Filmi i dedikuar këngëtarit legjendar të grupit Queen, Freddie Mercury, u shpall dje fitues i dy çmimeve të mëdha të Golden Globe që u zhvuillua mbrëmjen e së dielës në Beverly Hills.
“Bohemian Rhapsody” rrëfen historinë e Freddie Mercury dhe grupit të tij, Queen, fillimet e karrierës së tij dhe triumfet e tyre që i kthyen në legjenda të muzikës rock. Filmi triumfoi pavarësisht reagimeve të kritikës.
Ai triumfoi si filmi më i mirë dramatik, ndërsa filmi më i mirë komedi u shpall “Green book”. “A star is born” me aktorët Bradley Cooper dhe Lady Gaga, nuk arriti të çojë në shtëpi përveçse një çmim, atë të këngës origjinale më të mirë “Shallow”, ndonëse ishte nominuar për 5 çmime në tërësi dhe pritshmëritë ishin të mëdha.
Një tjetër surprizë e mbrëmjes ishte fituesi i çmimit për filmin më të mirë në gjuhë të huaj. Filmi “Roma” i regjisorit meksikan Alfonso Cuaron, është një gjysëm-autobiografi që flet për jetën e regjisorit dhe rritjen e tij në një familje me vështirësi ekonomike në lagjen Roma të kryeqytetit Meksikan.
Aktori më i mirë u shpall Rami Malek, i cili luajti rolin kryesor në “Bohemian Rhapsody”, ndërsa aktori më i mirë jo protagonist u shpall Mahershala Ali që interpreton në filmin, “Green Book”. Glenn Close fitoi çmimin e aktores më të mirë në kategorinë e dramës për rolin e saj në “Woman”, një çmim ky që pritej të fitohej nga Lady Gaga për rolin e saj në “A star is born”./k.j
Dita e sotme duhet të shënonte rikthimin e studentëve në auditore pas periudhës së pushimeve të festave, por mesa duket rezistenca studentore do të vazhdojë.
Është diskutuar gjatë javëve të fundit mbi problematikat qe mbeten ende të pazgjidhura e studentë kanë vendosur për të vazhduar bojkotin e për tu mbledhur në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ në orën 10:00.
Protesta pritet të vazhdojë deri në orën 16:00 ku studentët do diskutojnë më pas si do të vazhdojnë me qëndresën e tyre.
Klajdi Bello, një nga studentët protestues, ka postuar një video në faqen e tij në Facebook, teksa një student është duke gozhduar derën e një prej Fakulteteve.
Në protestën e sotme, studentët kanë ftuar të gjithë qytetarët që duan të protestojnë për të drejtat e tyre.
Pavarësisht disa vendimeve të Këshillit të Ministrave si dhe paktit për Universitetin të propozuar nga qeveria, studentët kanë paralajmëruar se nuk do të bëjnë kompromis dhe se do të kërkojnë plotësimin e kërkesave të tyre, jo me VKM, por me votë në parlament. Sipas studentëve, drafti për universitetin nuk është i plotë dhe i saktë, ndaj edhe protestat do të vazhdojnë. /k.j
Mëngjesin e sotëm qyteti i Fierit është gdhirë me protestat e naftëtarëve të uzinës së Ballshit. Arsyeja që i ka bërë bashkë naftëtarët në protestë është pushimi nga puna, kjo pasi uzina ka ndalur së punuari.
Sipas një njoftimi në Facebook të Organizatës Politike, kompania Bankers ka ndaluar së furnizuari me naftë bruto kompaninë administruese për rafinerinë. Kjo ka sjellë si pasojë 1.000 punëtorë naftëtarë të papunë. Shfrytëzimi i punëtorëve, keqpagimi dhe tanimë nxjerra e tyre jashtë pune pa kurrfarë procesi transparent ka nxitur protestat mëngjesin e sotëm pranë Prefekturës së Qarkut të Fierit.
Aktivistët e Organizatës Politike, të cilët u solidarizuan me protestat e naftëtarëve, listojnë kërkesat e parashtruara në protestë:
– rifillimin e punës;
– furnizimin me naftë të rafinerisë;
– anulimin e kontratës monopol për furnizimin me naftë;
– miratimin e Statusit të Naftëtarëve;
– lehtësimin e procesit të punësimit të studentëve të Gjeologjisë dhe Minierave në sektorin e naftës, etj.
Nuk është hera e parë që naftëtarët i kanë bërë thirrje autoriteteve për një investitor serioz në rafineri. Në dhjetor të vitit të kaluar ata protestuan për shkak të vonesës në paga dhe kushteve të papërshtatshme në të cilat detyrohen të punojnë./k.m/
Burimi: Organizata Politike
Një nga pioneret e komunitetit transgjinor, Julia grant është larguar nga jeta. Ajo ka qenë subjekt i një prej dokumentarëve të parë që janë realizuar për çështjet e këtij komuniteti. Grant u bë pjesë e serive të dokumentarit “A change of sex”, që fokusohej në tranzicionin gjinor të saj duke përfshirë kirurgjinë e ndryshimit të seksit dhe terapinë hormonale nga viti 1979 deri në 1999.
Ky dokumentar mendohet të jetë dokumentimi i parë në televizion i një tranzicioni gjinor. Regjisori i dokumentarit është David Pearson. Seritë e dokumentarit shkaktuan debate brenda komunitetit transgjinor pasi në dokumentar Julia ende referohej me emrin e vjetër (dead-naming).
Sipas burimeve policore, Grant u largua nga jeta në orët e para të ditës së mërkurë. Shumë pjesëtarë të komunitetit transgjinor, dhe jo vetëm, lëvdojnë punën dhe tributin e Grant në aktivizmin social. Fakti që ajo pranoi të ndante me të gjithë publikisht tranzicionin e saj gjinor duke hapur kështu udhën për shumë të tjerë nga komuniteti tregon shumë për figurën emblematike që ajo gëzonte./k.m/
Burimi: Pink News
Policia turke nisi të premten bastisjet në mbarë vendin për të kapur afro 150 persona, shumë prej tyre ushtarak, të dyshuar për lidhje me grupin e fajësuar për grushtin e shtetit të vitit 2016.
Prokurorët në Stamboll, Konia dhe Ankara lëshuan urdhër-arrestet për 137 vetë si pjesë e hetimeve të ndryshme për ndjekësit e predikuesit mysliman, Fethullah Gulen, njoftoi agjensia e lajmeve Anadolu dhe transmetuesi NTV.
Turqia pretendon se Gulen, i cili momentalisht jeton në SHBA, ishte ideatori dhe financuesi i grushtit të dështuar të shtetit kundër Presidentit Erdogan në Korrik të 2016-ës. Edhe pse akuzat janë mohuar nga Gulen, Turqia kërkon arrestimin dhe ekstradimin e tij drejt Turqisë.
Menjëherë pas rimarrjes së pushtetit nga presidenti Erdogan, autoritetet turke filluan një përndjekje të gjerë të përkrahësve të Gulenit që punonin në administratë, në arsim dhe ushtri, duke i quajtur ata dhe organizatat e financuara prej Gulenit si organizata terroriste. Dhjetëra mijëra njerëz janë arrestuar në lidhje me dyshimet se janë pjesë e organiatave të Gulenit që nga viti 2016, ndërsa mbi 100,000 janë shkarkuar ose pezulluar nga sektori publik.
Bastisjet e së premtes u zhvilluan në më shumë se 30 provinca, përfshirë dhe Ankaranë, ku prokurori publik lëshoi urdhër-arrest për 35 oficerë të joaktivë të marinës, duke përfshirë edhe 10 akoma në detyrë aktive.
Edhe pse Ankaraja është kritikuar nga mbrojtësit e të drejtave të njeriut dhe aleatët e saj perëndimorë mbi shkallën e goditjes, zyrtarët turq theksojnë se operacionet janë të nevojshme për të hequr “virusin” e shkaktuar nga infiltrimi i lëvizjes së Gulenit në institucionet kryesore turke./k.j
Burimi: REL
Një Kryetar Bashkie në shtetin meksikan të Oaxaca u vra që në ditën e parë të ushtrimit të kësaj detyre. Emri i tij është Alejandro Aparicio, i cili u përbetua si Kryetar i bashkisë së Tlaxiaco të martën dhe ishte duke shkuar drejt bashkisë për një takim me bashkëkolegët, kur u qëllua nga një person.
Fillimisht grupit të kolegëve dhe kryetarit i hapën zjarr. Tre prej tyre u dërguan në një spital lokal ndërsa kryetari gjeti vdekjen e menjëhershme. Ai vdiq nga një hemoragji gjaku të brendshme, pasi u qëllua me plumb në mushkrinë e tij të djathtë.
Një tjetër koleg ndërroi jetë të mërkurën si pasojë e plagosjes gjatë sulmit. Një 34 vjeçar me inicialet J.M.V. është arrestuar dhe dyshohet se mund të jetë vrasësi i Aparicio, shprehen burimet pranë Zyrës së Avokatit të Popullit.
I dyshuari i cili vjen prej shtetit të Chiapas, ka qenë më parë oficer policie në Meksikën veriore. Deri më tani autoritetet loakle shprehen se ky është emri i vetëm i lidhur me vrasjen e kryetarit. Presidenti i Meksikës, z. López Obrador u shpreh se është jo vetëm i pikëlluar për humbjen por edhe i shokuar që në një sulm i tillë ndodh në Oaxaca, një pej vendeve më pak të dhunshme në vend. Presidenti i dërgoi ngushëllime familjarëve të kryetarit të vrarë./k.m/
Burimi: CNN
Personat transgjinorë në Pakistan i kanë bërë apel të vazhdueshëm qeverisë për të implementuar mbrojtjen ligjore gjatë Paradës së komunitetit trans në Paksitan. Ky është tubimi i parë për të drejtat trans që zhvillohet ndonjëherë në Pakistan.
Ky tubim u bë në Lahore në 29 dhjetor ku morën pjesë anëtarë nga komuniteti trans që i bënë apel qeverisë të avancojë reformat për këtë komunitet. Sipas mediave lokale, aktivistët i bënë thirrje qeverisë që të implementojë reformat mbi të drejtat trans të cilat morën përkrahje nga ligjvënësit në fillim të vitit 2018.
“Kjo është hera e parë në historinë e Paksitanit që personat trans kanë fituar këto të drejta” shprehet aktivistja transgjinore Neeli Rana. Pavarësisht avancimit për të drejtat trans, në Pakistan vijon të mbetet ilegale të qenurit gej sipas një ligji britanik të implementuar në kohën e kolonizimit, ligj që nuk u shfuqizua kurrë.
Sipas këtij ligji kontrovers, marrëdhëniet seksuale gej janë të dënueshme dhe mund të dënohesh me heqje lirie deri në 10 vite. Personat gej nuk gëzojnë mbrotje nga diskriminimi./k.m/
Burimi: Pink News
Individët intersex njihen tashmë zyrtarisht në Gjermani dhe në qytetin e Nju Jork-ut në SHBA.
Sipas një ligji të miratuar në dhjetor, shteti Gjerman njeh tashmë zyrtarisht 3 gjini dhe personat intersex mund të ndryshojnë gjininë e tyre, pa qenë të detyruar të zgjedhin mes gjinisë mashkullore apo asaj femërore.
Një vendim i ngjashëm vjen dhe nga Nju Jorku, ku në certifikatat e lindjes që prej 1 Janarit u shtua opsioni X në kuadratin e gjinisë.
Përcaktimi i gjinisë X në të dy rastet duhet të shoqërohet me nje vendim mjekësor që mbështet rastin.
Individët interseks mund të lindin me karakteristika të të dy gjinive ose këto tipare mund t’i formohen më vonë gjatë jetës së tyre.
Shtete të tjerë që kanë bërë hapa para në njohjen e individëve interseks janë dhe Austria, Zelanda e Re, Australia, Malta, Kanadaja dhe India, ku njohja e personave interseks dhe të së drejtave të tyre ka marrë forma ligjore.
Kombet e Bashkuara deklarojnë sipas statistikave të tyre se rreth 1.7% e popullatës në botë janë persona interseks, një numër ky i barabartë thuajse me atë të individëve te lindur me flokë të kuqe./k.j
Ditët e fundit të Dhjetorit, Bashkia Tiranë përmes një propozimi për Këshillin Bashkiak, mori vendimin e shtimit të veprave penale të dënueshme në qytet dhe në listën e këtyre veprave kërkon të përfshijë dhe lypjen e shitjen në trotuare.
Për një qytet perëndimor evropian, vendimi edhe mund të justifikohej me politika të suksesshme sociale, strehimi apo punësimi për shtresat në nevojë, por kurrsesi nuk do të mund të justifikohej për hir të ‘së bukurës’ se trotuareve dhe shesheve.
Ende s’ka një vendim zyrtar nga Këshilli Bashkiak, por sërish reagimet ishin të shumta. Shoqëria civile dhe grupimet për mbrojtjen e të drejtave të njeriut kundërshtuan vendimin e pastër diskriminues dhe të papërgjegjshëm.
Edhe pse vendimi ende nuk është zyrtar, duket se policia bashkiake ka filluar të pastrojë sheshet nga “qytetarët e padenjë” që prishin bukurinë e pllakave të palara e gurëve të thyer të rrethuar me shkurre.
Video e mëposhtme tregon policët bashkiakë që përzënë lypsin dhe ndalojnë ‘aktivitetin kriminal’. / k.j
https://www.facebook.com/1195907813771518/videos/285564962151386/
Sipas anketave të zhvilluara, rreth 93% të qytetarëve shqiptarë janë në favor të anëtarësimit në BE, teksa vetëm rreth 42% e qytetarëve në Serbi janë në favor të hyrjes në BE. Gjithashtu rreth 58% e qytetarëve në Maqedoni mbështesin anëtarësimin në BE, por situata duket ndryshe në Mal të Zi ku vetëm 45% e qytetarëve janë pro anëtarësimit.
Këto rezultate vijnë nga një anketim të Eurobarometer të realizuar në vjeshtë të 2018. Shifrat tregojnë se 22% e qytetarëve serb e shohin anëtarësimin në BE si një vendim të gabuar. Ndërsa vetë shtetet anëtare të BE duken të ndara në lidhje me suportin ndaj zgjerimit të BE.
Mbështetja më e madhe për anëtarësimin e Balkanit Perëndimor vjen prej shteteve që janë anëtarësuar së fundmi si: shtete anëtare nga Europa qendrore me 66% të mbështetjes në Poloni dhe Lithuani, 65% në Rumani, 62% në Hungari dhe 61% në Kroaci. Spanja është rasti i vetëm në vendet perëndimore me rreth 71% mbështetje të qytetarëve spanjoll.
Në të njëjtën kohë, shumë shtete të tjera anëtare prej vitesh e shohin me skepticizëm zgjerimin ndaj Balkanit, me 64% të qytetarëve kundër në Finlandë dhe 62% kundër në Francë./k.m/
Burimi: European Views
Vetëm 5 minuta pas miratimit të ligjit për martesat brenda gjinisë së njëjtë, në Austri u regjistrua martesa e parë e një çifti lezbikesh. Ky çift që përbëhet prej Nicole Kopaunik dhe Daniela Paier u martuan në orët e para në 1 janar në qytetin juglindor të Velden, një vit pasi Gjykata Kushtetuese vendosi që martesat brenda gjinisë së njëjtë do të legalizoheshin me fillimin e vitit 2019.
Çifti vjen prej Alternberg an der Rax dhe Upper Murztal. Të dy janë 37 vjeçar dhe kanë qenë të fejuar për 4 vite. Përpara se martesat të merrnin fuqi ligjore, çiftet në Austri mund të regjistronin vetëm partnershipet në gjendjen civile por nuk gëzonin të njëjtat të drejta sikurse çiftet e martuara.
Kjo martesë u shndërrua në të parën në llojin e saj në Austri me ndihmën e autoriteteve lokale, si kryetari bashkiak Ferdinand Vouk. Ky u fundit u shpreh se ishte kënaqësi që të dyja u martuan në Austri./k.m/
Burimi: Pink News
Gjatë gushtit 2018, në një projekt mbi lirinë e medias shumë intervista u relizuan me gazetarë nga Serbia të cilët folën pak rreth censurës dhe vetë-censurimit, që është përforcuar nën regjimin “e hekurt” të Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vucic. Sipas gazetarëve, presioni i ushtruar mbi ta është shumë i madh.
Gazetarët shprehen se duhen t’i binden kërkesave të eprorëve, duke qenë të njëanshëm dhe jo neutral në raportimin e tyre. Gjithashtu pagesat e gazetarëve mbeten modeste si dhe siguria në punë mbetet e ulët. Qeveria kontrollon buxhetet e firmave të mëdha të marketingut përmes firmave shtetërore. Partia politike ku është pjesë Vucic, “Serbian Progressive Party” mbikëqyr sistemin politik dhe shumë kritikë të këtij sistemi shprehen se regjimi Vucic është më strikt se regjimi i Milloshevicit në kulmin e regjimit të tij në 1990.
Së fundmi janë shtuar transmetuesit publik dhe gazetat, të perceptuar si mjete të politikanëve dhe biznesmenëve, si dhe të dizenjuara për të promovuar interesat vetjak të tyre. Ky shtim i mediave ka sjellur disbalancë në paga dhe barazi.
Këtë vit Serbia u rendit 10 vende më poshtë duke u pozicionuar në vendin e 76 nga World Press Freedom Index të realizuar nga Reporters Without Borders, ku u citua një numër alarmant sulmesh mbi gazetarët dhe reporterët në Serbi. Shumica e këtyre sulmeve nuk ndëshkohet nga autoritetet dhe gazetarë investigativë mbeten më të rrezikuarit./k.m/
Burimi: Balkan Insight
Të dashur lexues!
Kemi kënaqësinë të ndajmë me ju numrin e dytë të revistës “TransMagazine”, e vetmja revistë online në Shqipëri dedikuar komunitetit transgjinor. Duke qenë se vizibiliteti i këtij komuniteti është shumë i ulët në median shqiptare, ndiejmë dyfish më shumë nevojën dhe detyrimin për t`i dhënë hapësirën e munguar
këtij komuniteti.
Në serinë e parë u fokusuam në histori nga komuniteti transgjinor i lokalizuar në Shqipëri, kurse këtë vit menduam të tejkalonim kufijtë gjeografikë e të sillnim për publikun histori të guximshme të aktivistëve transgjinorë nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Turqia.
Revista sjell ekskluzivisht intervista nga persona që kanë realizuar tranzicionin gjinor, aktivistë nismëtarë të daljeve të para publike si pjesë e komunitetit Trans në një vend si Kosova;
betejën ligjore mbi njohjen e identitetit gjinor; emocionet dhe ankthin që shoqërojnë procesin e tranzicionit, si dhe plot artikuj informues dhe edukativë.
Duke qenë se një pjesë e madhe e personave transgjinorë kërkojnë të nisin tranzicionin, një pjesë e revistës i dedikohet terapisë hormonale, duke qenë se informacioni lidhur me të shpesh mungon. Edukimi rreth kësaj terapie merr një rëndësi vitale, në momentin që ndeshim persona, të cilët e nisin atë pa një rekomandim mjekësor dhe duke mos qenë në dijeni të efekteve anësore të pakthyeshme, të cilat mund të rrezikojnë krejt procesin e tranzicionit.Në brendësi të revistës do të gjeni artikuj mbi ndërthurjen e artit me lëvizjen historike të komunitetit transgjinor si dhe plot sugjerime filmash për të gjithë
adhuruesit e Queer Cinema.
Shijojeni! Lexim të mbarë!
Stafi i “Pro-LGBT-së”
Gjatë vitit të shkuar portali Historia-Ime ka mbuluar tematika të ndryshme që prekin jo vetëm komunitetin LGBTI+ në trojet shqiptare, por dhe raste të tjera të lëna jashtë vëmendjes së mediave tradicionale. Duke ju falenderuar për mbështetjen që na keni dhënë dhe gjatë vitit 2018, më poshtë po publikojmë listën me 10 artikujt më të lexuar e më të klikuar gjatë vitit që lamë pas:
10 artikujt më të lexuar:
Duke ju falenderuar sërish për mbështetjen, redaksia e Historia-Ime ju uron Gëzuar Vitin e Ri 2019!
Historiaime.al është një zë i pavarur në mbrojtje të të drejtave të njeriut. Ne raportojmë si për shkeljet e të drejtave të njeriut ashtu edhe për histori njerëzore që i promovojnë këto të drejta. Ky projekt synon të ndryshojë qëndrimet jo fort etike karshi të drejtave të njeriut nga ana e medias kombëtare si ajo e shkruar, ashtu edhe ajo vizive dhe media e re online.