Ditën e nesërme fillon zyrtarisht procesi i zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit e më masivet përsa i përket të drejtës demokratike të ushtrimit të votës.
Rreth 427 milionë qytetarë të vendeve të Bashkimit Evropian janë thirrur në kutitë e votimit, ndërkohë që ditët e fundit kanë qenë vendimtare për grupimet parlamentare e politike të BE. Rritja e frymës populiste në këto zgjedhje është shqetësuese, por përballë partive populiste qëndron dhe një koalicion më i madh liberalësh e partish kryesisht të qendrës, të cilët po përpiqen të fuqizojnë pozitat e tyre në parlament.
Sondazhet parashikojnë se partia e Presidentit Francez Emmanuel Macron do të bashkohet me grupimin liberal në Parlament duke shtuar ndjeshëm numrin e deputetëve që do i përkasin këtij grupi. Partitë Popullore Evropiane pritet të shënojnë humbje, por sërisht mendohet se do të dalin forcë e parë, ndërkohë që rritje pritet të shënojnë dhe euro-skeptikët dhe populistët.
Populistët pritet të fitojnë terren
Ministri i Brendshëm italian Matteo Salvini, i cili retorikën e tij e ka të fokusuar te frenimi i emigracionit drejt vendeve të BE-së dhe një distancim nga autoriteti qendror i Brukselit, javët e fundit ka udhëhequr përpjekjet për krijimin e një koalicioni populist euro-skeptik me qëllim fuqizimin e qëndrimit të tyre në parlamentin që pritet të dalë nga këto zgjedhje. Gjatë një vizite të para disa ditëve në Hungari, ai u takua me Kryeministrin Viktor Orban dhe së bashku vizituan një pjesë të kufirit jugor të Hungarisë, të rrethuar me gardhe të lartë e tela me gjemba në përpjekje për të ndaluar valët migratore drejt këtij vendi.
Por dhe pse të shumtë në numër, fryma populiste po ndeshet me kritika të shumta. Skandali i fundit i zëvëndës kancelarit të Austrisë me shumë gjasa do të dobësojë disi pozitat e tyre.
Manfred Weber, kryekandidati konservator dhe përfaqësues i PPE në zgjedhje, gjatë një takimi elektoral në Zabreb tha se skandali austriak ka arsyetuar qëllimin e tij që të mos kërkojë mbështetetjen e partive të ekstremit të djathtë në garën e tij për president të Komisionit të BE-së.
I pytetur për mendimin e tij mbi skandalin austriak, Weber deklaroi se “… e djathta ekstreme dhe populistët janë të gatshëm të shesin patriotizmin e tyre dhe vlerat e vendit të tyre për përfitime tjera”.
Gjithashtu Partitë Popullore Evropine në muajin mars pezulluan nga grupi i tyre partinë Fidsez të Viktor Orban, pas kritikave që ai bëri drejt Brukselit dhe situatës së përkeqësimit të të drejtave të njeriut në Hungari.
Politkat e gjelbra dhe rozë
Terren kanë fituar dhe partitë e gjelbra dhe ato të qendrës së majtë, të cilët promovojnë politkat liberale për mbrojtjen e mjedisit, të drejtave të grave dhe të njeriut në përgjithësi. Kandidatët e partive të gjelbra dhe atyre liberale, po grupohen dhe po arrijnë të sigurojnë mbështetjen në masë të të rinjve, të cilët për të parën herë pritet të shtojnë pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje.
Një grupim deputetësh aktualë të Parlamentit, hartuan dhe një program për të drejtat e grave dhe për mbrotjen e tyre nga seksizmi dhe pabarazia. Ndryshe i quajtur si zotimi #MeToo, kjo deklaratrë u nënshkrua vetëm nga një numër i kufizuar eurodeputetësh, duke sjellë kritika të ashpra në rrjete sociale kundër shumicës së kandidatëve që këto çështje as nuk i përmendin në programet e tyre elektorale.
Kandidatët që kanë nënshkruar, duke u zotuar për të luftuar seksizmin dhe ngacmimin seksual, përbëhen në shumicën më të madhe nga anëtarë të të Gjelbërve, socialistëve të qendrës së majtë apo ekstremit të majtë, zbulon një analizë nga EUobserver.
Premtimi u krijua nga stafi femëror i Parlamentit Europian që qëndron prapa lëvizjes #MeTooEP përpara zgjedhjeve të Parlamentit Evropian.
Artikuj të rekomanduar
Vala e politikave konservatore në shtetet me qeverisje të djathtë, ka ndezur sërish vatra debati e rezistence sa i përket të drejtës së grave për abort të sigurtë.
Irlandë – Akti për abortin në vitin 1967, e legalizoi abortin në Mbretërinë e Bashkuar, por asnjëherë nuk u aplikua në Irlandën e Veriut.
Referendumi mbi abortin, u nënshkrua më 18 shtator 2018, nga Presidenti Michael Higgins, i cili hoqi dhe amendamentin kontraversal nga ligji. Amendamenti i Tetë, i mbetur në fuqi prej shekullit të 19-të, sipas tij, duhej që mijëra gra të udhëtonin në Mbretërinë e Bashkuar, për të abortuar. Një pjesë e konsiderueshme e tyre, porosisnin në internet pilula aborti që vinin nga jashtë.
Por ende ka shtrëngesa të tjera në Irlandën e Veriut, e cila përgjithësisht konsiderohet më konservatore sesa pjesa tjetër e Mbretërisë së Bashkuar. Gjatë fazës së referendumit, Irlanda u përshkrua nga polemika të mëdha, duke e ndarë në argumente pro dhe kundër, të gjithë vendin.
Alabama – Qindra protestues kanë marshuar këtë të dielë në Alabama, për të protestuar kundër ndalimit të abortit, nën thirrjet “trupi im, zgjedhja ime!” dhe “votoni PO!”
Protesta erdhi disa ditë pasi guvernatori Kay Ivey nënshkroi ligjin më të rreptë për ndalimin e kryerjes së abortit dhe sanksionimin e tij, si një vepër penale, ku në pothuajse të gjitha rastet nuk është i nevojshëm për shëndetin e nënës. Sakaq, ligji nuk ofron përjashtim për rastet e përdhunimit apo incestit.
Alabama është pjesë e një grushti shtetesh konservatore, që kërkojnë të ngrenë sfida të reja ligjore ndaj Roe v. Wade, vendim i gjykatës Supreme të vitit 1973, që legalizoi abortin mbarëkombëtar. Guvernatorët në Kentaki, Misisipi, Ohajo dhe Gjeorgji kanë aprovuar ndalimin e abortit kur zbulohet një rrahje zemre e fetusit, gjë që mund të ndodhë që në javën e gjashtë të shtatzënisë.
Asnjë nga ligjet nuk ka hyrë në fuqi dhe të gjitha priten të shqyrtohen nga gjykatat, pasi sfidat ligjore luajnë me një rol përfundimtar në Gjykatën e Lartë.
Marshuesit, thanë se këto masa shtrënguese, kanë ndërsyer mbështetësit e abortit të legalizuar duke bërë ç’është e mundur për të nisur një betejë ligjore dhe politike. Në tubimin marshues, dy folëse treguan historitë e tyre mbi abortin, ndër të tjera edhe një grua e cila doli nga turma për të përshkruar abortin që ajo kishte bërë në moshën 18-vjeçare, pasi e kishin përdhunuar në një festë.
“Kam pasur miq që kishin kryer aborte të paligjshme dhe mezi mbijetuan”, tha Hall, i cili për një kohë të gjatë ka drejtuar një klinikë në Montgomeri që ofronte abort, kontroll të lindjes dhe shërbime të tjera. “Ende nuk mund ta besoj të gjithë këtë. Është me të vërtetë një kohë e frikshme për të gjithë”, vazhdoi ai gjatë manifestimit kundër nismës për ndalimin e abortit ligjor.
Demonstrata të ngjashme, ditën e dielë, u mbajtën gjithashtu edhe në Birmingam dhe Hansvill.
Trump – Ndërkohë, Donald Trump presidenti i SH.B.A-ve, tenton të justifikojë politikat e djathta amerikane dhe njëkohësisht veten nëpërmjet një postimi në twitter: “Siç e dinë, shumica e njerëzve dhe për ata që duan të dinë, unë jam me çdo kusht pro-jetës, me tri përjashtime – përdhunimi, incesti dhe mbrojtja e jetës së nënës – i njëjti pozicion që ka mbajtur dhe Ronald Reagan”.
Megjithatë, ky reagim ka ardhur më shumë si përpjekje për t’u distancuar nga ligji i ri i Alabamës, duke i kërkuar Gjykatës së Lartë të ndalonte abortet edhe për viktimat e përdhunimit dhe incestit. Mirëpo, tanimë nuk ka rëndësi se çfarë mendon Trump – dhe jo vetëm për shkak se ndalimi i Alabama është nënshkruar tashmë në ligj, – por se sigurisht që Trumpi ka pasur influencën e tij, që Alabama mori atë vendim.
Ditën e djeshme nën moton “Më trajto dinjitetshëm”, organizata të shoqërisë civile dhe aktivistë për mbrojtjen e viktimave të dhunës seksuale, marshuan në Prishtinë në mbështetje të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës së Kosovës.
Marshimi në mbështetje të grave të dhunuara është mbajtur edhe si protestë dhe mospajtim me publikimin e një fotografie me pamje të rënda grafike nga ana e deputetes së Kuvendit të Kosovës, Flora Brovina, raporton Radio Evropa e Lire.
Fillimisht, deputetja Brovina pretendonte se me këtë fotografi po paraqiste dëshmi të dhunës seksuale ndaj një gruaje 35 vjeç nga Kosova nga ana e disa ushtarëve të Ushtrisë së Serbisë gjatë luftës së fundit, por më vonë doli të jetë një fotografi e falsifikuar, e cila me gjasë, ishte marrë nga një faqe interneti me përmbajtje pornografike.
Publikimi i fotografisë nga deputetja Brovina ka shkaktuar dëm shumë të madh ndaj shoqërisë kosovare dhe punës së deritashme me viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, deklarojnë aktivistët dhe protestuesit, dhe për këtë, sipas tyre, përgjegjësinë duhet të bartë Kuvendi i Kosovës.
Reagime pati dhe nga rradhët e deputetëve të Parlamentit të Kosovës, të cilët e konsideruan tërësisht jo-etik veprimin e deputetes Brovina, e cila është e njohur për angazhimin e saj në mbrojtje të viktimave të luftës. Reagime të ashpra pati po ashtu dhe në rrjete sociale, të cilat detyruan deputeten të kërkojë falje publikisht, duke deklaruar se foto ishte e falsifikuar dhe se ajo nuk ishte në dijeni për këtë fakt.
Muajt e fundit, viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës kanë qenë në vëmendje të opinionit publik, pas rrëfimit të Vasfije Krasniqit e cila përloti Kongresin e SHBA-ve me rrëfimin e saj dhe risolli vëmendjen te trajtimi i viktimave dhe mungesa e mbështetjes shoqërore e shtetërore për mijëra gra dhe vajza që kanë vuajtur të tilla krime gjatë luftës së Kosovës. /k.j
Sezoni i Pride sapo ka nisur për Ballkanin.
Aktivistë dhe organizata të mbrojtjes së të drejtave të komunitetit LGBTI në Maqedoninë Veriore, njoftuan ditën e sotme organizimin e Pride për herë të parë në datën 29 Qershor.
Pas punës disa vjeçare për njohjen dhe sensibilizimin e qytetarëve mbi kauzën LGBT dhe pas kalimit të ligjit anti-diskriminim në Parlament muajin e shkuar, Maqedonia e Veriut i bashkohet të gjithë shteteve të Ballkanit Perëndimor, ku komuniteti ka mundësinë të organizohet dhe të manifestojë diversitetin në Pride.
Kjo paradë do të jetë një protestë për njohjen, mbrojtjen dhe mbështetjen e komunitetit LGBTI+ në Maqedoninë Veriore.
Këtë vit Parada e Krenarisë do të organizohet gjithashtu për herë të parë në Sarajevë duke shënuar një moment historik dhe për komunitetin LGBTI në Bosnje dhe Hercegovinë.
Ndërmjet tremujorit të tretë dhe të katërt të vitit 2018, 3.1 milionë persona, apo 20.9 për qind të të gjithë të papunëve gjetën punë në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian. Mirëpo, gjatë kësaj periudhe, 8.4 milionë persona apo 57 për qind mbetën të papunë dhe 3.3 milionë persona apo 22.1 për qind u bënë ekonomikisht joaktiv.
Sipas Eurostat, përcjell Telegrafi, duke mos përfshirë të dhënat për Gjermaninë, në tremujorin e tretë të vitit 2018, 2.7 milionë persona apo 1.4 për qind u bënë të papunë në tremujorin e katërt 2018 dhe 4.9 milionë persona apo 2.6 për qind u bënë joaktiv për tregun e punës.
Nga ata që fillimisht llogariten si ekonomikisht joaktivë në tremujorin e tretë të vitit 2018, 3.7 milionë persona apo 3.2 për qind u zhvendosën në punësim në tremujorin e katërt dhe 3.9 milionë persona apo 3.4 për qind kaluan si të papunë.
Grafiku dhe tabela japin një pasqyrë të të gjitha tranzicioneve të mundshme duke treguar ndryshimet në statusin e tregut të punës. Në grafik janë shifrat për punësim, papunësi, pasivitet dhe i referohen numrit të njerëzve që mbeten në secilin status midis dy tremujorëve. /Telegrafi/
Dita e sotme e gjeti Tiranën të mbuluar me ngjyrat e flamurit të diversitetit. Në Parkun Rinia përgatitjet filluan që në orët e para të mëngjesit për Paradën e tetë të Krenarisë, e cila bëri bashkë aktivistë nga i gjithë rajoni, pjesëtarë të komunitetit LGBT+ në Shqipëri dhe përkrahës së tyre, qytetarë të Tiranës dhe jo vetëm, të cilët marshuan për një të ardhme më të mirë e për një shoqëri më të drejtë.
Parrullat e shkruara nga vetë pjesëtarët e komunitetit
Parku Rinia sot u kthye në Parkun e Krenarisë, nga aty nisi marshimi në orën 12:00 përgjatë bulevardit kryesor të Tiranës. Me pankarta në duar, plot thirrje dhe ngjyra aktivistët dhe pjesëtarët e komunitetit ngritën zërin bashkë për një shoqëri më pranuese, ku të qënit LGBTI+ nuk konsiderohet as krim e as turp, ku adoleshentët nuk përzihen nga familjet e tyre, ku fëmijët nuk dhunohen dhe bullizohen në shkollë, ku askush nuk rrezikon vendin e punës apo të ardhmen e tij/saj për shkak të orientimit seksual apo identitetit gjinor.
Në Paradë pati dhe përkrahës të shumtë nga institucionet dhe përfaqësitë diplomatike të akredituara në Tiranë. Falë përkrahjes së delegacionit të Bashkimit Evropian dhe punës së palodhur të organizatave për mbrojtjen e të drejtave LGBT+, ky vit pa një numër të shtuar të përkrahësve dhe të individëve të komunitetit të cilët nuk patën frikë të dalin hapur për të mbrojtur të drejtat e tyre.
Fushata e solidaritetit me video sensibilizuese bëri bashkë zëra të shoqërisë civile, aktivistë, profesionistë, gazetarë, juristë e figura publike, të cilët me mesazhet e tyre përgjatë javëve të shkuara u përpoqën të fuqizojnë atë pjesë të komunitetit të cilët ende kanë frikë të pranojnë seksualitetin e tyre apo identitetin gjinor.
Sot në Tirana Pride, nën moton #MarshojmëEdhePërTy marshuam për të gjithë ata që nuk munden të jenë në Tiranë, ata që janë larguar nga Shqipëria apo që ende kanë frikë të bëhen pjesë e kësaj kauze të drejtë, e cila manifest të saj ka dashurinë dhe pranimin.
Sot marshuam për 421 raste të dhunës të raportuara, për ata individë të diskriminuar në shkollë dhe në ambjentet e punës, për të rinjtë dhe të rejat që kanë braktisur Shqipërinë për shkak të identitetit të tyre apo orientimit seksual dhe për qindra të tjerë që tallen e përbuzen nga shoqëria në shkollë. Sot marshuam për personat LGBTI+ të cilët janë detyruar tu nënshtrohen normave të shoqërisë, për ato individë që sot jetojnë një jetë të dyfishtë. Sot marshuam për të individët e guximshëm që i “zbrazën dollapet e tyre” dhe jetojnë identitetin e tyre të vërtetë në një shoqëri si e jona. Marshuam për prindërit dhe familjarët, për tu treguar se një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë i mbështet ata në rrugën e gjatë të pranimit të fëmijëve të tyre. Marshuam për mijëra individë që në shërbimin SOS LGBT marrin asistencën e nevojshme dhe të munguar nga institucionet.
Sot marshuam për veten, për të ardhmen tonë dhe të brezave që do vinë, për dashurinë. Dashuria triumfoi sërish!
Artikuj të rekomanduar
Të mërkurën, në Tirana Ekspres u hap ekspozita ‘’Kultura e Poshtërimit’’ e artistit maqedonas Antonij Karadzoski, kuruar nga Blerina Berberi. Kjo ekspozitë i bashkohet aktiviteteve të organizuara gjatë javes IDAHOT 2019 (Dita Ndërkombëtare Kundër Homofobisë dhe Transfobisë) në Shqipëri.
Antonij përdor artin e tij për të thyer stereotipet dhe për të rritur ndërgjegjesimin në lidhje me çështjet e komunitetit LGBTI dhe është një fushatë artiviste ndërgjegjesuese mbi bullizimin, si fizikisht ashtu dhe atij në internet.
Organizatorët dhe mbështetësit e kësaj ekspozite janë Open Mind Spectrum Albania (OMSA), Ambasada e Mbretërisë së Hollandës dhe Stichting Art. 1
Në hapjen e ekspozitës foli Ambasadorja Hollandeze, Znj. Guusje Korthals Altes e cila tha se ishte shumë e kënaqur që mbështeste një nismë të tillë ndërgjegjësuese. Ajo tha që ka vënë re që në Shqipëri disa gjëra kanë ndryshuar për mirë, por që ka akoma shumë të tjera që nuk kanë ndryshuar, prandaj nisma dhe ekspozita të tilla janë të rëndësishme. Sipas saj, arti është një mënyrë shumë e mirë për të përçuar mesazhe të ndryshme sepse ai hap sytë dhe mendjet e njerëzve. Zonja Ambasadore tregoi se si para disa ditësh ju kërkua të bënte një video sensibilizuese për Tirana Pride 2019 dhe se si në atë video kishte folur para së gjithash si një nënë që dëshironte që dy vajzat e saj të rriteshin në një botë të lirë ku ato të mund të jenë ato që duan të jenë dhe të mund të duan ata që duan të duan. Kjo është gjëja më e rëndësishme dhe prandaj edhe Ambasada Hollandeze mbështet nisma të tilla, sepse ne besojmë në të drejta të barabarta për të gjithë.
Pas zonjës Ambasadore foli edhe autori i ekpozitës. Antonij tha që kjo ekspozitë është frymëzuar nga vetë e shkuara e tij si një djalë gej në një qytet shumë konservator në jug të Maqedonisë. Ai është ngacmuar si fizikisht ashtu edhe nëpërmjet internetit gjatë gjithë shkollës fillore dhe gjimnazit, dhe kjo gjë e detyroi të largohet nga vendi i tij pasi jeta e tij ishte vazhdimisht në rrezik. Kjo fushatë është krijuar në Slloveni që prej tre vitesh dhe që aty shkoi në Hollandë, Azerbajxhan, Gjeorgji dhe tani edhe në Shqipëri.
Më pas të ftuarit shijuan krijimet e artistit të ri. Një pjesë të krijimeve të tij mund ti gjeni në galerinë e mëposhtëme.
I pëlqen ta thërrasin Hirushe, ajo është 24-vjeç dhe në intervistën e mëposhme ka rrëfyer për manifestimin e seksualitetit të saj, jetën dhe eksperiencat. Kështu do të mund të kuptojmë më shumë për personalitetin e Hirushes, mbi sfidat dhe dëshirën për t’ia dalë mbanë përmbi normat e ngurta shoqërore. Historia e saj është edhe më shumë frymëzuese se hirushja klasike, nëse skenari do të rishkruhej sërish sot, me siguri ajo do të ishte trans dhe gjithsesi shumë e fortë për të mbijetuar në një shoqëri patriarkale.
-Si lindi vetëdija jote…kur e kuptove momentin për të vendosur mbi përkatësinë tënde më së shumti emocionale, shpirtërore, apo dhe thjesht fiziologjike?
Le të themi se kisha njëfarë vetëdijeje se në çfarë komuniteti apo gjinie përkisja. Mbaj mend që nga klasa e tretë apo e katërt motra ime u fejua, dhe atëherë nisi ideja ime që i përkisja një bote tjetër, nuk i përkisja shoqërisë ku isha, ku mashkulli duhet patjetër të ishte mashkull. Unë gjithmonë mbyllesha në dhomë, përdorja rrobat e motrës, takat që i kisha fiksim dhe kjo më bënte të ndjehesha shumë mirë. Unë vishesha dhe sillesha si femër dhe motrat më shumë e morën si lojë, sepse unë imitoja mamin, motrën etj. Por kjo nuk vinte për t’i argëtuar ato, unë doja të argëtoja veten time…
-Përse zgjodhe ta vazhdoje si lojë në sytë e të tjerëve? Unë isha shumë inteligjent dhe shumë i vetëdijshëm, që ishte diçka e gabuar, sepse shokët e mi nuk i bënin, unë i bëja edhe mezi prisja të rrija vetëm dhe të flisja me veten time, mendoja se isha femër gjithmonë kur isha vetëm. Në momentin kur shihja një person që vinte nga jashtë, patjetër duhe të kthehesha dhe të bëja një rol sa më mashkullor. Ishte e pamundur, pavarësisht që më shpëtonin gjeste shumë femërore…kisha ato gjërat e mia personale si buzëkuqë dhe veshje femërore, si dhe doja të kisha gardrobën time të vogël e mezi prisja që familja të shkonte diku që unë të hapja dollapin… .
-Si e përshkruan marrëdhënien me njerëzit e familjes dhe si erdhi momenti vendimtar kur ti vendose që të mos shtiresh më?
Shumë të ngushtë dhe shumë të dashur. Nuk më ka munguar asgjë nga mami. Më ka dasht’ fort, por jo vetëm mami, nga të gjithë pjestarët e familjes kam pasur dashuri.
Mirëpo, atyre nuk u kam thënë… dhe vitet kaluan si pa u kuptuar. Gjithmonë mendoja me vete, si të largohesha nga shtëpia dhe si të isha vetëm unë dhe askush tjetër, ku shpesh pyesja veten; “Si ka mundësi, vetëm unë jam në këtë botë, si mundet një mashkull të dojë një tjetër… mashkull”?
Por, nuk arrij ta mbaj mend me saktësi sesi ka nisur e gjithë kjo, mendoj se ka qenë proces…
Në fillim kam pasur lidhje me një djalë që prej fëmijërisë, deri në klasë të nëntë, kur vendosa të largohesha nga familja dhe të bëja një jetë të lirë këtu në Tiranë. Domethënë në qytetin ku kam qenë, kam pasur gjithmonë një lidhje me një mashkull…
-Po ai çfarë pikëpamjesh kishte?
Ai ishte një djalë, nga e njëjta lagje. Por m’u desh të mësohesha me idenë, që me familjen e tij nuk duhet të flisja… Dhe duhet të takoheshim gjjithmonë fshehurazi… .
Tani kur kthehem në qytezë, ai me insistim më kërkon që të më takojë, por unë e kam humbur ndjesinë e të ndenjurit me të, nuk më tërheq më, ngaqë tani bëj një jetë tjetër, kam një shoqëri tjetër, kam persona të tjerë, sikur e kam humbur dashurinë që kisha për të. Në fëmijërinë time nuk e kuptoja dot jetën pa të. Kur luanim “shtëpish”, githmonë kam pasur dëshirë të jem motra ose mami, nuk doja rol mashkullor. Mbaj mend një fragment që teksa luanim, ai ishte burri, ndërsa unë gruaja dhe një moment që erdhi për të fjetur gjumë nga ne, motra kur erdhi u befasua që na gjeti të përqafuar. Motra ishe shumë e vogël dhe më është përmendur disa herë ky rast prej saj, por unë gjithmonë e kam anashkaluar dhe ajo e ka kuptuar që nuk më pëlqen të ma përmendë më.
-Nga qyteza je larguar në moshë të re. Si iu qase realitetit të Tiranës. Tirana është e dhunshme, besoj se ka qenë akoma më e dhunshme disa vite më parë kur t’u desh të vije këtu?
Unë kam ikur në fakt në moshën 18-vjeçare. Unë e shkëputa shkollën dhe ika në Greqi dhe atje e nisa shkollën për fizioterapi. Kam ikur në këmbë. Shkoi deri një javë në këmbë… Gjithmonë jo për të mbaruar një shkollë, por për të jetuar jetën time të lirë. Pastaj atje nga që isha në mbikqyrjen e motrës dhe vëllait, më futën në shkollë, nuk më lanë të kisha kontakt me këto pavarësisht së njifja…pastaj u ktheva këtu dhe këtu arrita të kuptoj që uk isha unë i vetmi që kisha tendencë seksuale për gjininë e njëjtë.
-Pse u ktheve nga Greqia, për t’i shpëtuar motrës?
Më kapi policia në fakt sepse me kapi pa dokumente. Isha në fazë për t’i bërë dokumentet…
Po ndërkohë i mbarova studimet. Ishin më shumë si një lloj kursi. Ishte masazh në parukeri-estetikë por jo mjeksore…pastaj erdha këtu dhe vazhdova punë në një market dhe pjesën tjetër duke bërë masazh. Aty nisën pastaj edhe njohjet… .
-Po
tani si janë marrëdhëniet me familjen, si e justifikon qëndrimin në Tiranë?
Jam
justifikuar se jam në punë, duhet të vazhdoj një jetë timen në punë… Unë kam
mbaruar për fizioterapi dhe kjo më ka bërë që unë ta justifikoj. Madje
ndonjëherë kur kthehem atje duhet të shkoj fshehurazi sepse disa nga klientet
që unë i kam bërë masazh kërkojnë të vijnë sërish.
Klientet e mia kanë qenë kryesisht gra, burra më rrallë, por nuk ka pasur asgjë
përtej kësaj sepse kam qenë në marrëdhënie pune.
-Ku fillove të bësh masazh?
Në personat që njihja, nëpër parukeri ku prisja flokët. Aty gjeta një gazetë. Ka qenë gazeta “Paloma” dhe ndërkohë që po prisja një kliente timen, po hapja gazetën dhe duke shfletuar, ishin ca faqe për numra. Nuk kisha idenë që në Shqipëri ekzistonte një gazetë e tillë. Aty gjeta një djalë, jam nga Shkodra, jam kështu, jam ashtu… E fiksova numrin, mbylla gazetën dhe vijova punën me klienten. Pastaj u njoha me të. Ishte personi i parë që njoha, pas të dashurit tim dhe herë pas here dilja me të. Ishte shumë më i madh se unë në moshë. Ishte 25-26 vjeç …
-Kujt i referohesh “pas të dashurit tim”, të dashurit aktual? Po, atij që kisha. Ai ishte në fazë që familja i kishte ikur në Amerikë edhe donin të tërhiqnin edhe atë. Ndërkohë kishin vazhduar debatet në mes meje dhe tij. Do të shkëputeshim domosdoshmërisht. Unë nuk e mendoja jetën pa të. E vuajta si pjesë. Pastaj iku në Amerikë, unë zura shoqëri me një person tjetër, por vetëm shoqëri sepse isha shumë e frikësuar, e shihja veten shumë femërore, nuk doja të kaloja shumë meshkuj sipër trupit tim, më dukej shumë e vështirë. E shihja veten si një vajzë normale dhe pavarësisht që unë isha një mashkull në pamje të parë, brenda meje isha shumë femër. Kjo më bënte që most të shkoja me çfarëdolloj njeriu, doja një partner stabël. Pastaj u njoha me të dhe kaluan shume vite. Aktualisht jam me atë. Jemi shumë mirë, ai është pak më i madh se unë në moshë, por e kuptojmë njëri tjetrin..
Por, nuk bashkëjetojmë sepse ai ka një familje
-Ka një familje heteroseksuale?
Po! Dhe kjo na pengon të bashkëjetojmë. Ai dëshirën seksuale e ka kundrejt meshkujve, ama ka një familje, ka dy fëmijë kurse pjesën tjetër të kohës e kalon me mua. Kështu i bie. Pavarësisht dëshirave të tij, unë nuk mundem që të shkatërroj një familje duke plotësuar dëshirat e mia. Unë nuk e jetoj dot jetën time mbi kurrizin e vuajtjeve të dikujt tjetër. Është një grua që do të vuajë në këtë mes, janë dy fëmijë që kanë nevojë për babain e tyre dhe këtë nuk ma lejon ndërgjegjja dhe ka arritur një pikë ku unë jam ulur dhe kam folur me të. Gjithsesi planet tona janë të ikim jashtë, por nuk e di si do të shkojnë gjërat…
Pjesa e dytë e intervistës, do të botohet në vijim.
Kjo intervistë është e ndaluar të riprodhohet apo të botohet pa të drejtën e autorit.
Edhe pse kanë kaluar disa muaj nga Miss Trans Albania, sërish përjetimet pozitive të anëtarëve të komunitetit janë të shumta dhe impakti i këtij eventi mbetet shumë i madh.
Gjatë gjithë këtyre muajve në ambjentet e Aleancës LGBT, komuniteti mblidhet thuajse përditë për organizimin e konkurseve të ngjashme të bukurisë të cilat janë shumë më shumë sesa duket në sipërfaqe.
Në vijim do ju prezantojmë me Hirushen, eksperiencën e saj në prezantimin e Miss Trans dhe Mister Gay si dhe impaktin që aktivitete të tilla kanë të individ të komunitetit LGBT+ në Shqipëri.
Si ishte eksperienca e prezantimit të Miss Trans? Si shkuan përgatitjet dhe cilat ishin pritshmëritë tuaja për këtë edicion?
Miss Trans shkoi shumë mirë. Përgatitjet për këtë edicion patën vështirësitë e tyre por në përfundim të tij pritshmëritë tona u përmbushën plotësisht. Punuam shumë me vajzat dhe me njëra-tjetrën për të tejkaluar mentalitetin e ngurtë dhe të vëshitrë në të cilin jetojmë. Si në çdo event tjetër, pretendimet e të gjitha konkurenteve ishin të mëdha, por në fund besoj se të gjitha dolën të kënaqura nga konkursi.
Mund të them se ishte një event shumë i rëndësishëm pasi ne jemi një komunitet shumë i vogël dhe të tilla organizime na bashkojnë më shumë dhe nxjerrin në pah bukuritë e të pranuarit të vetes pa kushte. Kjo ishte eksperienca ime e disatë në prezantim, por padyshim një nga më të bukurat. Të njëjtat përshtypje kam marrë dhe nga vajzat që konkuruan në Miss Trans.
Cilat janë vështirësitë më të mëdha me të cilat komuniteti transgjinor përballet në shoqëri?
Vështirësia më e madhe që ne hasim është mospranimi, jo vetëm nga shoqëria, por edhe nga familja. Kjo është një gjë që na prek shumë të gjithave. Shpeshherë përpiqemi të mos lëndojmë familjen dhe nga frika se mos i lëndojmë ata, përfundojmë duke lënduar veten. Dëgjojmë shpesh histori të dhimbshme e shumë prej nesh vimë nga mjedise ku ende diskriminohemi për atë që jemi apo për shkak të dashurisë. Të gjitha këto problem na kanë bërë më të bashkuara si komunitet dhe përpiqëmi të ndihmojmë sadopak njëra-tjetrën në tejkalimin e këtyre vështirësive.
Si është një ditë e zakonshme e Hirushes?
Një ditë e zakonshme e imja fillon me shoqërinë. Kam shoqëri të shumtë brenda dhe jashtë komunitetit dhe kohën më të madhe e kaloj me ta. Më pas shkoj në punë dhe ndjek angazhimet e përditshme dhe pasditeve takohem me të tjere pjesëtarë të komunitetit te Aleanca.
Cilat janë hobit dhe pasionet e tua?
Hobi im është prezantimi. Përpiqem sa më shumë të angazhohem me aktivitete të ndryshme. Përpos prezantimit, momentalisht po punoj fort që në të ardhmen të mund të zhvilloj profesionin tim si fizioterapiste. Të dyja këto janë pasione të miat që dëshiroj t’i ndjek gjithnjë.
Po përsa i përket Mr.Gay? Nga lindi ideja dhe si shkoi organizimi?
Duke parë reagimet pozitive që morëm nga Miss Trans, sallën e mbushur plot dhe përkrahjen dhe nga individë që vinin nga jashtë komunitetit, rastësisht lindi dhe ideja për organizimin e Mr.Gay
Menjëherë filluam të mblidhemi dhe të gjejmë konkurentët dhe na u desh të punonim me disa prej tyre për t’i bindur për të marrë pjesë në konkurs. Koha e përgatitjes ishte e shkurtër, por ja dolëm të sjellim një shfaqje po aq të suksesshme sa Miss Trans dhe që pati pot ë njëjtat reagime positive.
Mendoj se evente të tilla ndihmojnë shumë në fuqizimin e komunitetit dhe na japin guxim të gjithëve ne të vazhdojmë përpara e të jetojmë identitetin tonë të vërtetë.
Së shpejti do të organizojmë dhe Miss Lezbike, si një event që vjen për herë të parë në Shqipëri.
Cili është një mesazh që do të jepjë për komunitetin në prag të Paradës së Krenarisë?
Dashuroni! Dashuroni pa frikë dhe pa u ndikuar nga gjinia, pritshmëritë e shoqërisë për ju apo ato që të tjerët ju thonë! Dashuria nuk është kurrë faj.
Njëkohësisht dua të jap një mesazh për pridnërit e individëve të komuniteti që të pranojnë fëmijët e tyre e t’i mbështesin ata. Mbështetja e familjes është shumë e rëndësishme për ne dhe dëshiroj shumë që përmes Paradës së Krenarisë apo dhe eventeve të tilla, sa më shumë prindër të pranojnë fëmijët e tyre LGBT dhe t’i duan ata pa kushte.
Më datë 14 Maj Streha organizoi mbrëmjen gala të rradhës me qëllim mbledhjen e fondeve dhe dhurimeve për institucionin e vetëm mbështetës për të rinjtë LGBT+ në Shqipëri, i cili mbron dhe ndihmon këto të rinj me vështirësitë e jetes së tyre të përditshme në Shqipëri.
Që prej vitit 2014 kur u inaugurua, qendra Streha ka shërbyer si një mbështetje shumë e madhe për të rinjtë e komunitetit LGBT+ në Shqipëri, të cilat janë përballur me dhunë, diskriminim dhe janë përzënë nga shtëpitë e tyre vetëm për shkak të orientimit seksual apo identitetit të tyre gjinor.
Shërbimi rezidencial, është vetëm njëri nga shërbimet e ofruara nga Streha, e cila në fokus të saj ka fuqizimin e të rinjve për të bërë të mundur përballjen e tyre me realitetin e vështirë ku i duhet të jetojnë dhe njëkohësisht të kontribuojë në ndryshimin e këtij realiteti.
Mbrëmja Gala u organizua në ambjentet e Hotel Plaza në Tiranë dhe mblodhi rreth 200 përkrahës së kauzës, pjesëtarë të komunitetit dhe individë e përfaqësues së institucioneve që ndihmojnë në mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave LGBT+ në vend.
Programi artistik përfshinte performance të ndryshme nga artistë dhe grupe muzikore që i kanë qëndruar pranë kauzës gjatë gjithë këtyre viteve. Bojken Lako, Semi Jaupaj, Bulzat, Genc Salihu dhe DJ Oda ishin disa nga artistët e ftuar në mbrëmje. Edhe këtë vit nuk munguan çmimet e mirënjohjes për aleatët e vitit, ato individë që kanë ndihmuar drejtpërdrejtë në respektimin e të drejtave LGBT+. Ndër aleatët e vitit mund të përmendim ABI Bank dhe Vodafone, të cilat ishin dhe sponsorizues kryesor të galasë së këtij viti, Ema Andrea, e cila prezantoi dhe programin artistik, gazetaret Alice Taylor dhe Zhaklin Lekatari, regjisori Arben Kumbaro, Luke Dowing, patron i Strehës, Oda Haliti dhe Genc Salihu.
Programi artistik u shoqërua dhe me një ankand të heshtur ku të ftuarit mund të kontribuonin. Fondet e mbledhura nga aktivitetet e mbrëmjes së djeshme ndihmojnë individë të komunitetit të cilët momentalisht trajtohen me shërbime nga Streha, por njëkohësisht ndihmojnë dhe Strehën në aktivitetet e saj dhe projektet që ka ndërmarrë për të fuqizuar komunitetin e për të ndryshuar realitetin e LGBT+ në Shqipëri. /k.j
Që prej vitit 2014 kur u inaugurua, qendra Streha ka shërbyer si një mbështetje shumë e madhe për të rinjtë e komunitetit LGBT+ në Shqipëri, të cilat janë përballur me dhunë, diskriminim dhe janë përzënë nga shtëpitë e tyre vetëm për shkak të orientimit seksual apo identitetit të tyre gjinor.
Shërbimi rezidencial, është vetëm njëri nga shërbimet e ofruara nga Streha, e cila në fokus të saj ka fuqizimin e të rinjve për të bërë të mundur përballjen e tyre me realitetin e vështirë ku i duhet të jetojnë dhe njëkohësisht të kontribuojë në ndryshimin e këtij realiteti.
Më shumë për Strehën, shërbimet e saj dhe impaktin që ajo ka pasur në shoqëri do të na flasë drejtori ekzekutiv i saj z.Elvis Popaj. Në përgatitje për Galanë e madhe të përvitshme, e cila organizohet për të siguruar donacione dhe fonde të mjaftueshme për zhvillimin e mëtejshëm të shërbimeve të Strehës, në intervistën e mëposhtme mund të mësoni më shumë mbi rolin e Strehës dhe arsyet pse një shërbim i tillë është jetik për të rinjtë LGBT+ në Shqipëri.
Cili ka qenë kontributi i Strehës ndër vite dhe arritjet më të mëdha të punës suaj?
Streha ka luajtur një rol të rëndësishëm përgjatë gjithë këtyre viteve në disa elementë. Pjesa më e rëndësishmë ka qenë ofrimi i mbrojtjes dhe strehimit për individët e komunitetit, në momentin kur ato dalin hapur në familjet e tyre. Streha i ka ndihmuar për kalimin e vështirësive që ato hasin në komunitetin e tyre të ngushtë.
Që në momentin e parë, Streha ka qenë një shërbim risi, për shkak se në asnjë nga shtetet e Ballkanit nuk kishte një shelter për individët e komunitetit LGBT+ dhe vazhdon të mbetet një shërbim i tillë. Përpos Shqipërisë dhe në Maqedoninë e Veriut tashmë ka një shërbim të ngjashëm, i cili është bërë i mundur falë ndihmës së ofruar prej nesh në ngritjen e kapaciteteve dhe ofrimin e përvojave dhe eksperiencave të ngritjes së Strehës në Shqipëri për aktivistët e vendit fqinj.
Streha ka mundësuar për të rinjtë e komuniteti LGBT mbështetje përmes ofrimit të shërbimit rezidencial, por ka dhënë dhe një kontribut në tërësi për mbrojtjen e shtresave në nevojë në vend, që mund të përjetojnë dhunë apo diskriminim.
Përgjatë gjithë këtyre viteve kemi arritur të ndihmojmë 74 persona duke u ofruar shërbim rezidencial dhe dhjetëra të tjerë përmes ofrimit të këshillimeve psikologjike dhe vënies në kontakt me organizata që aktivitetin e tyre e zhvillojnë kryesisht ne Tiranë. Në disa raste kemi ndihmuar dhe duke u ofruar sërish shërbimin rezidancial individëve, të cilët kanë hasur vështirësi në integrimin e tyre shoqëror pas daljes nga Streha.
Cila është vështirësia më e madhe që hasni gjatë punës suaj të përditshme?
E kam parë Strehën në dy pozicione, fillimisht si ofrues i shërbimit psikologjik e më pas si drejtues. Ajo çfarë më ka bërë përshtypje gjatë gjithë këtyre viteve, është se shpësh për shkak të diskriminimit shumë të madh që të rinjtë përjetojnë, një pjesë e tyre e shikojnë orientimin e tyre seksual apo tiparet e identitetit të tyre si diçka për të cilën duhet të ndihen të turpëruar. Ende nuk ka një normalizim mbi çështjet e identitetit gjinor dhe orientimit seksual dhe vështirësia jonë e parë në qasjen me komunitetin, është pikërisht ideja e gabuar që ato mund të kenë për veten apo ndjesitë e tyre.
Përmes shërbimeve tona dhe mbështetjes sonë, ne përpiqemi të krijojmë te të rinjtë LGBT+ perceptimin se çdo gjë është në rregull me ta, se orientimi i tyre seksual apo identiteti i tyre gjinor nuk është diçka për të cilën duhet të fajësojnë veten apo të ndihen të turpëruar. Ne synojmë të lehtësojmë procesin e pranimit të vetvetes dhe pranimit shoqëror për këto individ dhe qëndrojmë pranë tyre përgjtë gjithë vështirësive që mund të hasin gjatë këtij rrugëtimi.
Si e gjykoni qasjen e shoqërisë shqiptare ndaj komuniteti LGBT+?
Problemet janë të shumta dhe situata është e vështirë. Problem parësor është dhuna me të cilën ato duhet të përballen, qoftë në ambjentin familjar dhe atë shoqëror. Përpos dhunës dhe vështirësive të sipërpërmendura, një tjetër problem me të cilin ne përballemi shpesh gjatë punës sonë dhe që pasqyron dhe realitetin ku komuniteti LGBT+ jeton, është diskriminimi dhe format në të cilat ai shfaqet.
Diskriminimi na paraqitet në dy forma. Kemi diskriminimi të hapur, i cili evidentohet më thjeshtë dhe e shofim në aspekte të ndryshme të jetës së përditshme, por dhe një lloj diskriminimi të “fshehtë”, i cili e vështirëson dhe më tëj punën tonë. Një shembull konkret është në momentin që të rinjtë vinë këtu dhe kërkojnë punë, ne sigurisht i ndihmojmë në procesin e kërkimit të punës, por për shumë prej tyre mund të përbëjë problem sjellja apo pamja. Nëse një individ ka tipare të dallueshme e identifikohet lehtësisht si pjesëtar i komunitetit LGBT përmes sjelljeve, zakonisht u refuzohet e drejta e punësimit dhe në këto raste është e vështirë për ne që të cilësohet si diskriminim, edhe pse është një praktikë që e hasim rëndomë.
Një tjetjër problem është refuzimi i shërbimeve dhe informacioni i pakët që specialistët e shërbimeve publike kanë për komuniteti LGBT+.
Individët LGBT+ janë të rrethuar nga një realitet i vështirë. Fyhen, dhunohen dhe janë të rrethuar nga një realitet, i cili krijon te ta perceptimin e gabuar sikur ka diçka që nuk shkon me veten e tyre. Ky realitet më pas shkakton dhe shumë probleme të tjera që prekin direkt mirëqenien e këtyre individëve në shoqëri.
A ka pasur Streha mbështetje nga autoritetet dhe institucionet përgjegjëse për mirëqenien sociale?
Përgjithësisht kemi pasur një marrëdhënie pozitive me institucionet, por nuk kemi parë ende një angazhim konkret përsa i përket mbështetjes së Strehës në ofrimin e shërbimeve për komunitetin. Një vështirësi e madhe e jona është qëndrueshmëria financiare dhe në shërbime të tilla që ndihmojnë individë të margjinalizuar dhe në nevojë, mbështetja nga autoritetet është jetike për ne.
Ne ende ofrojmë disa shërbime që konsiderohen bazike e që duhet të mbulohen nga autoritetet. Në rastin e shërbimeve të ngjashme, që ofrojnë strehim dhe mbështetje për të tjerë grupe të margjinalizuar si gratë e dhunuara apo viktimat e trafikut, ka një mbështetje më të madhe nga autoritetet, e cila ende mungon për Strehën.
Ky është viti i dytë i aplikimit për mbështetje financiare dhe jemi pozitivë se do të arrijmë të marrim një mbështetje të tillë, pasi financimi afatgjatë dhe i qëndrueshëm mbetet një nga sfidat tona kryesore.
Përsa i përket rasteve që rikthehen në Strehë sërish, cilat janë arsyet që pengojnë integrimin e tyre shoqëror?
Rastet që rikthehen janë komplekse. Asistenca jonë është afatgjatë dhe paraqitet në dy forma, në ndihmën dhe shërbimet që u sigurojmë gjatë qëndrimit në Strehë dhe më pas asistenca e ofruar gjatë rikthimit të tyre në shoqëri. Në momente të caktuara mund të kenë nevoja që nuk i adresojnë dot. Në shumicën e rasteve diskriminimi dhe dhuna vazhdon. Problemet e mbartura dhe traumat e shkaktuara në të kaluarën, mund të vështirësojnë integrimin shoqëror për shumicën e rasteve të cilët rikthehen në përfitues të shërbimeve tona.
Po përsa i përket shtrirjes së shërbimeve tuaja dhe jashtë Tiranës, si paraqitet situata në qytete më të vogla apo zona rurale?
Në fakt kjo është një tjetë sfidë e madhe me të cilën ne përballemi në ofrimin e shërbimeve. Në gjykimin tonë, ka ende shumë persona jashtë kryeqytetit që ne nuk i arrijmë dot për shkak të disa faktorëve. Kryesisht jemi fokusuar në përpunimin e një strategjie për të shkuar te më shumë individë që mund të kenë nevojë për shërbimet tona, por situata paraqitet vërtet e vështirë për shkak të presionit shoqëror që ekziston në qytetet më të vogla të Shqipërisë. Për ne është e vështirë që dhe të mund t’i takojmë këto persona në vende publike në qytetin ku jetojnë, pasi shumë prej tyre nuk duan të ekspozojnë veten dhe kanë frikë se mos njihen nga të tjerët.
Cilat janë projektet e Strehës për të ardhmen?
Qëllimi ynë kryesor është të arrimë sa më shumë njerëz dhe të ofrojmë sa më shumë shërbime. Ka shumë individë që kanë nevojë vetëm për ofrimin e asistencës psikologjike apo këshillim për punësim, jo domosdoshmërisht ofrim të shërbimit rezidencial, por për arsyet që i përmendëm, e kemi të vështirë të mund të arrijmë këto individë.
Momentalisht po punojmë për hartimin e strategjive konkrete për një qasje më të mirë ndaj komunitetit. Në planet tona afatshkurtra kemi si qëllim dhe zgjerimin e shërbimeve dhe kapaciteteve, duke filluar që nga shtimi i ambjenteve rezidenciale, te shtimi i stafit, ngritja e kapaciteteve dhe zgjerimi i shërbimeve. Njëkohësisht, në një nga projektet tona të ardhshme planifikojmë trajnimin e specialistëve të ofrimit të shërbimit në 4 rrethe të vendit. Kemi filluar gjithashtu të shtojmë komponentin ligjor në shërbimet tona dhe duam ta përmirësojmë më tej këtë shërbim.
Objektivi ynë themelor ështe rritja e prezencës sonë përtej Tiranës, duke ndihmuar më shumë individë të komunitetit LGBTI+ në problemet që ato hasin për shkak të dhunës dhe diskriminimit shoqëror.
Ditën e sotme nisi zyrtarisht java e aktiviteteve në kuadër të Ditës Ndërkombëtare kundër Homofobisë, Transfobisë dhe Bifobisë (IDAHOT). Institucioni i Avokatit të Popullit organizoi një takim me institucionet dhe përfaqësues të grupeve të mbrojtjes dhe respektimit të të drejtave LGBT. Gjatë fjalës së saj përshëndetëse, Avokatja e Popullit Erinda Ballanca
theksoi rëndësinë e vazhdimit të punës dhe angazhimit institucional për zbatimin më tej të rekomandimeve dhe përpjekjeve për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të komunitetit LGBT+ në Shqipëri.
Në takimin e ditës së sotme, të pranishëm ishin dhe zëvëndës kryetarja e parlamentit dhe njëkohësisht kryetarja e komisionit parlamentar për të drejtat e njeriut Vasilika Hysi, përfaqësuesi i Kombeve të Bashkuara në Shqipëri Brian Williams dhe drejtuesja e zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë Jutta Gutzkow.
Në kuadër të IDAHOT, u soll sërish në vëmendje rëndësia që respektimi i të drejtave LGBT+ ka për zhvillimin e mëtejshëm të shoqërisë shqiptare.
Gjatë fjalës së saj Xheni Karaj, drejtuese e Aleancës kundër diskriminimit LGBT, foli për problematikën e diskriminimit në shoqëri dhe mungesës së mbështetjes institucionale, pavarësisht se masat ligjore mund të jenë ndërmarrë tashmë prej disa vitesh.
Besimi te institucionet mbetet ende i ulët ndër individët e komunitetit dhe mungojnë veprimet konkrete nga pjesa më e madhe e institucioneve të perfshira në planin e veprimit. Duke përmendur gjetjet e raportit të publikuar javën e shkuar nga organizatat e mbrojtjes së të drejtave LGBT, Karaj u bëri thirrje institucioneve për një angazhim më të frytshëm dhe për të përforcuar më tej rekomandimet e planit të veprimit.
Gjithashtu, po ditën e sotme, organizatat e mbrojtjes së të drejtave të komunitetit LGBTI+, morën pjesë në në tryezën e konsultimit me temë “Identifikimi i problematikave dhe vështirësive të hasura gjatë veprimtarisë së mbrojtësve të të drejtave të njeriut dhe rekomandimet përkatëse për nxitjen dhe mbështetjen e veprimtarisë së tyre”, e cila u mbajt pranë zyrave të kryesisë së kuvendit me pjesëmarrës jo vetëm nga shoqëria civile dhe organizatat e angazhuara për të drejtat e njeriut, por edhe deputetë të parlamentit të Shqipërisë. Klotilda Bushka në fjalën e saj, u theksoi problematika të ndryshme lidhur me zbatueshmërinë e të drejtave të njeriut dhe përmendi në mënyrë të veçantë rritjen e numrit të raportimeve sa i përket rasteve të korrupsionit dhe të tjera që lidhen drejtpërdrejt me të drejtat e njeriut.
Në këtë takim, mbajti fjalën e saj dhe aktivistja e komunitetit LGBTI+, Xheni Karaj, e cila shtroi çështjen e gjuhës së urrejtjes kryesisht në media, drejtuar kryesisht grave dhe anëtarëve të komunitetit LGBTI. “Duke qenë se ndodhemi në kohën teksa është në shqyrtim Kodi Penal, do të ishte mirë që të konsideroheshin dhe sanksione që lidhen me gjuhën e urrejtjes dhe linçime që i bëhet figurës së aktivistit në Shqipëri. Kjo nuk ndodh vetëm me komunitetin, por edhe me gratë dhe aktivistët studentë përgjatë protestave, duke i intimiduar dhe linçuar ata”, përfundoi Xheni. Pas kësaj, Vasilika Hysi njëkohësisht dhe moderatore e kësaj tryeze konsultuese, u dakordësua me sugjerimet sa më sipër dhe sqaroi se këto sugjerime mund të bëhen pjesë e Rekomandimit nr.15, çështje për të cilën do të organizohet një tjetër takim i posaçëm vetëm me gazetarë që të njihen më mirë me të, si dhe të konsiderojnë shtesa apo ndryshime të tjera në lidhje me gjuhën e urrejtjes dhe jo vetëm.
Ndërkohë, java do të vazhdojë të jetë e mbushur me aktivitete në kuadër të Tirana Pride 2019. Për më shumë informacion mbi aktivitetet, mund të ndiqni faqen në Facebook.
Ditën e premte në ambjentet e qendrës rinore në Tiranë u çel ekspozita e fotografes Loreta Cuka me fotografi, histori dhe përjetime nga komuniteti LGBT+ në Shqipëri.
Ekspozita është një prej aktiviteteve të parashikuara në kuadër të Javës së Krenarisë, e cila nis ditën e sotme dhe do të kulmojë më Paradën e Krenarisë ditën e shtunë me 18 Maj.
Në ekspozitën e quajtur “Empty Closets” dhe të kuruar nga kuratorja Blerina Berberi, fotografja synon të zbrazë ‘dollapet’ e pjesëtarëve të komunitetit dhe të ndihmojë ato në procesin e gjatë dhe të vështirë të vetpranimit dhe atë të pranimit shoqëror.
Portretet e individëve LGBT+ të cilët për herë të parë dalin hapur në shoqëri janë të shoqëruara me historitë e tyre personale dhe përjetime nga dhjetëra pjesëtarë të tjerë të komunitetit të cilët ende e kanë të vështirë të bëjnë publik identitetin e tyre gjinor apo orientimin e tyre seksual.
Të gjitha këto portrete, janë rezultat i një pune dy vjeçare që fotografja ka ndërmarrë me qëllim fuqizimin e komunitetit prej vetë tyre. Ekspozita do të vijojë e hapur deri në datën 16 Maj në ambjentet e qendrës rinore.
Mungojnë më pak se dy nga zgjedhjet për në Parlamentin Europian, kur pothuajse 427 miliona qytetarë evropianë do të shkojnë në votime.
Zgjedhjet për Parlamentin Evropian, institucioni i vetëm e BE i zgjedhur drejtpërsëdrejti nga qytetarët, do të fillojë më 23 maj, me votimet në Holandë dhe Britaninë e Madhe, meqenëse pjesëmarrja e Londrës në zgjedhje, siç deklaroi zëvendëskryeministri britanik David Lidington, është e pashmangshme.
Votimi do të vazhdojë në datën 25 në Republikën Çeke, Letoni, Maltë dhe Sllovaki, ndërsa vendet e mbetura të BE-së, përfshirë Italinë, do të votojnë më 26 maj.
Janë gjithsej 751 vende eurodeputetësh.
Mandati aktual i Parlamentit Europian do të përfundojë në muajin korrik.
Në sesionin e parë plenar, eurodeputetët do të duhet të zgjedhin presidentin e Parlamentit Europian, 14 zëvendëspresidentë si dhe përbërjen e komisioneve, ndërsa në mes të korrikut dhe tetorit do të votohet kandidat i propozuar për presidentin e Komisionit të BE-së./ ATSH
Historiaime.al është një zë i pavarur në mbrojtje të të drejtave të njeriut. Ne raportojmë si për shkeljet e të drejtave të njeriut ashtu edhe për histori njerëzore që i promovojnë këto të drejta. Ky projekt synon të ndryshojë qëndrimet jo fort etike karshi të drejtave të njeriut nga ana e medias kombëtare si ajo e shkruar, ashtu edhe ajo vizive dhe media e re online.