Përshallëzohen protestat në mbrojtje të demokracisë në Hong Kong
Prej disa ditësh, vëmendja e perëndimit është kthyer drejt Hong Kongut, ku vijojnë të përshkallëzohen protestat kundër ndërhyrjeve të Kinës, duke kërkuar më demokraci e liri në vendimmarrje.
Flamuri i kuq i provincës po zëvëndësohet kudo nga flamuri i zi i rezistencës, ndërkohë që përplasjet me policinë po shtohen, me qindra të arrestuar e të plagosur.
Ditën e hënë, protestuesit hynë me forcë në ambjentet e parlamentit të provincës, ku zëvëndësuan dhe aty simbolet e autonomisë nën Kinën me simbolet e mëparshme të përdorura gjatë sundimit britanik.
Zërat në rajon po shtohen për një ndërhyrje të mundshme ushtarake nga Kina, ndërkohë që ndërkombëtarët bëjnë thirrje për ulje të tensioneve dhe gjetjen e një kompromisi mes autoriteteve dhe protestuesve.
Shumë të rinj nuk ndihen të përfaqësuar nga institucionet aktuale, ato kërkojnë më shumë pavarësi dhe një drejtim të qartë të politikave drejt perëndimit.
E Hëna shënoi dhe 22 vjetorin e kalimit të qytetit nën administrimin e Kinës, por njëkohësisht flamuri i rezistencës u ringrit sërish pas 22 vitesh.
Qeveria e ka pezulluar ligjin që do të lejonte ekstradimin e të dyshuarve në Kinë, i cili ishte dhe shkaktar i protestave, por tashmë protestuesit duan që ai të shfuqizohet plotësisht dhe kërkojnë nga drejtuesja Carrie Lam që të japë dorëheqje.
Sipas gazetës amerikane The New York Times, qytetarët e Hong Kongut vazhdojnë të gëzojnë liri, për të cilat kinezët në pjesën tjetër të shtetit vetëm mund t’i imagjinojnë.
Në Hong Kong kanë lirinë e tubimit, media të lira dhe gjyqësor të pavarur, por, siç shkruan New York Times, pothuajse çdo ditë ka dëshmi të reja që këto liri po zhduken dhe territori po bie nën hijen e Pekinit.
Sipas Deklaratës së Përbashkët Britaniko-Kineze të vitit 1984, Kina është përgjegjëse për çështjet e jashtme dhe mbrojtjen, ndërsa përgjegjësitë e tjera i takojnë Hong Kongut.
Por, vitet e fundit, këto linja po mjegullohen, sidomos në fushën e drejtësisë dhe liria e mediave është gjithashtu në pikëpyetje.