Durrës: Ndotja alarmante nga depozitat e ujit rrezikon shëndetin e qytetarëve
Në qarkun e Durrësit, në zonën e Shkëmbit të Kavajës si dhe pjesë të tjera të bregdetit, shumë pushues dhe banorë ankohen se nga rubinetat e çezmave vjen ujë i ndotur gjatë gjithë ditës. Nuk kanë munguar as problemet shëndetësore nga ky problem. Qytetarët thonë se nuk dinë ku duhet ta adresojnë shqetësimin e tyre.
Drejtoria Rajonale e Shëndetit Publik në Durrës thotë se monitoron çdo ditë cilësinë e ujit të pijshëm në 36 pika dhe deklaron se uji i pijshëm është brenda normave të konsumit.
Por ndërhyrjet në rrjet gjatë punimeve të ujësjellësit apo çarja e tubave, çojnë drejt depozitave të konsumatorëve ujë të ndotur. Të ekspozuara gjithashtu ndaj faktorëve të jashtëm, si dielli, reshjet apo dhe përmbytjet në rastin e depozitave të përbashkëta që ndodhen në katet e nëndheshme të pallateve të reja, depozitat kthehen në mbajtëse papastërtish, dherash dhe ngarkesash të tjera baktereologjike, që rrezikojnë shëndetin e konsumatorit.
Specialistët e shëndetit tërheqin vëmendjen edhe ndaj depozitave të betonit në pallatet e reja, të cilat në jo pak raste janë të paveshura me pllaka apo të palyera me lëndë hidroizoluese të posaçme për ujin e pijshëm e që e mbrojnë betonin nga veprimi gërryes i ujit.