Gjaku i tyre nxin fytyren tone, nga Mero Baze
Nga Mero Baze
Ka dhe pak ditë që Shqipëria të shpëtojë nga një prej fotografive që mund ta terrorizojë këtë komb për 100 vitet e ardhshme. Kryeministri i vendit, në një moment haluçinant, ka urdhëruar që, mes marrëzive të tjera me rastin e 28 Nëntorit, të theren 2000 desh dhe qengja. Është bërë shumë humor me këtë temë dhe ka një luftë të ftohtë mes ministrive dhe bashkisë se kush do ta realizojë këtë kasaphanë, që tregon një detaj edhe më të rëndë lidhur me pafuqinë e qeveritarëve shqiptarë të komunikojnë normalisht me Sali Berishën.
Por ky është problem i vogël. Problem i madh serioz do të jetë data 28 Nëntor dhe kamerat e televizioneve ndërkombëtare që do të fokusohen në Tiranë tek mijëra kokë qengjash dhe deshësh të therur dhe të varur tek Biblioteka Shkencore e Universitetit, aty ku profili perëndimor i Shqipërisë do të shndërrohet në talibanizëm.
Përfytyroni raportin e CNN, BBC, fotot e agjencive të lajmeve, dhe nga tre fjali që shkruajnë në këtë rast për festën kombëtare, dy do të jenë sqarim për mijëra qengja e desh të therur si ‘kurban’ për 100 vjetorin. Shtoi pastaj fytyrat e uritura të bathoristëve që do të turren të marrin mishin falas të kurbanit të Lulëzim Bashës dhe Sali Berishës, higjienën e shkatërruar në të cilën do të serviret ky “megakurban”, dhe mbi të gjitha përfytyrimin e Shqipërisë si një vend që feston me kurban festën kombëtare të pavarësisë prej osmanëve.
Në këtë vend ka vdekur shoqëria civile apo ambientalistët dhe nuk u vë faj pasi simbol i tyre ka mbetur të jetë Fatmir Mediu. Ata mund ta frenonin këtë psikopati të Sali Berishës në aspektin ambientalist dhe vegjetarian.
Në këtë vend ka vdekur guximi për debat publik dhe transparencë të qeverisë dhe bashkisë rreth menysë së festës kombëtare dhe nuk i vë faj shoqërisë, pasi shqiptarët po festojnë pavarësinë, ndërsa Berisha me Bashën monarkinë.
Por në këtë vend, me atë fotografi të tmerrshme që mund të përfaqësohemi si komb më 28 Nëntor, do të vdesë përfundimisht imazhi ynë si një vend evropian dhe që minimumi ka një kulturë festimi. Imazhi i qengjave dhe deshve kokëposhtë në kolonat e universitetit, do t’i ngjajë pamjeve të talibanëve që i vunë minat kulturës së vjetër të Afganistanit pas marshimit të tyre në fillim të viteve ‘90-të, monumenteve të kulturës dhe vendeve të shenjta jo myslimane.
Duke qenë se kombi shqiptar nuk e meriton atë fotografi, opozita shqiptare dhe shoqëria civile duhet të mbajnë një qëndrim të prerë kundër asaj masakre primitive që na na skuq Tiranën nga gjaku dhe na nxin faqen para gjithë botës. Sali Berisha mund të mos ndalet dhe ta bëjë këtë masakër dhe turp për Shqipërinë, por kjo masakër duhet të hyjë në histori si turp dhe çmenduri e Sali Berishës dhe jo e shqiptarëve.
Opozita duhet të shprehet publikisht kundër dhe po të jetë nevoja të organizojë dhe protesta kundër këtij turpi. Shoqëria civile, ajo që ka mbetur ende pa “u therur” nga Berisha, po ashtu duhet të ngrejë zërin ndaj kësaj masakre.
E theksoj, nuk është vetëm çështje ambientalistësh, vegjetarianësh apo animalistësh, por mbi të gjitha çështje politike dhe imazhi për Shqipërinë. Vendi duhet të ndahet përfundimisht nga kultura arkaike e një bote të vjetër arabe, që feston duke bërë kurban qengja.
Kjo kulturë u rikthye në Tiranë me pushtimin taliban të Bashkisë së Tiranës pas vjedhjeve se mandatit nga Lulëzim Basha. Për ta bërë “hallall” mandatin e vjedhur, ai theri një qengj në mënyrë kriminale para Bashkisë, ngjeu me gjak pragun e portës dhe hyri brenda. Tani ky model, që fsheh brenda Familjes Berisha dhe një sekt të rrezikshëm të vehabizmit, po imponohet si një fotografi e Shqipërisë për 100 vjetorin. Nuk është fjala për fatin e 2000 deshve, por për fytyrën tonë, për imazhin e kombit shqiptar dhe alergjinë që mund t’i shkaktojmë Perëndimit me këtë gjest taliban. Ajo foto do të na shoqërojë për qindra vjet si simbol i 100 vjetorit të pavarësisë dhe në mos e ndalshim, së paku ta lëmë si relikte të një të çmenduri, që donte të identifikonte Shqipërinë me komplekset fetare myslimane që ka familja e tij vehabisto-sllavo-ortodokse.
Të paktën të mos jetë një foto që na përfaqëson të gjithëve, por vetëm ata që realisht ndjejnë nevojën për “kurban” pas çdo krimi.