Dita e sotme shënon dhe ditën e rifillimit të vitit akademik në mbarë vendin.
Ndërkohë që prej javësh njoftohej strategjia e universiteteve për organizimin e mësimit në auditorë, në respektim të masave anti-covid, javën e shkuar u njoftua se mësimi do të zhvillohet vetëm online.
Sipas një vendimi të komitetit të ekspertëve, universitetet konsiderohen si zona të larta rreziku për shtimin e infektimeve.
Vendimi nxiti reagime të shumta kundër nga ana e studentëve, sidomos nga studentët që duan të banojnë në rezidencat universitare, të cilët kanë kryer tashmë edhe pagesat e nevojshme.
E ndërsa në fjalën e saj përshëndetëse mbi vitin e ri akademik ministrja Evis Kushi ritheksoi se vendimi është i vlefshëm vetëm për muajin nëntor, me rritjen e rasteve të reja të të prekurve me Covid-19, shtohet dhe pasiguria e rikthimit në auditorë në muajt në vijim.
Kundër këtij vendimi, një grup i madh studentësh protestuan sot edhe para Ministrisë së Arsimit, duke akuzuar autoritetet për masa jo proporcionale.
Ata kërkojnë kthimin sa më shpejtë në auditor dhe ndalimin e aktivitetve të tjera publike me rrezik, në vend të mbylljes së universiteteve.
Problem mbetet dhe pagesa e tarifës, në masën e saj të plotë, për aq kohë sa mësimi zhvillohet vetëm online.
Fushata elektorale në kohë pandemie
Por pavarësisht masave parandaluese të sanksionuara nga Ministria e Shëndetësisë, partitë politike dhe përfaqësues të tyre kanë nisur takimet elektorale në qytete të ndryshme të vendit.
Takime janë zhvilluar në oborre të universiteteve, por edhe në ambjente të mbyllura, duke shtuar rrezikun e infeksioneve.
Me ndalimin e mësimit në auditor, synohet ulja e rasteve të reja me qëllim rikthimin disi në normalitet në muajt që vinë, por si mund të ndikojnë takimet elektorale në këto plane të komitetit të ekspertëve dhe autoriteteve për uljen e rasteve të infektimeve?! Mbetet ende për tu parë.