PROTESTA E PD/ Protestuesit qëllojnë me vezë dhe shishe kryeministrinë
Protesta e sotme e Partisë Demokratike, në ditën e 25 vjetorit të rrëzimit të sistemit komunist, ishte paralajmëruar se do të ishte një marshim i qetë dhe jo i dhunshëm, por selia e kryeministrisë është qëlluar me vezë, gurë, tulla, shishe e shkopinj dhe është hedhur tymues blu.
Protestuesit tentuan të thyejnë kordonin me police vajza që rrethonin kryeministrin, por pas tensionimit të situatës para godinës se qeverisë u vunë efektivë meshkuj. Kur kishin kaluar vetëm 30 minuta nga nisja e protestës, një qytetar çau kordonin policor duke u ngjitur në godinën e Kryeministrisë. Ndërsa një orë më vonë nuk munguan as përplasjet mes protestuesve e policisë.
Protestuesit gjithashtu i kanë vënë flakën edhe pankartave me foton e kryeministrit Rama.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në fjalimin e tij tha se pritja ka marrë fund dhe “e vetmja zgjidhje për të shporrur këtë qeveri janë zgjedhjet e parakohshme”.
Në terren është lajmëruar se janë rreth 1500 policë të angazhuar gjatë protestës. /m.g
Foto: BIRN