Të braktisura nga shteti, Anxhela dhe Fatimja mbështeten tek njëra-tjetra për mbijetesë
Edhe pse jeta nuk është e lehtë për të, transgjinorja Anxhela mundohet të ndihmojë edhe të pastrehët e tjerë. Për Anxhelën dhe Fatimen, shtëpia në këto ditë të ftohta dimri është lulishtja para Parlamentit, e krevati, stolat e lulishtes.
Fatimja është nënë e 5 fëmijëve, me të cilët i ka humbur kontaktet që prej vitit 2003. Ajo thotë për Report TV se djemtë i ka në Greqi ndërsa një vajzë të martuar në Fier dhe asnjëri nuk do t’ia dijë për të. Fatimja dhe Anxhela ndihmojnë njëra – tjetrën. Prej dy vitesh Fatimja ka humbur shikimin dhe gjatë ditës lyp në rrugët e Tiranës, ndërsa Anxhela kujdeset për të. Ajo thotë për Report TV se e mban afër e kujdeset për Fatimen sepse është e moshuar dhe e sëmurë.
“Një natë ishte sëmurë dhe lajmërova ambulancën. Erdhën deri këtu, pastaj nisën të tallen. “Pse thanë me endacakët e rrugëve do merremi ne”, tha një doktor”, tregon Anxhela për Report TV.
Për Fatimen, Anxhela është i vetmi person që ka familje dhe kujdeset për të sot. “Ditën unë dal e lyp se jam e verbër dhe nuk mund të punoj. Dhe për mua të rrojë e të mbretërojë Anxhela Hoxha se derisa të kem frymë unë, nuk ka për të punuar natën Anxhela”, thotë Fatimja.
Strehimi ka qenë prej kohësh problem për Anxhelën. Me gjithë ndihmën e organizatës Aleanca LGBT për të marrë me qira një shtëpi, deri tani ka qenë e pamundur. Xheni Karaj, aktiviste për të drejtat e komunitetit LGBT, shpjegon se edhe pse kanë siguruar lekët për të paguar qiranë, njerëzit nuk pranojnë.
“Na është premtuar nga bashkia Tiranë që për muajin Dhjetor do të merret një vendim për bonusin e qirasë. Ndërkohë për të mos pritur më gjatë se është edhe dimër, ne kemi filluar tashmë të kërkojmë për një banesë por jemi ndeshur me vështirësi pasi pronarët apo e marrin vesh për kë e duam banesën, nuk duan që ajo të strehohet aty”, thotë Karaj. /m.g/
Burimi/ Shqiptarja.com