Prishen marrëdhëniet mes Top Channel dhe Ramës?
Faqja Lapsi.al që drejtohet nga Armand Shkullaku, i njohur për afërsinë e tij me TV Klan dhe i njohur edhe për opozitën ndaj kryeministrit Edi Rama boton një shënim ku pretendon se Vjollca Hoxha, bashkëshortja e themeluesit të Top Channel, mund të jetë në një moment konflikti me kryeministrin.
Sipas lapsi.al, bëhet fjalë për një projekt për rregullimin e parkingjeve publike në kryeqytet e që znj. Hoxha mund të ketë dashur të hyjë në marrëdhënie bashkëpunimi me kunatin e Lulzim Bashës e me persona pranë familjes Berisha.
“Një zot e imagjinon sesa mund të tmerrohej Rama nga një ngjizje e tillë”, shkruan lapsi.al.
Dhe vijon:
“Ndaj ai (Rama) ka marrë masat për të vepruar shpejt. Fillimisht ka kontaktuar vetë disa pronarë mediash për të kuptuar nëse në këtë aferë ishte bërë ndonjë bashkim shumë medial për ti bërë presion qeverisë (ashtu sikurse ka ndodhur edhe në raste të tjera) apo bëhej fjalë vetëm për interesat e Top-it. Dhe kur është siguruar për të dytën ka vendosur ti thotë jo projektit”.
Sipas lapsi.al, të tjerë aksionerë nuk e përkrahin znj. Hoxha por vazhdojnë të përkrahin Ramën.
Shkruan lapsi.al në këtë shkrim pa autor se: “I bindur se top medias i kishte bërë një dhuratë shumë të madhe duke emëruar sipas preferencave të saj kreun e ri të AMA, Gentian Salaj, Rama mendonte se e kish larë një pjesë të borxhit. Ai kish qenë nën presion të madh për të caktuar kreun e entit rregulluest të frekuencave dhe të dhënies së liçencave televizive. Në njërën anë ai e dinte se me këtë vendim, ai do të bënte të pakënaqur TV Klanin, i cili e kish kontrolluar AMA-n gjatë tetë viteve të pushtetit të Berishës. Por ai e dinte se gjithashtu, të pakënaqur do të bënte edhe Vizion Plus-in, i cili për shkak të luftës vllavrasëse Tring-Dixhitalb, po lobonte fuqishëm për ta kontrolluar vetë këtë post. E megjithatë mes interesit të dy mediave që e kishin mbështetur, Rama vendosi të anonte nga Top-i. Dhe me këtë mendonte se e lau një pjesë të “borxhit”, por më kot”.
Më tej:
“Dhe kur ai ka vendosur ti thotë jo projektit të vjeljes së parave të parkingjeve të Tiranës, është krijuar çarja e parë mes tij dhe gruas të Dritan Hoxhës. Më kot Rama është rekur të argumentojë se ai nuk ka asgjë me bizneset e saj, por ai nuk mund tia bëjë këtë nder edhe njerzve të Bashës. Më kot i është lutur të presë edhe disa kohë, sapo socialistët të marrin edhe bashkinë e Tiranës pas zgjedhjeve e pastaj ky biznes do të bëhej i saji. çarja tashmë ishte konsumuar. Dhe pasojat e kësaj çarjeje kanë filluar të ndihen. Menjëherë pasi është bindur që Rama po e pengon këtë biznes, zonja Hoxha ka vendosur ashpërsimin e linjës antiqeveritare në televizionin që ajo drejton. Dhe këtu problemi ka kaluar nga një problem mes medias dhe pushtetit, në një çekuilibrim të raporteve brenda vetë medias më të madhe në vend.
Sepse Vjollca Hoxha që ka dhënë këtë direktivë, ka hasur në rezistencë të menjëhershme. Rezistenca e parë i ka ardhur nga bashkëpronarët e tjerë, shokët e Tanit, të cilëve ky i fundit, në të gjallë i ka dhënë aksionet. Më largpamës dhe të papërfshirë nga edhet e biznesit momental të parkingjeve të kryeqytetit, ata kanë bërë llogaritë: së pari Top channel nuk fiton gjë nga biznesi personal i zonjës Hoxha. Së dyti një kthim kursi kundër qeverisë do ti prishte shumë punë Topit, sepse nga kjo mund të fitonin menjëherë mediat konkurente që janë të gatshme ti servilosen çdo pushteti. Por, direktiva e Vjollca Hoxhës, e cila ka thelluar edhe më luftën e ftohtë të pronësisë të Top Channel, ka hasur edhe në rezistencën e gazetarëve. Shumë prej tyre që nga koha e opozitës kanë krijuar lidhje të forta me socialistët. Disa reporterë të lajmeve marin urdhëra drejtëpërdrejtë nga zyra e kryeministrit”.
Lexoni të plotë këtë shkrim këtu: