Të verbrit dolën ditën e sotme para godinës së Kryeministrisë, për të protestuar për të drejtat e tyre.
Protesta vjen në ditën ndërkombëtare të “Shkopit të bardhë”, duke kërkuar nga qeveria që të vihen në zbatim rekomandimet e OKB-së për të verbrit.
Ata janë shprehur se paga e tyre nuk është rritur që prej vitit 2009 nga qeveria, duke shtuar se shteti ka bërë vetëm indeksim.
Jo vetëm kaq por pagesat për personat me aftësi të kufizuar janë ulur, ndërsa reforma e qeverisë cënon të drejtat themelore, cënon arsimin, punësimin. Po ashtu, shoqata e të verbërve ka kërkuar që të shfuqizohet VKM 380 e qeverisë.

Vlerësimi nga Kombet e Bashkuara
Vlerësimi i bërë nga Kombet e Bashkuara për respektimin e të drejtave të PAK, është një dokument që në çdo rresht të tijin ka fjalën shqetësim.
Në një tryezë të rrumbullakët me përfaqësues nga Shoqatat e të verbërve, përfaqësues të institucioneve dhe politikës, u bënë publike të dhënat e raportit dhe rekomandimet e OKB.
Komiteti për Personat me Aftësi të kufizuara ngre shqetësimin për përjashtimin nga jeta publike të këtyre personave, për mungesën e masave specifike dhe të vlefshme të marra për të siguruar akses gjithëpërfshirës në sistemin e drejtësisë, të tilla si ndihma juridike falas, shërbimet juridike të aksesueshme dhe interpretët e gjuhës së shenjave në dhomat e gjyqit, stacionet e Policisë etj.
Sipas gjetjeve të OKB, përpjekjet e pamjaftueshme për të rishikuar legjislacionin ekzistues dhe për ta sjellë atë në përputhje të plotë me Konventën janë shqetësuese.
Në raport përmendet dhe mungesa e një mbështetjeje të rregullt dhe të qëndrueshme financiare për organizatat e personave me aftësi të kufizuara, veçanërisht në nivelin lokal, mungesa e një plani gjithëpërfshirës të veprimit kombëtar në zbatimin e ligjit për përfshirjen dhe aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuara, legjislacioni aktual që lejon privimin e lirisë, shtrimin e detyruar në spital dhe trajtimin e detyruar të personave me aftësi të kufizuara.
Komiteti është i shqetësuar gjithashtu për përjashtimin në praktikë të personave me aftësi të kufizuara nga jeta publike dhe vëren me shqetësim raportet e dhunës dhe abuzimit ndaj personave me aftësi të kufizuara dhe mungesën e masave efektive për kompensime.