Shqiptarët rrezikojnë edhe jetën për të shkuar në Angli; Kapet kamioni me 50 emigrantë shqiptarë
Më shumë se 50 emigrantë të paligjshëm shqiptarë, janë zbuluar në pjesën e prapme të një kamioni me targa hungareze në zonën The Humber Sea Terminal në Killingholme, Angli.
Kamioni që ishte regjistruar sikur transportonte perde, u kap në mëngjes nga forcat kufitare. Sipas informacioneve, të 50-të emigrantët gjendeshin në pjesën e prapme të kamionit. Mes tyre, ishte edhe një grua shtatëzënë e cila është transportuar direkt për në spital.
Komandanti i Forcave Kufitare për rajonin Humber, Mark Robinson, tha se përveç gruas shtatëzënë që ishtë dërguar menjëherë në spital, pjesa tjetër e emigrantëve gëzojnë shëndet të mirë.
Komandati tha gjithashtu se kamioni vinte nga një traget, nga Hollanda dhe se kjo ishte një histori e përsëritur, pasi vetëm një javë më parë, kishin zbuluar një tjetër kamion me 68 emigrantë brenda.
Sipas mediave angleze, të cilat kanë hetuar trafikun e emigrantëve shqiptarë drejt Anglisë, mesatarisht shuma për të mbërritur në Angli që kërkohet nga trafikantët varion nga 6 dëri në 7 mijë euro. Kryesisht trafikimi zhvillohet me kamionë nga portet e Holandës apo Belgjikës, përfshi Francën, nga ku trafikantët marrin me qera jahte me të cilat dërgojnë emigrantët drejt brigjeve angleze.