Për shkak të projektit të ‘’Unazës së Madhe’’, prej mëse 5-muajsh, banorët e zonës së Bregut të Lumit, në Tiranë, kanë ndaluar prishjen e shtëpive të tyre me rezistencë fizike. Ata vazhdojnë të kundështojnë në këtë formë shkatërrimin e banesave të tyre, pasi projekti i ndërmarrë prej bashkisë, nuk parashikon asnjë zgjidhje të kënaqshme për banorët sa i përket strehimit të tyre në vazhdimësi.
Ditën e djeshme, është rikthyer vëmendja në këtë ngjarje, ku policia ka ndërhyrë dhunshëm sërish kundrejt familjeve që banojnë në atë zonë, duke shkaktuar përplasje të forta fizike. Ndërsa sot, ka vijuar gjithsesi aksioni i shembjeve të vendbanimeve të banorëve të zonës së Bregut të Lumit, me konfrontime fizike, nga ku janë dëmtuar si efektivë të policisë ashtu edhe banorë të zonës. Ofensiva e policisë ditën e sotme është rritur edhe më shumë, teksa i kanë nxjerrë familjarët me gaz lotsjellës prej shtëpive të tyre, siç raportohet nga Ballkanweb.
Duket se më pas janë afruar deputetë të opozitës në mbështëtje të banorëve, ku një pjesë e tyre veçse të dëmtuar fizikisht prej përplasjeve me policinë, disa janë shoqëruar edhe në komisiariat.
Deri më tash, mësohet se është rrëzuar njëra prej 28 shtëpive të mbetura për t’u shembur, që bëjnë pjesë në planin e ndërtimit të ‘’Unazës së Madhe’’. Ndërkohë që banorët vazhdojnë të bëjnë rezistencë për moslejimin e vazhdimit të shkatërrimit të pronave të tyre, ende nuk dihet fati i familjeve që preken prej këtij projekti, sa kohë nuk ka prononcim zyrtar për situatën e këtyre ditëve dhe qëndrimet e mëparshme mbeten evazive. /l.k/

