Fillon lufta ne Izrael… (FOTO REPORTAZH)
Tashmë mediat thonë se është çështje orësh përpara se Izraeli të ndërhyjë edhe nga toka në Rripin e Gazës, edhe pse autoritetet e këtij vendi thonë se nuk ka akoma një vendim.
75 mijë rezervistë janë gati, ndërkohë që Izraeli ka goditur gjatë natës edhe selinë qendrore të liderëve të Hamasit, pikërisht godinën ku kreu vizitat kryeministri egjiptian. Ky vend është angazhuar se do të mbështesë palestinezët. Godina e kryeministrit të Hamasit është shkatërruar plotësisht nga pesë raketa, por nuk ka pasur viktima pasi aty nuk ndodhej askush.
Izraeli thotë se ka goditur përgjatë natës 200 shënjestra. Situata nuk është më si dikur në rajon, ndaj ekspertët druhen se lufta do të jetë më e ashpër. Bild raporton se qytetarët e Izraelit janë udhëzuar se kjo luftë do të zgjasë për shtatë javë. Korrespondentët e BBC thonë se frika ekziston se rajoni do të rrëshqasë në dhunë, për shkak se situata e krijuar nga Pranvera Arabe ka ndryshuar shumë ekuilibra. Për momentin Rripi i Gazës, një rajon me një dendësi të lartë popullsie, është vendi më i rrezikshëm për të qëndruar në botë. Në total flitet deri më tani për 38 palestinezë të vrarë dhe tre izraelitë.