Nga Isa MYZYRAJ
Ku jemi?!
Dhuna ndaj grave dhe vajzave në shoqërinë shqiptare është një ndër sfidat më të mëdha në ditët e sotme. Gratë, dhunohen, rrihen, vriten sistematikisht, ndërsa shifrat alarmante sa vijnë e fryhen edhe më tej.
Në një mjedis ku mbizotëron konservatorizmi, tradita e kultura e thellë patriarkale, gratë dhe vajzat ende nuk po arrijnë të gjejnë vendin e tyre, si brenda mjediseve “të sigurta” familjare, por as në rrugë, e në vetë shoqërinë.
Gresa Hasa, një aktiviste e zëshme e të drejtave të grave dhe vajzave, gjithashtu bashkë themeluese e revistës feministe “Shota” thotë se: COVID-19 nxorri përfundimisht në pah sesi pesha e riprodhimit shoqëror, ku përfshihen të gjitha aktivitetet që prodhojnë dhe përkujdesen për jetën, vazhdojnë të rëndojnë mbi supet e grave.”
Sipas Hasës: Kjo barrë rëndon në mënyrë joproporcionale mbi gratë, pjesa dërrmuese e të cilave pas përfundimit të punës me orë të tejzgjatura e për paga që nuk mbulojnë dot as shërbimet shëndetësore bazë, kthehen në shtëpi ku në vend se të çlodhen, vijojnë të punojnë por pa pagë duke larë e gatuar, duke u kujdesur për të vegjëlit, etj. “
Erjona Rusi, gazetare dhe aktiviste në Shqipëri, problemin e sheh që tek rrija e fëmijëve.
“Burrat rriten keq, që fëmijë. Nëse ti, si prind, që të vegjël i thua djalit ‘rri të keqen, mos bëj agjë’, – dhe i thua motrës ‘bëja gati, t’i bëja gati’. Që këtu e ke mësuar keq, dhe kur të martohet është mësuar që t’i ketë gati, ai e sheh gruan si shërbëtore, jo si partnere jete”-thotë ajo.
Një tjetër aktiviste, Një Artjolë, thotë se situata në vendin tonë është e rëndë, ndërsa kur pyetet për situatën e grave dhe vajzave në Shqipëri, teksa thotë se është një pyetje mjaft e gjerë, mundohet të rendisë disa nga problemet më të mëdha që po përballen gratë dhe vajzat.
“Pikë së pari kemi rastet e dhunës në familje, që në rastin më të keq përfundojnë me viktima, dhe në rastin më të mirë përfundojnë me urdhëra mbrojtje qesharakë, në situata ku viktima dhe agresori gjallojnë në largësinë nga kuzhina në dhomën e gjumit, pra jetojnë në një shtëpi. -thotë ajo.
Të paragjykuara dy herë
Kur flasim për gratë dhe vajzat, në shumë raste si në artikulimet mediatike, ashtu edhe në ato shoqërore e personale, shumica harrojnë të përmendin gratë dhe vajzat e komunitetit LGBTI+.
Për vitet të tëra “pa zë”, shumë prej tyre kanë ngritur heroikisht zërin vitet e fundit, duke guxuar që të kërkojnë të drejta të barabarta në shoqërinë tonë.
Aktivistja e të drejtave të njeriut, dhe të drejtave LGBTI+, Xhani Karaj, jep një panoramë të zymtë në cilën ndodhen gratë dhe vajzat e këtij komuniteti.
“Vajzat dhe grate lesbike, biseksuale dhe transgjinore vuajnë diskriminim të dyfishtë në shqipëri.
Gratë dhe vajzat e komunitetit LBTI shpesh ndihen të detyruara të fshehin orientimin e tyre seksual dhe/ose identitetin gjinor nga ata që i rrethojnë, duke përfshirë familjet, miqtë dhe komunitetin ku jetojnë.
Në fushën e punësimit gratë dhe vajzat e komunitetit LBTI+ përjetojnë ngacmim seksual dhe diskriminim të vazhdueshëm. Gratë dhe vajzat e komunitetit LBTI që e shprehin hapur orientimin e tyre seksual kanë vështirësi në gjetjen e punësimit dhe strehimit, thonë aktivistët.
Në institucionet arsimore vajzat e komunitetit LBTI janë subjekt i ngacmimti dhe abuzimit verbal dhe fizik jo vetëm nga bashkëmoshatarët e tyre por dhe nga stafi pedagogjik. “shprehet Karaj.
D.N një aktiviste dhe juriste në Shqipëri, thotë se: Gratë lesbike, biseksuale, transgjinore dhe interseks për shkak të orientimit të tyre seksual dhe/ose identitetit gjinor, por edhe për shkak të gjinisë së tyre janë subjekte të diskriminimit të shumfishtë. .”.
Durrësi i “përgjakur”
Shifra alarmante vijnë nga qyteti i Durrësit, qark ky që zë vendin e parë në Shqipëri për dhunën ndaj grave dhe vajzave.
Përfaqësues të organizatës, “Gender, paqe dhe siguri” thanë se “Vetëm në vitin 2020, në Durrës ka pasur 493 kërkesë -padi për urdhër të mënjehershëm mbrojtje, dhe 155 kallëzime penale për dhunën në familje”.
Regjisorja e njohur durrsake Driada Dervishi, tha se dhuna ndaj grave dhe vajzave gjithnjë e më shumë ka marrë përmasa alarmante vitet e fundit.
“Këpucët e kuqe, janë si një simbol i humbjes së jetës së grave nga dhuna në shtëpi, në rrugë dhe në shoqëri. Feminicidi vitet e fundit ka marrë përmasa të mëdha. Qarku i Durrësit, për fat të keq është në vend të parë për dhunën e ushtruar ndaj grave dhe vajzave”-tha Dervishi.
Çfarë mund të bëhet?
Gresa Hasa, duke thënë se gratë bëjnë një punë të papaguar, duke sjellë në vëmnedje punët e shtëpisë, shton se :Kjo krizë veçse do të thellohet nëse nuk ndalojmë një çast për të reflektuar mbi të gjitha këto padrejtësi sistemore e patriarkale dhe nëse prej këtu, nuk përpiqemi bashkërisht për të hedhur një hap të guximshëm e vendimtar drejt një ndryshimi rrënjësor. Në kushtet ku ndodhemi e vetmja shpresë janë organizimi, rezistenca dhe mos heqja dorë.
Gratë transgjinore shpesh janë viktima të krimeve të urrejtjes dhe shpesh herë përjetojnë dhunë dhe abuzime dhe nga policia, thotë Xheni Karaj,.
Shkollimi dhe punësimi i grave, janë një ndër zgjidhjet që sygjeron aktivistja Një Artjolë, duke shtuar se Sa i takon pavarësisë ekonomike të grave, gjë e cila ka të bëjë shumë me problematikat që vijnë zinxhir pastaj. Veç kësaj do të ishte mirë të shtohej një lëndë mbi barazinë gjinore në shkolla. Dhe një ide paksa e çmendur do të ishte një projekt i gjatë në kohë që do të synonte edukimin e komunitetit në lidhje me barazinë gjinore.
D.N, inkurajon të gjitha gratë dhe vajzat që të ndërgjegjësohen për problematikat sociale, vlerat, trupin dhe sistemin në të cilin jeton.
“ Çështjet e të gjitha grave nuk janë vetëm të të gjitha grave, por janë probleme sistemike e shoqërore, ndaj të cilave revolta është jo vetëm e pashmangshme, por edhe zgjidhja e vetme. Njohja e vetes, njohja e problematikave me të cilat ndeshesh personalisht e kolektivisht sepse je grua dhe sepse je LBTI+, solidariteti dhe motërzimi janë faktorë kyç në luftën ndaj brendësimeve stereotipike e të pashëndetshme mbi gratë. Përballja e patriarkatit nuk mund të ketë sukses veçse në solidaritet me sfidat e tua e të çdo gruaje. “-shprehet ajo.
Institucionet shqiptare duket se kanë dështuar deri më tani, për sigurimin e jetës, barazisë dhe mirëqenies së grave dhe vajzave.
Karaj, sugjeron që duhet të aprovohet Ligji për Njohjen Gjinore i cili do ti krijonte mundësi vajzave dhe grave transgjinore të aksesojnë trajtimin hormonal dhe ndryshojnë seksin në dokumentat ligjore.
Ndërsa, D.N, shprehet se Shteti shqiptar duhet të ndërmarrë hapa reale e efektive në adresim të dhunës e diskriminimit me bazë gjinore si dhe të punojë në realizim të detyrimeve pozitive për të mbrojtur dhe për t` mundësuar çdo gruaje siguri, hapësira efektive për referim e raportim të rasteve, barazi në punë dhe standard dinjitoz jetese.