Nis akreditimi për 6 universitetet e para; Mungon Universiteti i Tiranës
Akreditimi i institucioneve të arsimit të lartë i është besuar agjencisë britanike “Quality Assurance Agency”. Sipas ministres së Arsimit dhe Shkencës, Lindita Nikolla, procesi i akreditimit do të nisë fillimisht për 6 universitete nga të cilët 4 publike dhe 2 private.
Puna do të nisë me Universitetin Politeknik të Tiranës, Universiteti Bujqësor i Kamzës, Universiteti “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, Universiteti “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, Universiteti jopublik “Marin Barleti” dhe Universiteti Europian i Tiranës.
Ministrja Nikolla tha në një prononcim për median se “do të fillohet me institucione nga më përfaqësueset në kuptimin edhe të madhësisë, por edhe të cilësisë, që vjen pas inspektimit që Ministria e Arsimit”.
Në ndryshim nga prononcimi i ministres, Universiteti i Tiranës që llogaritet institucioni me numrin më të madh të studentëve, por edhe i pari për Shqipërinë në rankimin botëror sipas Webometrics, mungon në listën e gjashtë universiteteve të para.
Agjencia britanike, do t’i rankojë universitetet bazuar në gjendjen e mësimdhënies dhe kapacitetet e arsimit të lartë. Kështu studentët do të mund të zgjedhin universitetin më të mirë. Renditja do të ndikojë edhe në investimet që do të kenë nga buxheti i shteti, universitetet me performancën më të lartë.
Raporti përfundimtar pritet të publikohet në qershor të vitit 2017. /m.g