Ditët e kujtesës: Kampi i Tepelenës “famëkeqi” i diktaturës vjen në formatin 3D

Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit publikoi sot një video që ilustron në formatin 3D Kampin famëkeq të Tepelenës. Në kuadër të ditëve të kujtesës, kjo video solli një rikrijim të kampit të vdekjes dhe është muzeu i parë virtual mbi burgjet dhe kampet komuniste.
Në sfond dëgjohen dëshmitë gojore të vetë të dënuarve politikë, të cilët arritën ti mbijetonin trajtimit çnjerëzor që iu bë në këtë kamp. Disa prej këtyre dëshmive janë ato të figurave si: Aziz Ndreu, Simon Mirakaj dhe Klora Mirakaj, Kurt Kola, Lek Pervizi, Vasil Kokali, Qamil Merlika. Videoja ka ardhur si një bashkëpunim i frytshëm midis regjisorit Elton Baxhaku, skenaristja Luljeta Lleshanaku si dhe animacionit 3D të zhvilluar prej Klit Burda.
Pak historik
Kampi i Tepelenës ka funksionuar në vitet 1949 – 1953. Kampi i Tepelenë u identifikua me dy numra, 4 dhe 6. Ai grumbulloi një numër të madh fëmijësh, duke e bërë regjimin komunist krejt origjinal në krejt Lindjen komuniste, pasi asnjë regjim tjetër nuk kishte treguar këtë egërsi ndaj fëmijëve.
Internimi në kampe telash me gjemba gjatë diktaturës komuniste është vuajtja e dënimit në periudhën 1945 – 1953 në vende të përcaktuara si të tilla. Kampet ishin vende të mbyllura, të ruajtura me policë. Në to u sollën familjarët e të dënuarve, arratisurve dhe ushtarakëve dezertorë. Vdekshmëria e madhe e fëmijëve në kampin e Tepelenës, por edhe nevoja për të konsoliduar institucionin e internimit solli mbylljen e dy kampeve të fundit me tela me gjemba në fund të vitit 1953.
Kampi i Tepelenës fitoi nam të keq në arenën ndërkombëtare, madje duke zënë vend në raportin e Qeverisë Amerikane paraqitur në OKB në shkurt 1955.
/k.m/
Burimi: Arkiva Online e Viktimave të Komunizmit në Shqipëri