Tanzania fillon një fushatë përndjekjeje për personat e komunitetit LGBT

Zyrtarët e Tanzanisë kanë krijuar një grup pune që synon gjetjen dhe ndëshkimin e personave të komunitetit LGBT.
Qindra aktivistë LGBT në Tanzani janë fshehur pasi u njoftua vendimi i autoriteteve vendore. Paul Makonda, kreu administrativ i kryeqytetit Dar es salam, tha se kishte ngritur një ekip me efektivë të policisë, që do të merrej me iidentifikimin e homoseksualëve dhe dënimin e tyre në burg, në kuadër të rritjes së retorikës diskriminuese kundër LGBT.
Në një intervistë të postuar në YouTube, Makonda kërkoi që tanzanianët të raportonin njerëzit homoseksualë dhe se deri tani kishte marrë më shumë se 5,700 raportime nga publiku, duke përfshirë më shumë se 100 emra.
Një aktivist LGBT, deklaroi për The Guardian në kushte anonimiteti se: “Autoritetet kanë nisur kontrollin dhe bastisjen e shtëpive. Është një gjë e tmerrshme dhe gjendja do të përkeqësohet. Shumë njerëz po largohen nga qyteti. Ata janë duke shënjestruar aktivistët, duke thënë se po promovojmë homoseksualitetin. Duhet të fshihemi. ”
Një aktivist tjetër në qytet e përshkroi atmosferën si “sezon gjuetie për njerëzit homoseksualë” dhe njoftoi se listat e emrave po publikoheshin në rrjete sociale. “Mund të imagjinoni se çfarë po ndodh në familjet e personave që kanë emrin në listë,” tha ai.
Ministria e jashtme e Tanzanisë ka thënë se fushata e Makonda përfaqëson pikëpamjet e tij personale dhe jo qëndrimin zyrtar të qeverisë. Por zyrtarët kanë mbështetur vazhdimisht një sërë masash homofobike që kur John Magufuli u bë president në vitin 2015 në një platformë anti-lgbt.
Grupet e mbrojtjes së të drejtave të njeriut kanë akuzuar Tanzaninë për ndjekjen e një “rruge të rrezikshme”. Vendi gjithashtu përballet me kritika në rritje lidhur me abuzimet në të tjera fusha të të drejtave të njeriut./ k.j