LGBTI: Dy sqarime për posterin dhe një pyetje për opozitën

Nga dita që njoftuam organizimin e Paradës së Krenarisë, që këtë vit do ta zhvillojmë në datën 18 Maj, kemi parë se si disa individë kontroversë të jetës publike ose disa portale mediatike pa kontakt e pikë referimi, e kanë keqpërdorur mesazhin e posterit zyrtar të këtij eventi.
Siç mund ta shikoni, në poster njoftohet dita, ora dhe vendi i eventit, ndërsa në dizajnin e tij janë përdorur flamujt karakteristikë të komunitetit LGBTI si dhe simbolika e marshimit. Aty ndodhet dhe slogani i këtij viti që është #MarshojmeEdhePerTy .
Parada do të zhvillohet në Tiranë dhe në poster, për ta theksuar që ky është një event tashmë i përvitshëm që ndodh në kryeqytet, kemi përdorur simbolet më përfaqësuese të Tiranës.
Mes këtyre simboleve, që i madh edhe i vogël i dallon qartë, janë monumenti “Nëna Shqipëri”, Piramida, Korpusi i Universitetit Politeknik të Tiranës, busti i Skënderbeut si dhe dy ndërtesat përfaqësuese të kultit, xhamia e Ethem Beut që është edhe një monument kulture, si dhe katedralja ortodokse “Ringjallja e Krishtit”, që është gjithashtu tashmë një pikë referimi urban.
Sigurisht që disa individë do të donin që ky të ishte një provokim. Në fakt, po këta individë do të donin edhe që ne të mos ekzistonim fare. Por na vjen keq që do duhet t’i zhgënjejmë, sepse jo vetëm që ekzistojmë dhe do ekzistojmë, por kemi vendosur që edhe mos heshtim më dhe mos lejojmë që jetën tonë ta kushtëzojnë njerëzit fanatikë dhe konservatorë. Ky, ku kemi vendosur të ndërtojmë jetën tonë, është edhe qyteti ynë.
Së dyti, konstatojmë me habi se si politika në Shqipëri vazhdon të qëndrojë indiferente ndaj çështjeve të të drejtave të njeriut. Qeverisë ia bëjmë të ditur vazhdimisht që ka dështuar të mbajë premtimet, por këtë herë do donim të dinim se cili është mendimi i opozitës për çështjet që kanë lidhje me LGBTI?
Më konkretisht, duke qënë se tani deputetët e opozitës kanë dalë nga Kuvendi dhe nga institucionet, a e kanë më të lehtë të na bashkohen në 18 maj, neve që kemi gjithë jetën jashtë institucioneve, e meqë qëllimet tona dhe të tyre bashkohen te fakti që synojmë të gjithë një Shqipëri më të mirë?
Aleanca Kundër Diskriminimit
Pro LGBT