Studentët e Durrësit padisin Bashkinë për djegien e plehrave në afërsi të universitetit

Ditën e djeshme, një grup studentësh të Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës, kanë depozituar një padi në gjykatë kundër Bashkisë së Durrësit, për të ndaluar djegien e plehrave në landfillin e Porto Romanos. Djegia e plehrave rrezikon jetën e banorëve në zonën përreth dhe të studentëve të dy fakulteteve, ambjentet e të cilëve ndodhen në një distancë 1 km larg landfillit.
Studentët kanë protestuar vazhdimisht kundër djegies së plehrave në landfill, një situatë qe vazhdon prej më shumë se 5 vitesh.
Dritare.net raporton se djegia e plehrave kryhet në kundërshtim të plotë me ligjin dhe me një urdhër të nxjerrë nga Ministria e Brendshme. Menjëherë pas ardhjes në detyrë, ministri i brendshëm Sandër Lleshaj raportohet se ka firmosur një urdhër të tillë që ndalon djegien në landfill.
Padia është depozituar në Gjykatën Administrative Durrës dhe e konsideron landfillin si të rrezikshëm për shëndetin, mjedisin dhe pronën. Disa ditë më parë studentët organizuan një tjetër protestë simbolike e cila sërish nuk solli një reagim nga institucionet vendore./k.j