Nis seria e aktiviteteve për të drejtat e komunitetit LGBT+ dhe kundër homofobisë

“Pride” titullohet filmi i cili do të shfaqet pasditen e sotme në orën 19.00 pranë qendrës sociale “Logu i Shkëndijës”. Ky film është prodhim i vitit 2014, i cili tregon për ngjarjet e vërteta të vitit 1984 në Britaninë e Madhe dhe përpjekjet kundër politikave liberale të zonjës së hekurt, Thatcher. Pride, qendërzon solidaritetin midis minatorëve dhe komunitetit LGBT asokohe, duke theksuar rëndësinë e marrëdhënies së ndërsjelltë midis këtyre komuniteteve në arritjen e të drejtave të tyre.
“Filmi thekson më së miri problemet sistemore dhe politikat e mbrapshta liberale dhe sesi lufta për emancipim shoqëror nuk mund të shihet ndryshe veçse si front i përbashkët veprimtarie. Pas filmit do të diskutojmë për problemet dhe nëpërkëmbjen shoqërore që përjetojnë komunitete të ndryshme të margjinalizuara dhe mundësitë për të bashkërenduar forcat në aktivitete e manifestime për dinjitet shoqëror dhe të drejtat e munguara”, përshkruhet në eventin e hapur në facebook.
Aktivisti Irdi Ismaili, nënvizon se në Logun e Shkëndijës sapo është çelur seria e aktiviteteve kundër homofobisë duke shpresuar t’i shërbejë edhe ndërgjegjësimit të shoqërisë për të drejtat e komunitetit LGBT+. “E nisim me një film të fuqishëm që na tregon se betejat janë së pari sistemore, prandaj si të tilla duhen luftuar së bashku. Javëve në vijim do të organizojmë aktivitete të tjera; shfaqje dokumentarësh, ligjërime e diskutime të hapura në lidhje me këtë tematikë, duke shpresuar se evente të tilla do t’i shërbejnë për mirë ndërgjegjësimit dhe emancipimit shoqëror për të drejtat e njeriut.”
“Prandaj ftojmë në Logun e Shkëndijës çdokënd që e ka të lirë së paku një pasdite në javë, për të marrë pjesë në këto aktivitete ndërgjegjësuese mbi të drejtat e një prej komuniteteve më të diskriminuara në Shqipëri, siç është ai LGBT+”, vijoi Irdi.
/l.k/
Si më poshtë linku i eventit: https://www.facebook.com/events/1215915278589430/