Eurodeputetja e parë shqiptare në Parlamentin Evropian

Zgjedhjet e ditëve të fundit për Parlamentin Evropian panë dhe një numër të konsiderueshëm të kandidatëve me origjinë shqiptare, që garojnë për siglat e partive të ndryshme në disa vende të BE-së.
Në Suedi, Greqi dhe Itali pati disa kandidate për eurodeputete me origjinë shqiptare dhe sipas rezultateve paraprake në Suedi, njëra prej kandidateve, Arba Kokalari ka fituar tashmë vendin e saj në Parlamentin Evropian.
Arba Kokalari është mbesa e disidentes Musine Kokalari dhe përfaqëson Partinë e Moderuar suedeze, pjesë e familjes së Partive Popullore Evropiane. Partia e saj arriti të fitojë 17.6% të votave dhe 4 deputetë në Parlamentin Evropian.

Prej gati 12 vitesh Arba Kokalari është angazhuar pranë partisë së Moderuar, duke udhëhequr grupet rinore të saj me fokus kulturën dhe aktivitetet rinore. Ajo ka punuar si Sekretare Ndërkombëtare e Rinisë dhe gjithashtu ka qenë e angazhuar në departamentin e kulturës në qytetin e Stokholmit, ku është zgjedhur dhe si këshilltare pranë kësaj Bashkie.
“Shtysa ime e madhe ka qenë gjithnjë dëshira që të kontribuoj për një botë më të mirë, më të drejtë dhe të lirë. Lufta kundër shtypjes së popujve dhe njerëzve nëpër botë ka qenë një tjetër kauzë, që më ka ngacmuar gjithnjë për t’u përmirësuar. Fakti që unë jam nga Shqipëria, e bën këtë shtysë më të qenësishme dhe kuptimplotë. E di fare mirë që demokracia dhe liria nuk falen. Këto janë vlera, të cilat ne duhet t’i mbrojmë dhe t’i promovojmë çdo ditë.”, ka deklaruar ajo në një intervistë të vitit të shkuar për gazetën Panorama.
Unë dua ta shoh europarlamentin më të fortë. Do të flasë bindshëm si zëri i të rinjve dhe që ka dëshirë të ndërtojë ura bashkëpunimi midis europianëve, nga veriu në jug, e nga lindja në perëndim. Jam e vendosur në këtë angazhim, në mënyrë që të bëj ndryshimin që duam.
Kokalari pritet të jetë një nga zërat më të rinj të parlamentit të sapozgjedhur evropian i cili në këtë mandate pritet të udhëhiqet nga forca liberale dhe progressive, duke bërë të mundur reformimin e mëtejshëm të Bashkimit Evropian dhe politikave që ndiqen prej tij. /k.j