Totozani letër KQZ-së: “Shfuqizoni vendimin për kasetat e partive gjatë fushatës”
Avokati i Popullit, Igli Totozani i ka dërguar një rekomandim Kryetarit të KQZ-së Denar Biba, ku kërkohet shpallja e pavlefshmërisë absolute për vendimin e KQZ-së që i detyron mediat të transmetojnë “materialet e vëna në dispozicion nga subjektet zgjedhore gjatë fushatës”.
Sipas Avokatit të Popullit, ky vendim përbën ndërhyrje të qartë të KQZ-së në lirinë e shprehjes së medias që garantohet me kushtetutë.
“Ndërhyrja e shtetit përmes vendimmarrjes së KQZ-së cenon hapur lirisë e shprehjes, në kundërshtim të dukshëm edhe me dispozitat e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Ky kontroll i partive politike mbi politikat editoriale, ndonjëherë madje i kamufluar nën petkun e lirisë dhe të drejtave të drejtorit të programit zgjedhor për të zgjedhur të ftuarin në program, çoi në mungesën e zërave dhe mendimeve që mund të konsideroheshin si kritike, apo të pavolitshme për preferencën politike të një kanali të caktuar televiziv”, thuhet në deklaratën e Avokatit të Popullit.
Totozani: Votimi i këtij akti është i pavlefshëm
Votimi për këtë akt është ezauruar nga 4 anëtarë të KQZ, kjo për shkak të dorëheqjes së dhënë nga tre anëtarët e tjerë në kohën e nxjerrjes së këtij akti. Totozani thotë se edhe pse 4 anëtarët janë shprehur “pro”, nuk është plotësuar dhe respektuar proceduralisht kuorumi i nevojshëm prej 5 anëtarësh votues dhe miratues të aktit, siç përcaktohet në gërmën “d”, të pikës 1, të nenit 24, të Kodit Zgjedhor, të Republikës së Shqipërisë”.
Përpos trajtimit ligjor të pavlefshmërisë absolute së këtij akti administrativ, duhet të kuptojmë se, në rast se liria e shprehjes zhvishet nga e vërteta dhe thelbi informues, atëherë ajo diskreditohet në sytë e publikut dhe roli i saj publik, i dëshiruar nga të gjithë asnjanësohet”- thuhet më tej në deklaratën e Avokatit të Popullit.