Organizatat në mbrojtje të të drejtave të komunitetit LGBTI, Pro LGBT dhe Aleanca LGBT, në kuadër të projektit “Mendo Politikisht” kanë analizuar qasjet ndaj çështjeve të komunitetit LGBTI në programet e disa prej partive që do të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017.
Pasi bënë publike qëndrimet e partive PS, LSI dhe Libra, Pro LGBT dhe Aleanca LGBT na njohin këtë herë me qasjet e partive PD, PDIU, PR dhe PBDKSH.
Në njoftimin për shtyp thuhet se gjatë monitorimit të programit të këtyre partive vihet re mungesa e politikave për përfshirjen e komunitetit LGBTI si edhe qëndrimeve negative dhe alogjike si rastet e PDIU dhe Partisë Republikane.
Partia Republikane i klasifikon bashkëjetesat mes së njëjtës gjini si “kërcënim serioz i importuar nga vendet e tjera”. Madje vazhdon më tej duke mbrojtur martesën tradicionale me disa argumente të bazuara në hamendësime si “Fëmijët që rriten në familje të martuara kanë më shumë gjasa për të studiuar në universitete, janë fizikisht dhe emocionalisht më të shëndetshëm, kanë më pak të ngjarë të përdorin drogë ose alkool, të angazhohen në krim, ose të kenë shtatzëni jashtë martesës”.
Partia Republikane është e njohur më parë teksa ka kërkuar kriminalizimin e homoseksualizmit dhe e ka quajtur atë një formë drogimi, “Të ndalohet me ligj homoseksualizmi si përmbysje e senseve të natyrës njerëzore dhe i çdo propagande në favor të përhapjes se drogimeve të ndryshme”.
PDIU përmend si arritje të saj mbështetjen në mënyrë të pakufizuar për “Ligjin Kundër Diskriminimit”, por në objektivat e saj e përjashton ndalimin e diskriminimit për shkak të orientimit seksual. “Ndalimin e çdo lloj diskriminimi pavarësisht nga origjina, raca, seksi, gjuha, bindjet politike, arsimi, profesioni apo gjendja shoqërore”, thuhet në “Qëllimet” e PDIU.
E ndërsa Partia Demokratike ka një qëndrim më të distancuar, por teksa në rubrikën “Qëndrimet” të publikuar në faqen e saj zyrtare, përmend disa herë të drejtat e njeriut, nuk flet asnjëherë specifikisht për çështjet LGBTI. Në qëndrimet e PD mbi familjen vihen re nota të heteronormativitetit, ku qartësisht nënkuptohet mbështetja vetëm për familjet heteroseksuale.
Sa i përket PBDKSH, thuhet se në mungesë të informacioneve rreth statutit apo programit të kësaj partie, i vetmi informacion rreth qëndrimeve të saj ndaj çështjeve me rendësi për komunitetin LGBT janë deklaratat publike të kryetarit Ndocaj. Gjatë një interviste televizive, ai ka shprehur qartësisht kundër komunitetit LGBT duke vazhduar më tej me një fyerje ku i krahasonte me një targë makine.
Shkrimi i plotë: Mendo Politikisht