Gratë aktiviste fitojnë çmimin “Roma Award 2019”, për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë

BRUKSEL – Komisioni Europian në një ceremoni zyrtare të martën, shpalli fituesit e Çmimit të Tretë të BE-së për Integrimin e Romëve në Turqi dhe Ballkanin Perëndimor.
Nisma daton që në 2014, ku çmimi i BE-së për integrimin e romëve për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë, synon të theksojë rëndësinë politike të integrimit të romëve në procesin e zgjerimit të BE, për të rritur rolin e aktorëve kyç si shoqëria civile, të rinjtë romë dhe këtë vit gratë rome, si dhe për të treguar gjithashtu vendosmërinë dhe angazhimin e BE-së për të rritur përfshirjen sociale të romëve.
Johannes Hahn, Komisioneri i BE për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, komentoi: “BE me çmimin e këtij viti, nderon gratë aktiviste rome, drejtueset e ndryshimit, angazhimi i të cilave kontribuon në promovimin e një shoqërie më gjithëpërfshirëse. Përparimi i udhëheqjes së grave dhe fuqizimi ekonomik, është një përparësi absolute për Bashkimin Evropian. Ne po promovojmë barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave në të gjitha aspektet e politikave tona brenda dhe jashtë BE-së, pasi kjo është në dobi të të gjithëve. Mbështetja jonë për minoritetet duke përfshirë gratë rome dhe fuqizimi i tyre është vendimtar për ndërtimin e shoqërive më të barabarta dhe të drejta”.
Nga rreth 10-12 milionë romë që jetojnë në Evropë, rreth 1 milion jetojnë në Ballkanin Perëndimor dhe rreth 2.8 milionë jetojnë në Turqi. Romët ndajnë një kulturë dhe histori të pasur, e cila është e lidhur pazgjidhshmërisht me Evropën. Por ata gjithashtu, janë përballur me një histori të gjatë varfërie dhe përjashtimi. Megjithëse janë qytetarë të barabartë, shumë prej tyre janë ende viktima të racizmit, diskriminimit, përjashtimit social dhe jetojnë në varfëri të thellë. Përmirësimi i përfshirjes së popullatës rome vazhdon të jetë një prioritet kyç për BE-në dhe integrimi efektiv është bërë një nga kushtet që vendet e zgjerimit duhet të përmbushin për t’u bërë një Shtet Anëtar.
Rreth Çmimit të Tretë të Integrimit të Romëve në BE
Çmimi i BE-së për Integrimin e Romëve të këtij viti “Aktivistet Gra – Heroina të panjohura” u dedikohet grave, aktiviste rome që sollën ndryshime të rëndësishme në komunitetet e tyre.
Prej 105 aplikimeve të paraqitura, 14 gra rome janë përzgjedhur për kontributin e tyre në përfshirjen, integrimin dhe fuqizimin e romëve në komunitetet dhe shoqëritë e tyre. Të propozuarat shpesh vënë veten në rrezik duke shërbyer si modele në thyerjen e traditave të rrënjosura.
Angazhimi i treguar nga këto gra të forta, ka ndikuar ndjeshëm në integrimin e romëve dhe duhet të frymëzojë përpjekjet e ardhshme për ta vazhduar punën e mirë. Duke nderuar këta persona, BE mbështet përpjekjet për të fuqizuar romët për t’u bërë anëtarë me të drejta të plota në shoqëri më të gjera. Fituesit morën shpërblime, të cilat do t’i ndihmojnë ata të vazhdojnë angazhimin e tyre në mbështetje të integrimit të romëve.
Ceremonia e ndarjes u zhvillua në kuadër të Javës së 4-t të Romëve në BE (18 – 21 mars 2019).
Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Politikave të Fqinjësisë dhe Zgjerimit të BE-së Christian Danielsson shkroi në Twitter se ai është nderuar të japë Çmimin e Romëve 2019 për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë. “Çmimi i këtij viti u është kushtuar grave aktiviste, drejtueseve të vërteta të ndryshimeve që avancojnë përfshirjen, udhëheqjen e grave, integrimin dhe fuqizimin e romëve në komunitetet e tyre”, shkroi Danielsson. Së pari, çmimi iu dha dy aktorëve të tjerë vendimtarë në integrimin e romëve: organizatat e shoqërisë civile rome dhe të rinjve romë. /l.k/
Burimi: Western Balkans