Marshime masive kundër antisemitizmit në Francë

Mijëra njerëz u mblodhën anembanë Francës pas një seri sulmesh anti-semite në javët e fundit, që kulmuan të martën me vandalizimin e dhjetëra varreve hebraike me kryqin famëkeq swastika dhe slogane anti-semite.
Udhëheqësit politikë nga të gjitha partitë, përfshirë ish-presidentët Francois Hollande dhe Nicolas Sarkozy, u mblodhën në Paris duke mbushur Place de la Republique, një simbol i kombit, për të kundërshtuar aktet antisemite me një slogan të përbashkët: “Mjaft!”
Të shumtë ishin gjithashtu qytetarët që marshuan në rrugët e qyteteve Lille, Toulouse dhe Marseille.
Presidenti Emmanuel Macron vizitoi në shenjë respekti, një nga 96 varret e përdhosur në fshatin Quatzenheim, afër qytetit lindor të Strasburgut.
“Kushdo që ka bërë këtë akt, nuk është i denjë për republikën franceze dhe do të dënohet”, tha ai, i pyetur nga gazetarët gjatë vizitës në varreza. Macron më vonë vizitoi memorialin kombëtar të Holokaustit në Paris me krerët e Senatit dhe të Asamblesë Kombëtare.
Franca është shtëpia e bashkësisë më të madhe hebraike në Evropë – rreth 550,000 – një popullsi që është dyfishuar që nga Lufta e Dytë Botërore, por sulmet anti-semite mbeten të zakonshme. Statistikat qeveritare të publikuara javën e kaluar treguan se kishte më shumë se 500 sulme anti-semite në vend vitin e kaluar, një rritje prej 74 për qind nga viti 2017.
Seria e sulmeve ka alarmuar politikanët dhe ka nxitur përpjekjet për veprim kundër urrejtjes dhe rracizmit, që duket të jetë shtuar vitet e fundit, dhe në diskursin politik në Francë./k.j
Burimi: Euronews