Politikanët gjermanë kërkojnë ndarjen e azilkërkuesve sipas fesë
Politikanët gjermanë duan t’i ndajnë azilkërkuesit sipas fesë. Shkak për këtë janë kthyer konfliktet e përsëritura në qendrat e azilit mes të krishterëve e myslimanëve. Policia e përkrah veçimin në bazë të fesë.
Në disa qendra azili në Gjermani, ka patur incidente dhe përplasje masive mes azilkërkuesve. Për këtë çeshtje ka patur reagime si nga sindikata e policisë gjermane ashtu edhe nga politika vendase, për të bërë një ndarje të azilantëve në bazë të fesë.
Në një deklaratë për agjencinë katolike të lajmeve, kreu i Këshillit të të Krishterëve Orientalë, ka thënë se të krishterët dhe jezidët po kërcënohen gjithnjë e më shumë nga islamistët dhe myslimanët konservatorë në qendrat e azilit. Sipas gazetës “Ëelt am Sonntag” një refugjat i krishterë iranian ishte shprehur se kishte frikë të thoshte se ishte i krishterë “sepse atëherë kërcënohem”.
Edhe sindikata e policisë gjermane ka kërkuar një ndarje të refugjatëve në bazë të fesë. “Ne duhet të bëjmë gjithçka që të pengojmë shpërthimin e konflikteve të reja”, ka thënë zëvendëskryetari i kësaj sindikate, Jörg Radek për gazetën “Die Ëelt”. Sipas tij, problematikat në akomodimin e azilkërkuesve sjellin konflikte edhe për raste banale.
Pas njoftimeve në media për konflikte fetare në qendra azili janë rritur edhe reagimet nga politika, politikanë të unionit qeverisës të CDU-CSU-së kanë kërkuar ndarjen e refugjatëve të krishterë e myslimanë nga njëri-tjetri. Zëvendëskryetari i fraksionit të Unionit, Hans-Peter Friedrich ka thënë se “është e trishtueshme që me sa duket duhet bërë një ndarje e reufgjatëve në bazë të prejardhjes.” dhe ka kërkuar nga shoqatat myslimane në Gjermani “respekt për shtetin ligjor gjerman dhe kulturën nga myslimanët që vijnë në vend.”
Edhe kryetari i fraksionit të Unionit CDU/CSU, ka kërkuar që shoqatat myslimane të distancohen qartësisht nga sulmet kundër të krishterëve.
Ndërsa politikani gjerman me origjinë turke, Cem Özdemir i të Gjelbërve ka kërkuar mbrojtje më të mirë të të krishterëve, jezidëve dhe pakicave të tjera fetare në qendra azili, duke thënë se vërtet që Islami është pjesë e Gjermanisë tani, por jo islamizmi.
Me ndarjen e refugjatëve në bazë të fesë nuk është dakord kryeministri i landit të Turingjisë, Bodo Ramelov. Sepse sipas tij myslimanët mjaft konservatorë duhet të mësojnë të jetojnë edhe me fe të tjera.