.
Gratë dhe vajzat e komunitetit LBTI shpesh ndihen të detyruara të fshehin orientimin e tyre seksual dhe/ose identitetin gjinor nga ata që i rrethojnë, duke përfshirë familjet, miqtë dhe komunitetin ku jetojnë.
Në fushën e punësimit gratë dhe vajzat e komunitetit LBTI përjetojnë ngacmim seksual dhe diskriminim të vazhdueshëm. Gratë dhe vajzat e komunitetit LBTI që e shprehin hapur orientimin e tyre seksual kanë vështirësi në gjetjen e punësimit dhe strehimit.
Në institucionet arsimore vajzat e komunitetit LBTI janë subjekt i ngacmimti dhe abuzimit verbal dhe fizik jo vetëm nga bashkëmoshatarët e tyre por dhe nga stafi pedagogjik. “shprehet Karaj.
D.N një aktiviste dhe juriste në Shqipëri, thotë se: Gratë lesbike, biseksuale, transgjinore dhe interseks për shkak të orientimit të tyre seksual dhe/ose identitetit gjinor, por edhe për shkak të gjinisë së tyre janë subjekte të diskriminimit të shumfishtë. Në shoqërinë tonë koncepti i gjinisë, i nxitur nga kultura dhe mentaliteti është tejet binary, i mbështetur mbi role të mirëpërcakuara dhe mbi stereotipe të brendësuara sa u përket roleve gjinore. Çdo devijim nga këto role, paraqitja dhe pritshmëritë mbi sjelljet në bazë të mentalitetit patriarkal, bën që individi të perceptohet si një qenie moralisht e gabuar.”.
Ajo sjell në vëmendje disa gjetje, nga një kërkim që ka ndërmarrë vitin e kaluar në kuadër të implementimit të detyrimeve që rrjedhin nga Axhenda 2030, me në fokus komunitetin LGBTI+, ku sa i përket objektivit 5 të zhvillimit të qëndrueshëm u fokusova te problematikat e grave LBTI+.
Sipas këtyre gjetjeve shqetësuese- thotë ajo- : 82% e grave objekt i këtij studimi nuk ndjehen të sigurta në Shqipëri dhe ndër çështjet që i shqetësonin më tepër, renditën mungesën e një baze juridike për njohjen e identitetit gjinor, mungesën e pavarësisë për shkak të statusit ekonomik, diskriminimin me bazë gjinore, dhunën në hapësirat publike dhe dhunën seksuale, edukimin e kufizuar dhe martesat e detyruara. 35% e pjesëmarrëseve nuk kishin akses të plotë dhe të lirshëm në shërbimet e kujdesit shëndetësor seksual dhe riprodhues, ku si shkakun kryesor identifikuan mungesën e informacionit nga ana e mjekëve, sistemin imponues gjinor dhe mentalitetin patriarkal. 47% raportuan diskriminim të hapur që u pamundësonte punësimin. Në kuadër të situatës familjare, me të cilën duket se gratë LBTI përballen vlen të theksojmë se prindërit shqiptarë që janë në dijeni të identitetit të tyre gjinor apo orientimit seksual, u bëjnë presion që të mos shfaqen në publik si LBTI, nga frika e opinionit të të
afërmve dhe shoqërisë, por edhe nga frika se do të bien pre e paragjykimeve dhe diskriminimit
për pasojë, çka reflektohet edhe në studimin e kryer mbi perceptimet shoqërore ndaj komunitetit, ku 76% e popullatës së zgjedhur mendon se personat LGBTI duhet të përpiqen ta fshehin orientimin seksual dhe identitetin gjinor në mënyrë që të mos cënojnë `nderin` e vetes, familjarëve
Durrësi i “përgjakur”
Shifra alarmante vijnë nga qyteti i Durrsit, qark ky që zë vendin e parë në Shqiëpri për dhunën ndaj grave dhe vajzave.
Përfaqësues të organizatës, “Gender, paqe dhe siguri” thanë se “Vetëm në vitin 2020, në Durrës ka pasur 493 kërkesë -padi për urdhër të mënjehershëm mbrojtje, dhe 155 kallëzime penale për dhunën në familje”.
Regjisorja e njohur durrsake Driada Dervishi, tha se dhuna ndaj grave dhe vajzave gjithnjë e më shumë ka marrë përmasa alarmante vitet e fundit.
“Këpucët e kuqe, janë si një simbol i humbjes së jetës së grave nga dhuna në shtëpi, në rrugë dhe në shoqëri. Feminicidi vitet e fundit ka marrë përmasa të mëdha. Qarku i Durrësit, për fat të keq është në vend të parë për dhunën e ushtruar ndaj grave dhe vajzave”-tha Dervishi.
Çfarë mund të bëhet?
Gresa Hasa, duke thënë se gratë bëjnë një punë të papaguar, duke sjellë në vëmnedje punët e shtëpisë, shton se :Kjo krizë veçse do të thellohet nëse nuk ndalojmë një çast për të reflektuar mbi të gjitha këto padrejtësi sistemore e patriarkale dhe nëse prej këtu, nuk përpiqemi bashkërisht për të hedhur një hap të guximshëm e vendimtar drejt një ndryshimi rrënjësor. Në kushtet ku ndodhemi e vetmja shpresë janë organizimi, rezistenca dhe mos heqja dorë.
Gratë transgjinore shpesh janë viktima të krimeve të urrejtjes dhe shpesh herë përjetojnë dhunë dhe abuzime dhe nga policia, thotë Xheni Karaj, e cila shton se : Është shumë e rëndësishme të flitet rreth problematikave që përmenda më lart jo vetëm në ditë si 8 marsi por në përditshmëri dhe të rritet ndërgjegjësimi jo vetëm I publikut por dhe I institucioneve që krijojnë politika. Institucionet duhët të marrin përgjegjësitë e tyre për të realizuar fushata kundër bullizimit në shkolla dhe për të përfshirë informacion mbi të drejtat e njeriut në kurikula.
Shkollimi dhe punësimi i grave, janë një ndër zgjidhjet që sygjeron aktivistja Një Artjolë, duke shtuar se Sa i takon pavarësisë ekonomike të grave, gjë e cila ka të bëjë shumë me problematikat që vijnë zinxhir pastaj. Veç kësaj do të ishte mirë të shtohej një lëndë mbi barazinë gjinore në shkolla. Dhe një ide paksa e çmendur do të ishte një projekt i gjatë në kohë që do të synonte edukimin e komunitetit në lidhje me barazinë gjinore.
D.N, inkurajon të gjitha gratë dhe vajzat që të ndërgjegjësohen për problematikat sociale, vlerat, trupin dhe sistemin në të cilin jeton.
“ Çështjet e të gjitha grave nuk janë vetëm të të gjitha grave, por janë probleme sistemike e shoqërore, ndaj të cilave revolta është jo vetëm e pashmangshme, por edhe zgjidhja e vetme. Njohja e vetes, njohja e problematikave me të cilat ndeshesh personalisht e kolektivisht sepse je grua dhe sepse je LBTI+, solidariteti dhe motërzimi janë faktorë kyç në luftën ndaj brendësimeve stereotipike e të pashëndetshme mbi gratë. Përballja e patriarkatit nuk mund të ketë sukses veçse në solidaritet me sfidat e tua e të çdo gruaje. “-shprehet ajo.
Institucionet shqiptare duket se kanë dështuar deri më tani, për sigurimin e jetës, barazisë dhe mirëqenies së grave dhe vajzave.
Karaj, sugjeron që duhet të aprovohet Ligji për Njohjen Gjinore i cili do ti krijonte mundësi vajzave dhe grave transgjinore të aksesojnë trajtimin hormonal dhe ndryshojnë seksin në dokumentat ligjore.
Ndërsa, D.N, shprehet se Shteti shqiptar duhet të ndërmarrë hapa reale e efektive në adresim të dhunës e diskriminimit me bazë gjinore si dhe të punojë në realizim të detyrimeve pozitive për të mbrojtur dhe për t` mundësuar çdo gruaje siguri, hapësira efektive për referim e raportim të rasteve, barazi në punë dhe standard dinjitoz jetese.