17 Dhjetori – Dita Ndërkombëtare kundër Dhunës ndaj Punonjësve të Seksit
17 Dhjetori, është Dita Ndërkombëtare Kundër Dhunës Ndaj Punonjësve të Seksit. Në këtë ditë, punonjësit e seksit, mbështetësit e tyre, aleatët dhe aktivistë për të drejtat e njeriut, në të gjithë botën, bashkohen për të tërhequr vëmendjen e komunitetit të gjerë ndaj krimeve që lindin si pasojë e urrejtjes ndaj punonjësve të seksit.
Inisiativa për të dedikuar këtë ditë, ka ardhur nga Dr. Annie Sprinkle (punonjëse seksi/pornstar, e cila më vonë u bë seksologe) dhe “Sex Workers Outreach Project USA”, në vigjilje të përkujtimores në emër të 48 viktimave të vrarë nga “vrasësi” i “Green River” në Seattle Washington. Në 18 Dhjetor 2003, ky vrasës u dënua më burgim të përjetshëm dhe gjobë prej 10,000 dollarë për çdo viktimë të vrarë.
Që nga ajo ditë, në çdo 17 Dhjetor, organizatat e punonjëseve të seksit, në të gjithë botën, organizojnë aktivitete dhe aksione të ndryshme, për të rritur shkallën e njohjes në shoqëri që dhuna ndaj punonjësve të seksit ndodh çdo ditë. Fyerjet, kërcënimet, diskriminimi, dhuna fizike, përdhunimet e madje edhe vrasjet, janë pjesë e jetës së tyre të përditshme, për shkak të ekzistencës së ligjeve të dobëta, të cilat nuk I lejojnë punonjësit e seksit të denoncojnë dhunën. Niveli i lartë i stigmës dhe diskriminimit të vazhdueshëm ndaj punonjësve të seksit, bën që kjo dhunë të pranohet si normale.
Në Shqipëri, për herë të parë këtë vit, grupe aktivistësh dhe të punonjësve të seksit me mbështetjen e “Aksion Plus “dhe “Aleancës Kundër Diskriminimit LGBT” e njohin këtë ditë ndërkombëtare, për ndalimin e dhunës ndaj punonjësve të seksit, nëpërmjet organizimit të dy takimeve me punonjëset e seksit, për të folur rreth fenomenit të dhunës që hasin çdo ditë dhe mënyrave të parandalimit në të ardhmen.
Ata vizituan punonjësit e seksit që punojnë në rrugë, në Tiranë dhe shpërndanë fletëpalosje me rastin e kësaj dite ndërkombëtare dhe informuan rreth faktit pse është e rëndësishme që punonjësit e seksit në Shqipëri të nisin të luftojnë dhunën kundër tyre.
“Red Umbrella” – Çadra e Kuqe, është simboli ndërkombëtar, i lëvizjes për mbrojtjen e të drejtave të punonjësve të seksit.
Ngjyra e kuqe është simboli i dashurisë dhe çadra është simbol i rezistencës kundër Dhunës.
/l.k./