Mos zbatimi i ligjit u vështirëson jetën personave me aftësi të kufizuar

Nga Isa Myzyraj
Aksesi në rrugët e Tiranës i Personave me Aftësi të Kufizuar
Shqipëria ka ratifikuar Konventën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara.
Nisur nga ratifikimi i Konventës së OKB, qeveria shqiptare ka miratuar një sërë Vendimesh të Këshillit të Ministrave (VKM) por nga kjo kanë dalë edhe ligje specifike, ku vlen të përmenden; ligji nr.93/2014 “për përfshirjen dhe aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuara; dhe ligji nr. 10221 datë 04.02.2010 “Për mbrojtjen nga diskiminimi”.
Por jeta e personave me aftësi të kufizuar vijon të jetë e vështirë.
Aksesi në shërbimet publike, por edhe në rrugë e trotuare është mjaft i vështirë.
Enjola Duraku jeton në Tiranë dhe është 24-vjeç , asaj i duhet që të marrë të gjitha shërbimet dhe të lëvizë gjatë gjithë kohës në një karrocë me rrota për shkak të gjendjes së saj.
24-vjeçarja shprehet se: “Pengesat janë shumë të mëdha, por pengesa më e madhe është infrastruktura”.
“Duke mos pasur rrugë të aksesueshme unë detyrohem që të mos dalë përditë nga shtëpia, dhe atëherë kur dal më duhet që të marr një shoqërues tjetër me vete”-shprehet E. Duraku.
Të njëjtën problematikë ndan edhe Shpresa Spahiu, e cila shprehet se në mungesë të rrugëve të përshtatshme për aftësinë e kufizuar ato rrezikojnë jetën e tyre çdo ditë duke lëvizur nëpër rrugët e makinave:
“Asnjë trotuar ose hapësirë publike nuk është e përshtatur për aftësinë e kufizuar. Unë e kam shumë të vështirë që të lëvizë nëpër trotuare sepse ka shumë gropa dhe është e vështirë që të aksesohet trotuari, në këto kushte unë detyrohem që të ecë nëpër rrugët e makinave, gjë e cila vë jetën time në rrezik, dhe bëhet burim aksidentesh”.
Edhe pse në letër, institucionet dhe rrugët duhet të kenë vende të posaçme për parkime për personat me aftësi të kufizuar edhe kjo gjë nuk u ofrohet kësaj kategorie.
Vendimi i Këshillit të Ministrave (VKM) numër 1503 i vitit 2013; konkretisht neni 12 dhe 26 i tij, përcaktojnë qartazi numrin dhe hapësirën e cila duhet të shërbejë për parkimin nga personat me aftësi të kufizuara.
“5% e vendeve përshtaten me numrin total të parkimeve (por jo më pak se 1), gjerësia e përdorur nuk mund të jetë më pak se 320 centimetra si dhe parkimi i automjeteve të personave me aftësi të kufizuara është falas”, thuhet në VKM.
Por personat me aftësi të kufizuar thonë se kjo gjë nuk gjen zbatim në terren.
Shteti dështon t’u sigurojë PAK transport publik
Sipas vendimit nr.1074 datë 23.12.2015 të gjitha mjetet e transportit publik detyrohen që të krijojnë kushte të përshtatshme për personat me aftësi të kufizuara, në mënyrë që edhe ata të aksesojnë këtë shërbim.
Por shteti dhe kompanitë e transportit publik kanë dështuar edhe në këtë pikë.
Enjola Duraku shprehet se nuk mund të aksesojë asnjë linjë të transportit publik për shkak të kushteve të munguara tek këto kompani që ofrojnë shërbime.
“Nuk mund ta përdor transportin publik për arsye se asnjë urban nuk ka kushtet e duhura.” thotë ajo.
Për Shpresa Spahiu edhe ata urbanë që i kanë rampat që i ndihmojnë personat me aftësi të kufizuar nuk dinë që t’i përdorin.
“Në transportin publik hasë shumë vështirësi, drejtuesit nuk e kanë idenë çfarë është një rampë për të hipur në autobus. Edhe ato linja që e kanë nuk i përdorin, pasi nxjerrin arsyetime të ndryshme, shumica prej tyre nuk dinë që t’i përdorin, ndërsa të tjerë thonë që nuk punojnë rampat në autobusë.”-shprehet Spahiu.
Asnjë mbështetje për mjetet ndihmëse
Sipas ligjit për “Statusin e invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik”: “Administrata e Përgjithshme e Ndihmës dhe e Shërbimeve Sociale administron mjetet e përshtatura për të sëmurët paraplegjikë dhe tetra plegjikë. Kriteret përcaktohen me rregullore nga Administrata e Përgjithshme e Ndihmës dhe e Shërbimeve Sociale”.
Por mjetet ndihmëse Personat me Aftësinë e Kufizuar duhet që t’i sigurojnë vetë.
Shpresa Spahiu thotë se institucionet në vendin tonë nuk japin as karroca mekanike, të cilat përdoren duke u shtyrë.
Ajo shprehet se për të është e nevojshme një mjet elektrik, të cilin e siguron në çdo rast vetë!
“Institucionet shtetërore nuk mbajnë asnjë përgjegjësi për të pajisur personat me aftësi të kufizuar as me karroca manuale që shtyhen me dorë, jo më të pretendojmë për motorë elektrikë që është një ëndërr ta mendosh në Shqipëri. Shteti nuk jep asnjë kontribut për këtë gjë, këtë gjë e sigurojmë vetëm privatisht.”-shprehet ajo, ndërsa shton, se në rast të defekteve të këtyre motorëve elektrikë sfida tjetër është rregullimi i defektit që duhet të bëhet në një shtet tjetër, pasi Shqipëria nuk e ofron një mundësi të tillë.
24-vjeçarja Erjola Duraku tregon se pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme për ndihmë nga ana e personave me aftësi të kufizuar shteti nuk u është gjendur kurrë pranë.
“Asnjëherë nuk na janë përgjigjur. Të gjithë çfarë më thonë se do të më ndihmojnë, vetëm llafe kanë”-shprehet ajo.
Institucionet shtetërore diskriminojnë
Prej më shumë se dhjetë vitesh Shqipëria ka të miratuar kuadrin ligjor sa i përket aksesueshmërisë për personat me aftësinë e kufizuar.
Por pavarësisht kësaj, edhe vetë institucionet për objektet e tyre kanë dështuar në zbatimin e këtij ligji.
Në Qershorin e Vitit të kaluar Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi konstatoj diskriminim në formën e rëndë të tij, të personave me aftësi të kufizuara, nga ana e Postës Shqiptare.
KMD pas hetimit doli në përfundimin se Posta Shqiptare nuk ka asnjë kusht infrastrukturor të saj pranë Zyrës Postare Hardhisht të Shijakut.
Në vendimin prej 23 faqesh Komisioneri konstatoj si përfundim se: “…Diskriminimin në formën e rëndë të tij, të personave me aftësi të kufizuara, nga ana e Postës Shqiptare sh.a, në lidhje me ofrimin e shërbimeve nga ana e saj pranë Zyrës Postare Hardhisht.”
Ali Plaka, kryetar i Shoqatës Para dhe Tetraplegjik të Tiranës shprehet se: “Lëvizja e personave me aftësi të kufizuar është mjaft e papërshtatshme. Ka mungesë të theksuar të rampave në rrugë por edhe në institucionet shtetërore, përfshirë spitalet por edhe institucionet e shërbimeve të tjera të domosdoshme.”/ HistoriaIme
Foto: Nensi Bogdani/ Reporter.al