Vajzë! Diskriminimi i saj fillon që në lindje. Fatin e femrës fillojnë ta shkruajnë gratë që mblidhen qosheve kur lind ajo; ato ia përcaktojnë rolin duke e mbështetur në përvojat e tyre të shoqëruara me lot e fjalë: “E mjera kjo ç’ka ka me përjetu”.
Sjelljet e saj duhet të jenë në përputhje me ato sjellje të nënës, gjyshes, stërgjyshes, gjithmonë në përputhje me praktikat burrërore. Aq mirë janë adaptuar me nënshtrimin ndaj burrave sa që përulja ndaj tyre shihet si ligj natyral. Madje, edhe nëse bën një gjest të mirë e ia mbush syrin të tjerëve koplimentohesh me lavdatën: “si me qenë burrë ke vepru”, sepse gratë në sytë e të tjerëve s’janë në gjendje të bëjnë diçka më shumë se lyerja e thonjve, fytyrës e rregullimi i flokëve.
Jemi në shek. 21 por, ende në rrugët tona hasim në burra që ecin para grave të tyre kokëlartë, e ato me qafën e kërrusur ia ruajnë shpinën burrave të tyre gjysmë metri prapa. E trajtimin e nëpërkëmbur nuk e kanë vetëm nga bashkëshortët, gratë diskriminohen edhe nga shoqëria përreth duke filluar nga familja ku rriten, sepse fryma konvencionale që femra duhet të edukohet në parim është në përputhje me rregulla si: Duhet të jetë një bashkëshorte e mirë që të gjejë një burrë si i ka hije me shijet e të tjerëve e nëse nuk është e zonja të gjejë vetë, përkujdesen të tjerët pa pikë problemi se po ndërhyjnë në jetën private.
Po ashtu, mësohen të kenë kritere si nëna të mira e gra të urta e asnjëherë si presidente të suksesshme, zjarrëfikëse të shkathëta, police të mbrehta etj.
Lëre që këto nuk janë as në rend, por dëgjon edhe fjalë se as në market nuk i lënë të shkojnë sepse do i shohë dikush, e për gra tjera puna nuk është e nevojshme meqë e kanë rrogën e burrit. Ajo duhet të luajë rolin e amvisës e shkollimi i saj avullohet nën hijen e vet.
E ato që guxojnë të flasin shihen si të pamoralshme sepse qytetërimi i shfaqur nëpër rrjete sociale vlen vetëm sa për sy e faqe, llafet e vërteta thuhen në kafe e asnjëra grua s’do i shpëtojë leksioneve moraliste nga të moralshmit e liçencuar ilegalisht. Këta moralistë e përcaktojnë personalitetin në bazë të veshjeve, ku minifundet flasin më shumë se këmbët e zhveshura; të vishesh bukur e grimohesh në asnjë formë nuk mund që brenda atyre flokëve të rregulluara të ketë mend.
E gjithë jeta e tyre është luftë. Ato janë ushatare që duhet të përballen gjatë gjithë jetës me luftën për barazi duke e ngritur zërin në vesh të shurdhër sepse përpos “shoqërisë moderne” as ligjet nuk i kanë në krah. Misioni i tyre nuk është vetëm shtimi i popullsisë, misioni i tyre nuk është vetëm shërbimi ndaj burrave, misioni i tyre nuk është vetëm martesa ku një unazë do i zgjidhë të gjitha problemet, e pas martesës: “deri këtu ishte jeta”. Ambiciet e tyre shkojnë më larg se paragjykimet e të tjerëve./A.A.
Autoritetet në Hong Kong ende po rekomandojnë të ashtuquajturën terapi ‘të kurës gej’ për të rinjtë në nevojë, kanë pohuar organizatat e qytetit.
Koalicioni i Grave të Hong Kongut dhe Her Fund thonë se punonjësit socialë vazhdojnë të ofrojnë terapi konvertimi për të rinjtë për të cilët thonë se po luftojnë me seksualitetin e tyre.
Qeveria e Hong Kong-ut nuk pranoi ta ndalonte praktikën në vitin 2010, pavarësisht se aktivistët kanë paraqitur dëshmi të shumta tek Këshilli Legjislativ se praktika mund të shkaktojë dëme serioze tek individët.
Avokuesit e terapisë, abstenojnë nga marrëdhëniet e të njëjtit seks dhe bëjnë dush të ftohtë në përpjekje për ta ndaluar veten që të kenë dëshira homoseksuale.
Praktika e dënuar gjerësisht përfshin edhe goditje elektrike ndaj pacientëve.
Yeo Wai-wai, një zëdhënëse e Koalicionit të Grave të Hong Kongut, tha se adoleshentët me të cilët ajo punon i kanë thënë se punonjësit socialë i kishin rekomanduar terapinë.
“Kjo praktikë është e dëmshme për veten, sepse terapistët pretendojnë se individi nuk është mjaftueshëm i mirë duke mos qenë heteroseksual,” tha ajo.
“Kjo do të dëmtojë imazhin e tyre për veten. Ata do të ndjehen si humbësa dhe mund të kenë mendime vetëvrasjeje.”
Casey Kwok Ka-chai, nga Her Fund, një organizatë bamirëse që mbështet viktimat e dhunës në familje dhe ndeshet edhe me pakicat seksuale, tha se edhe asaj i është bërë e ditur që punonjësit socialë i referojnë adoleshentët tek terapistët e konvertimit.
“Ata nuk kanë njohuri të mjaftueshme dhe ndjeshmëri të mjaftueshme ndaj këtyre pakicave seksuale,” tha ajo.
“Në se këta njerëz kërkojnë shërbime këshillimi dhe ju i referoni ata në terapi konvertimi, ju nuk po i ndihmoni ata; ju po i lëndoni.
Ju po i thoni atyre se kanë një problem, por orientimi seksual nuk është problematik. Ai është një gjë e natyrshme.”
Znj. Kwok tha se praktika po “vendos edhe një shtresë tjetër presioni” për njerëzit LGBT në nevojë.
Nuk ka asnjë dëshmi që ‘terapia’ mund të ndryshojë seksualitetin e një personi dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se orientimi seksual nuk duhet të trajtohet si çrregullim.
Shoqata Mjekësore Britanike e ka dënuar terapinë ‘e kurës gej’ si të dëmshme në vitin 2010.
Ndërkohë Mike Pence, Zëvendës President i zgjedhur, e ka mbrojtur më parë terapinë, edhe pse e ka mohuar që ka mbajtur këtë qëndrim.
Duke refuzuar të thotë nëse terapia e konvertimit është në politikat e qytetit, një zëdhënëse tha për South China Morning Post se ata: “respektojnë veçantitë e secilit dhe çdo individi pavarësisht racës së tij / saj, gjinisë, moshës, orientimit seksual”.
Autoritetet e Hong Kong-ut, kur ju bë presion mbi çështjen, kanë pohuar se ata mbrojnë “perspektiva të shumta”, kur punonjësit socialë marrin vendime kur kujdesen për të rinjtë./A.A.
Shkruar nga: Ardiana Shala Prishtina
Problemi i dhunës në familje asht prodhim patriarkati dhe nuk mundet me u luftue me moralizma. A ju kujtohen këto: “nuk ban me ia mëshue, se ajo asht çikë”, “mos kaj, se ti je djalë, djali s’bon me kajtë!”. Dhe tani: “Banu burrë, e mos mësho.”
Dhuna ndodh, po thotë fushata e OSBE-së. Po, dhuna ndodh, por dhuna nuk pikë prej qiellit, dhuna prodhohet prej njerëzve. Asht e ranësishme me e ditë çka po dojna me thanë kur themi “dhuna ndodh” e përfundi e shkrujna “familja asht gjaja ma e çmueme. Mbroje!” ose “Banu burrë, mos mësho”.
Nëse nji djalë kish me ia mëshue nji vajze në shkollë, gjykimi i parë që kish me e marrë asht ai i përqeshjes që i ka mëshue nji vajze. Jo që ka zgjedhë dhunën si mjet me zgjidhë konflikt, apo si vegël me dominue, por sepse viktima nuk asht e denjët për forcën e tij burrnore. Kur djemtë dojnë me e ngacmue njani tjetrin në ushtrimet e tyne të përditshme të forcës së bërrylave, ma të dobëtin e grupit e përbuzin me “po rrehesh si çikë”.
Me i mësue djemtë që me i mëshue nji grueje nuk asht në rregull, sepse tani s’je taman burrë, asht e barabartë sikur me i mësue atyne që rolet gjinore janë të padiskutueshme. Ato role gjinore ku gruja asht gru, e dobët, e ligësht, e pa aftë me i gra kerrit si burrat dhe përgjegjjëse për krejt budallakitë në trafik (qysh pat konkludue nji herë pak a shum, nji alamet gazetar i joni) ndërsa burri, e po, burri vjen me thojza, dhe pa thojza. Ja pra u kthyem te tema e thojzave prap.
Te qito thojza asht themeli i dhunës në familje, që nënkupton dhunës me bazë gjinore. Te nocioni që ekziston burri, dhe burri i vërtetë.
Në këtë fushatë, maqoizmi vjen në shprehje përmes pikërisht këtij definimi të burrit dhe burrit të vërtetë. Pra burrit me thojza dhe burrit pa thojza.
Maqoizëm
Problemi nuk asht që kur thue “banu burrë mos mësho” je tue e dërgue nji porosi të implikume dhe të gabueme që: grueja nuk mëshon ashtu kështu; që me qenë burrë asht diçka e veçantë.
Porosia damtuese që po përçohet këtu asht që të qenit burrë asht dhunti; jo rastësi biologjike, që të qenit burrë asht përparësi ndaj gjinisë tjetër dhe drejtësia qëndron mos me e përdorë këtë përparësi, sepse gjinia tjetër nuk asht e barabartë me ty; që nji grue, tue mos qenë burrë, nuk asht e denjtë për forcën tande, sepse nëse ti i mëshon, atëherë ti nuk je burrë, e që i bjen me e përkthye, e unë nuk po di qysh kish me i ra ndryshe pos: ti je tani gru, dmth. diçka ma pak a ma keq se burrë, e jo që dhuna asht e ndalume me ligj, sepse grueja asht e barabartë me ty para ligjit.
“Banu burrë, mos mësho” asht përpjekje idotike me i marrë me të mirë burrat. Asht moral odash, moral i atij vendi ku burrat tue i rrotullue musteqet e tyne të gjata nëpër gishta, iu kanë drejtue djemve të ri: fol, mos u tut; ku burrat, burrat pra pa thojza, kanë marrë vendime ndëshkuese ndaj burrave të tjerë e në pikën e parë të saksionimit shoqnor e kanë vnue “zhburrnimin”. “Ai s’asht burrë.”
Porosia tjetër që po jipet këtu e implikume asht: burrat nuk i mëshojnë grave. Pra nëse ti bahesh burrë, ti nuk mëshon, sepse burrat nuk mëshojnë.
Rrenë koftë. Burrat i mshojnë grave, sa të mujnë. I kanë mshue gjithë. Bile bile i kanë mshue veç pse ato ishin gra, e bile bile i kanë mshue veç pse ata ishin burra. “A je burrë a çka, mshelja gojën kuçkës.” Kuptohet, me grusht.
Po nejse, kadale, OSBE-ja s’asht tue folë për burra. Ata po thojnë “burrat e vërtetë” nuk i mshojnë grave, që asht krejt tjetër sen. Që asht po aq shqetësuese. Sepse, dhuna në familje asht në shumicën e madhe e bazueme në gjini. Pra, dhuna në familje asht në shumicën e rastit ma së pari problem gjinor. Natyrisht që ka raste kur nji grue e rreh burrin, dhe pa dashtë me e injorue viktimën burrë në raste të tilla, asht shum e ranësishme me pasë parasysh që rastet e tilla, janë shum ma të rralla. Ndërsa e kundërta asht fenomen. Dmth ndodh qaq shpesh saqë s’mundesh me folë veç për raste ma. Dhe fakti që ka ma shum gra viktima të dhunës në familje se sa që ka burra, nuk asht rastësi. Sepse, dhuna në familje tue qenë ma së pari disbalanc gjinor në shoqni patriarkale për sa i përket të drejtave e obligimeve, asht dhunë gjinore dhe asht e rranjësume pikërisht në moralin e “banu burrë i vërtetë”.
Aaaaaa! Prit pak. Po kuptoj, ju e keni kuptue që me i hi grues dajak në nji shoqni patriarkate konsiderohet burrni. E tash po doni me përdor pikërisht këtë patriarkalizëm për me ndrru mentalitetin. Ueee çfare ide gjeniale! NUK FUNKSIONON, veçanërisht me të rritunit. Nuk munesh me i thanë nji burri, nëse nuk i mëshon grues je burrë, kur djemtë tanë i edukojmë që “me kajtë nuk ban, se djemtë nuk kajnë”. Dhe këtë edukim djemtë tanë e marrin në shpi, njejtë si në shkollë. Loçkat.
Prandaj me e luftue dhunën në familje, që mundet me u përkthye si dhunën ndaj grave, me “banu burrë, mos mësho” asht sikur me dashtë me zgjidh nji problem me vetë problemin.
Gratë nuk janë në vetvete gjinia ma e dobët. Ato nuk janë ma të dobëta se burrat. Diskriminimi që e përjetojnë në shoqninë ku jetojnë si grup i ban ato ma të dobëta, por ato nuk janë ma të dobëta si individë. Edukimi që marrin i ban ato ma të dobëta, sepse trajtohen si ma inferiore dhe hala pa pasë shansë me reagu vetë, kcen nji burrë me i mbrojtë, me pshtue fëtyrën e fisit. Shpesh i njëjti që kcen me ia kallxue vendin, kur nihet i kërcnuem prej saj e e kupton që edhe ajo po mujka e po dika diçka.
Qysh mundet me konë ma e dobët se burri nji grue kur të ka mbajtë ty nandë mujë në bark, të ka lind me dhimbje të hatashme tue u shkye në mish të gjallë? A po menon që s’mundet me nji shkelmë mes kamëve me të paralizue në sekond saqë ti as mos me marrë vesh preh kahit të ka ardhë a? Mundet, por na e kena mësue dhe po vazhdojna me e mësue që fati i saj asht në duer të burrit; asht në duer të burrit me vendosë ai çka nënkupton për të tash me qenë burrë; na e kena mësue mos me u rreh; mos me folë shum; me majtë krytë poshtë; … na po i thojna grues që “burri i vertetë nuk mëshon” e kur burri i saj ia mëshon na po e gjykojna ate që ajo e ka zgjedhë burrin e gabuem; e na po i thojna asaj lajmroje dhunën, sepse na përket të gjithëve. Por, “familja asht gjaja ma e çmueshme që ke”.
Banu njeri, jo “banu burrë”
Ajo çka na duhet me i mësue fëmijët në përgjithësi, asht respekti; që konfliktet nuk zgjidhen me dhunë; që ekziston truni që duhet me u përdorë ne vend të grushtave; që ata janë të barabartë pavarësisht a kanë pec a “asishne”, e na s’duhet me i mësue djemt tanë që ata duhet me u ba burra, e që ka burra me thojza e burra pa thojza, e tue u thanë kështu me i bind që me qenë burrë asht diçka e veçantë, asht forcë në vete.
Me i mësue fëmijët që dhuna nuk asht mjeti i duhun për me komunikue me dikë asht nji çashtje, por me i mësue djemtë që me i mëshue nji çikës asht gabim, se asht marre, veç çka e përforcon pozitën diskriminuese të grues/vajzës në shoqni tue krijue ndasi gjinore në kontekstin e vlerës dhe fuqisë në shoqni. E kur i thojna burrave “banu burrë mos mësho” asht njejtë sikur me u thanë djemëve “asht marre me u rreh me çika”. Na jena tue ia mësue kështu burrit, e djalit, privilegjin e dominimit gjinor në shoqni. Mësimi kryesor duhet me qenë “banu njeri”.
Barazia
Gratë nuk janë prej Venusi e burrat nuk janë prej Marsit. Nëse dojna me qenë nji shoqni ku gratë e burrat janë të barabartë, duhet me u lirue prej koncepteve të odave; të burrave të vërtetë. Nuk ekzistojnë burrat e vërtetë.
Na duhet me i eduku fëmijët tanë që dhuna nuk asht zgjidhje, dhe mundësisht tue u ba shembull. Na duhet me i mësue djemtë tanë që asht në rregull me kajtë; që nuk asht diçka e veçantë me pasë pec në vend të vaginës; që çikat mujnë me konë ma të forta se ai; që nuk asht nënçmim për pecin e tij nëse nji çikë asht ma e fortë se ai dhe e barabartë me të në shoqni.
Na duhet me i mësue çikat tona, që djemtë nuk janë ma të fortë se ato; që ato mujnë me fitue medalje ari; që ato mujnë me u ba nana; e mujnë mos me u ba nana; që ato mujnë me qenë të bukura e të mençuna; që nuk asht marre me e thirrë policinë kur nji hajvan ta mëshon; që nuk ia merr fëtyrën kurrkujt nëse ke të dashtun e tani s’ke të dashtun; që s’ka nevojë ajo me e majtë mi vete barën e mbrojtjes së nerës të babës e të vëllaut e krejt katunit; që ajo asht njeri; që ajo nuk ka me u gjykue në gjatësinë e fundit të saj se a e ka meritue a jo dajakun.
Kriminalizimi i dhunës në familje
Na duhet me iu thanë burrave tanë, që burgu s’asht për burra, por burgu asht për kriminel, e nji burrë që ushtron dhunë mbi familjen asht kriminel. Dhuna në familje asht krim.
Na nuk duhet me iu thanë njerëzve që familja asht e çmueshme; na duhet me i mësue fëmijët tanë që familja asht çka asht, ti nuk ke faj nëse nuk asht e mirë me ty; që ti nuk ke faj nëse nji familje nuk mundet me funksionu; që famije asht edhe veç ti e nana; që familje asht edhe veç ti e baba; që familje asht aty ku ty të dojnë. Na duhet me ia mësue fëmijëve tanë nji gjuhë të re të komunikimit ndërgjinor, ku gjinija nuk ka ranësi. Me i mësue me u ba njerëz e me besu që janë të barabartë, tue u dhanë shembull që kur të drejtat e tyne cenohen prej dikujt, dhunuesit ndëshkohen pavarësisht gjinisë.
Por na s’mujna me ua mësue fëmijëve tanë krejt këto, me këtë sistem të arsimit “zhgllë” që kemi; me këtë sistem të drejtësisë të korruptuem e të budallakavt e me politikanë në krye të detyrave që odën e kanë pus votash e nuk hezitojnë as në kuvend me urdhnu naj grue aty këtu me ua hangër. Kështu që uroj që OSBE-ja në misionin e saj në Kosovë, asht tue e marrë punën e saj në fusha tjera ma seriozisht, se sa që e ka marrë luftën kundër dhunës në familje, së paku me këtë fushatë, në të cilën për me iu kursye prej njo tre katër faqe shtesë, as nuk po filloj me i diskutue gabimet në këshillat psikologjike që jipen p.sh. në fotografinë tjetër ku thuhet “Nuk mundesh me e ndreçë nji lidhje të thyme”. Po thom veç qikaq: nashta munesh! /A.A.
Deputetja e Partisë Demokratike Majlinda Bregu ka reaguar mbi ngjarjen e rëndë të ndodhur dy ditë më parë në Fier, ku humbi jetën 42-vjeçarja Liljana Rukaj. Bregu thotë se ka siguruar një kopje të urdhrit të mbrojtjes së të ndjerës, dhe ngre disa pyetje për institucionet që duhet ta kishin parandaluar këtë ngjarje.
Reagimi i plotë:
Ministria e Drejtesisë më ka përcjellë sot, kopjen e Urdhrit të
Mbrojtjes së te ndjerës Liljana Rukaj. Në urdhër thuhet se burri
dhunues nuk duhet t’ i afrohet sikur edhe në dy metra distancë
viktimës. Sipas ligjit për Masat Parandaluese të Dhunës në Familje,
urdhri hyn në fuqi menjëherë dhe zbatimi i tij fillon pavarësisht
nëse i padituri është njoftuar ose jo.
Brenda 24 orëve, gjykata u dërgon kopje të urdhrit të mbrojtjes:
viktimës dhe personave të tjerë të përmendur në urdhrin e
mbrojtjes; prokurorit, kur ky ka paraqitur kërkesën; zyrës së
shërbimeve sociale pranë bashkisë ose komunës ku viktima, ose
personat e tjerë të përmendur në urdhrin e mbrojtjes, që kanë
banim të përkohshëm ose të përhershëm; komisariatit të
policisë së vendndodhjes ku viktima ose personat e tjerë të
përmendur në urdhrin e mbrojtjes që kanë banim të përkohshëm
ose të përher- shëm.
Nëse e ndjera Liljana Rukaj ka patur një urdhër mbrojtje nga Gjykata
pse nuk u mbrojt dot?
Tani i takon Ministrisë së Brendshme për të sqaruar:
-Cfarë masash ka marrë policia pas vendimit të Urdhrit të Mbrojtjes
për Liljana Rukaj?
-Nëse Viktima ka kërkuar ndihmë nga Komisariati i Zonës së banimit për
shkelje të Urdhrit të Mbrojtes?
-Nëse burri shtazë ka thyer detyrimin
për të mos iu afruar viktimës sic e cakton Urdhri Mbrojtes, a ka një
ankim dhe me pas regjistrim për këtë veper penale nga Komisariati i
Fierit?
Dje jam njoftuar për nje rast të ngjashem në Ersekë, ku per shkak se
pushteti vendor nuk merr përsipër dot strehimin e përkohshëm të
dhunuesit, ai lejohet te jetojë në një banesë me Viktimën!!!!!
4 jane institucionet kyc që duhet të mbrojnë nje grua të dhunuar:
Gjykata që lëshon dhe bën të Ekzekutueshëm Urdhrin e Mbrojtjes.
Policia e shtetit që merr masat për ta Zbatuar atë
Zyra e Përmbarimit (largon Dhunuesin nga Shtëpia)
Pushteti Lokal
Kush nuk e mbrojti Liljana Rukaj?!
/l.k./
Shkruar nga: Arnida Çapi
Mes indinjatës dhe dhimbjes për ngjarjet e kronikës së grave të vrara nga burrat e tyre, mendoj se ka ardhur koha e trajtimit seriozisht të gjendjes së femrës shqiptare. Nuk e di nëse ai burri në Fier do ishte në gjendje të vriste një burrë tjetër me të njëjtën mendje kriminale, por ai, forcën e nënshtrimit ndaj gruas e çoi deri në marrjen e jetës së saj.
Të dashura vajza, mos lini të dashurit tuaj t’ju trajtojnë me mosrespekt ndaj dinjitetit tuaj. Kam parë djem, te rinj, që ndalojnë në rrugë apo qoshe rruge të dashurat e tyre e i hakërrehen sikur i kanë pronë dhe ato justifikohen me ngashërim sikur i kanë jetën në dorë. Ajo sakrifikon. Sakrifikon veten për marrëdhënien.
Nuk është dashuri marrëzia me të cilën ajo nuk respekton veten me atë lloj trajtimi. Është sakrifikim. E pse? Sepse në mes frikës dhe paragjykimit ajo s’arrin të jetë dot vetja, të dalë nga stereotipi idiot i nënshtrimit ndaj mashkullit, të përmbushet e pavarur dhe të plotësohet me respekt.
Ajo eshte vajza e hijes autoritare të babait dhe ka parë si e ëma heshtte kur fyhej e ndonjëherë kur pasi bërtiste “mos!”, pritej vetëm heshtja që të mbyllej sherri.
Ai është djali i nënës që gatuan vaktin, gjatë të cilit merr ndonjë fyerje të pavend, në vend të një falenderimi. Ata mësuan të heshtin kur zëri i nënës së tyre thërriste për ndihmë edhe pse nuk foli; edhe pse nuk kërkoi të dëgjohej, ajo shpresoi se dikush do e dëgjonte, se do shpëtohej. Fëmijët ishin sakrifica e gruas dhe gëzimi pas çdo vuajtjeje, familja ishte misioni i saj.
Ashtu, vajza dëgjon e trembur të dashurin në rrugë e duron histerinë e tij duke u përpjekur të “shpëtojë” marrëdhënien. Ndërsa djali, edhe nëse s’do të donte, sërish në mes gabimesh, mësoi modelin e mashkullit që burrërohet sepse ka forcën e fjalës e dorës ndaj femrës. “Boll” dhe ajo pushon! “Te çova te jot’ëmë” dhe ajo e pranon, edhe si shaka që s’të bën të qeshësh.
Ai, ajo, ata jam unë, jemi të gjithë ne!
Ata që dëgjojnë ulërimën e gruas që hidhej e kishin dëgjuar më parë kur ai e rrihte, dhe ajo e denoncoi. Pallati dëgjonte, gratë pinin kafetë e lagjes, burrat mendonin se pale ç’faj kishte bërë gruaja që rrihej. Komshinjtë që nuk përzihen në punët e çiftit janë bashkëfajtorët e parë në vrasje, policët, gjykata që nuk detyroi largimin e dhunuesit nga banesa.
Pastaj është burri që hodhi nga pallati gruan. I thonë: kafshë… Dhuna është si gënjeshtra: Nga ato të këqijat që edhe po tolerove dhe pak, mjafton për të qenë më keq. Ai, “kafsha” jemi sërish ne nëse nuk distancohemi me forcën e fjalës, gjestit, reagimit, lëvizjes. Nuk mund të jetojmë të heshtur në një vend ku vriten gra nga burrat e tyre!
Të rrisim edukimin e respektit ndaj femrës, jo si një viktimë por si gjysma e shoqërisë, si gjysma e gjithçkaje; t’i themi asaj vajzës në rrugë që mos të lejojë askënd t’i cënojë dinjitetin, sepse aty nis dhuna. Dhe për asgjë nuk ia vlen shkëmbimi i sakrificës. Shoh që disa postojnë në statuse reagimet e tyre kundër dhunës ndaj gruas. Është e rëndësishme të reagojmë më shumë për të ndryshuar gjendjen e gruas shqiptare./A.A.
Mbrojtja e fëmijëve dhe përgjegjësia për të siguruar mirërritjen e tyre janë të kopsitura mirë nga ana ligjore, por si është situata tek implementimi i tyre në realitet? Kujdesi prindëror për pensionet ushqimore është një nga detyrimet për të siguruar mirërritjen e fëmijëve e që rrjedh nga Kushtetuta, Konventa Ndërkombëtare si dhe Kodi i Familjes.
Por çfarë do të thotë detyrim ushqimor?
Sipas Kodit të Familjes detyrimin për ushqim e kanë të gjithë anëtarët e familjes midis të cilëve ekzistojnë marrëdhënie, qoftë gjaku apo farefisnore. Ajo për të cilën flasim në këtë artikull është detyrimi që ka prindi ndaj fëmijës në rast të një divorci bashkëshortor. Kur një çift ndahet, gjykata vendos për fëmijët. Njëri prind, ai që plotëson kushtet e përcaktuara nga gjykata, merr detyrimin për rritjen dhe edukimin e fëmijës/ve dhe prindi tjetër detyrimin për ushqim. Detyrimi për ushqim është një shumë që përcaktohet në varësi të gjendjes ekonomike të prindit dhe kërkesave jetësore të fëmijës (mund të shkojë më shumë se 10.000 lek në muaj) për sa kohë fëmija është minoren ose deri në 25 vjeç nëse fëmija ndjek një shkollë.
Gjatë vitit 2014-2015 Qendra për Nisma Ligjore Qytetare ka bërë një monitorim të vendimeve të Gjykatës së shkallës parë Tiranë për zgjidhjen e martesës dhe rregullimin e pasojave të saj, ku përfshihet edhe detyrimi për ushqim. Ajo që është vënë re gjatë studimit është numri i madh i prindërve meshkuj që ishin debitor. Në 98% të 655 rasteve të shqyrtuara nga QNLQ, është nëna ajo që ka marrë në rritje fëmijët pas divorcit dhe që kërkon detyrimin ushqimor nga babai.
Nënat dëmtohen ekonomikisht nga divorci kur nuk ekzekutohet vendimi për detyrimet ushqimore nga babai
Gjatë një interviste me Avokaten Evis Garunja, mësojmë se është po nëna ajo që mbetet më e dëmtuar ekonomikisht pas divorcit, pasi nuk ekzekutohet vendimi i gjykatës për detyrimin ushqimor nga babai.
Dr.Av Evis Garunja
“Shikojmë që këto gra vijnë nga një pamundësi ekonomike që nga fillimi, plus që kanë një detyrim ndaj fëmijëve të tyre, detyrim që pastaj iu shtohet dhe bëhet dy herë më i madh pasi pala tjetër që ka detyrimin për t’iu përgjigjur nuk i përgjigjet. Dhe në këtë rast gjendja e tyre financiare bëhet më e rëndë”, thotë Dr.Av Evis Garunja.
Sipas Kodit Penal, nëse nuk paguan detyrimin e përcaktuar nga gjykata dënohesh me gjobë deri në 1 vit burg. Por znj. Garunja na shpjegon se kjo nuk është zgjidhja e duhur për nënën dhe fëmijën.
“Gjoba ose vitet e burgut nuk janë zgjidhje për fëmijën ose prindin që ka marrë për rritje dhe edukim fëmijën. Së pari lekët e gjobës i merr shteti dhe fëmija sërish nuk përfiton asgjë dhe së dyti nuk është parë asnjë rast gjatë monitorimit që pas shlyerjes së gjobës apo burgut, prindërit debitorë të kenë ndryshuar sjelljen dhe të kenë filluar të paguajnë detyrimin”.
Një tjetër problematikë e vënë re gjatë monitorimit është fakti se mbi 10% e prindërve debitorë ndodhen jashtë vendit dhe në këto raste vendimet e Gjykatës kanë ngelur të paekzekutuara me pretekstin se nuk mund t’i gjejnë se ku janë. Avokatja Evis Garunja na thotë se shumica e rasteve kanë të bëjnë me prindër që kanë jetuar në Shqipëri në momentin e marrjes së vendimit dhe kanë emigruar më pas, kryesisht në Greqi dhe Itali.
“Ato lidhjet tona të familjeve që ne i trumbetojmë si “Familja shqiptare është e shenjtë, është e fortë”, ne jo vetëm që i kemi harruar por i kemi çuar në mospërfillje. Fakti që janë jashtë shtetit, do të thotë që i kanë venë kapak historisë të tyre në Shqipëri. Jo vetëm që nuk takohen me fëmijët, nuk kujtohen asnjëherë t’i marrin në telefon apo të kontribuojnë në dhënien e një mendimi për vazhdimësinë e jetës së fëmijëve të tyre si dhe më e rëndësishmja, bëhen pengesë që fëmija bashkë me nënën të jetojnë në një vend më të mirë. Pasi një nënë nuk mund të zhvendoset të jetojë në një vend tjetër me fëmijët e saj pa patur lejen e prindit tjetër deri sa fëmijët të jenë minorenë”.
Avokatja Garunja shpjegon se numri i madh të debitorëve jashtë vendit, bëri që QNLQ të mendojë për një zgjidhje ligjore se si të bëhet i ekzekutueshëm vendimi i gjykatës edhe jashtë Shqipërisë.
Sipas Konventës së Hagës, shtetet përcaktojnë një autoritet përgjegjës. Në vendin tonë autoriteti përgjegjës është Ministria e Drejtësisë. Në këtë rast mjafton që pala e interesuar të bëj një kërkesë pranë MD ku vërteton se pala debitore ndodhet në këtë vend, në këtë adresë dhe MD duhet të vihet në punë me institucionet homologe në vendin ku ndodhet debitori dhe ta bëjnë të ekzekutueshëm vendimin e gjykatës.
Por jo gjithmonë është nevoja që çeshtja të shkojë deri në Ministrinë e Drejtësisë. Avokatja Garunja thotë se mund të aplikohen edhe masa shtrënguese për vjeljen e detyrimeve dhe janë të pajustifikueshme pretekstet se zyra e Përmbarimit nuk mund të gjejë se ku ndodhen prindërit debitorë.
Nëse këto masa shtrënguese do të kishin funksionuar, do i ishte dhënë fund edhe 10 viteve sorollatje të R.G nga Librazhdi e shumë nënave të tjera. Më poshtë lexoni historinë e një qytetareje të të përfaqësuar ligjërisht nga Qendra për Nisma Ligjore Qytetare.
Rasti i ndjekur nga Qendra për Nisma Ligjore Qytetare
R. G. është një qytetare nga Librazhdi që ka zgjidhur martesën ligjore me bashkëshortin e saj që në maj të vitit 2001. Nga kjo martesë ata kanë edhe dy fëmijë. Gjykata në atë kohë vendosi lënien për rritje dhe edukim të fëmijëve nënës së tyre, ndërsa babai, G. A. duhej të paguante një kontribut ushqimor në shumën prej 1000 lekë në muaj për secilin fëmijë.
4 muaj pas vendimit të Gjykatës, qytetarja i është drejtuar Zyrës së Përmbarimit Librazhd për ekzekutimin e vendimit gjyqësor. Edhe 1 vit më vonë, i ati i dy fëmijëve ende nuk kishte filluar likuidimin në mënyrë vullnetare të detyrimit ushqimor për fëmijët, ndaj përmbaruesi gjyqësor vendosi të bëjë sekuestrimin e pasurisë së debitorit G. A. U desh ndërhyrja e zyrës së Përmbarimit që prindi të paguante detyrimin ushqimor për fëmijët e tij. Por kjo gjë ndodhi vetëm deri në qershor të vitit 2006. Pas kësaj date, nëna dhe fëmijët nuk kanë përfituar më asgjë.
Ndërkohë, zonja ka kërkuar dy herë ndryshimin e vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Librazhd, për rritjen e masës së detyrimit ushqimor. Kërkesë e cila është miratuar nga Gjykata por nuk është zbatuar asnjëhërë. Arsyeja? – Debitori ndodhet në emigracion në Greqi dhe nuk ka pasuri të sekuestrueshme. Deri në datën 30.9.2013 kanë mbetur pa paguar 622.000 lekë të reja.
Duke parë se për më tepër se 8 vjet nëna e fëmijëve nuk ka pasur asnjë ndihmë nga ish-bashkëshorti për rritjen e tyre, i është drejtuar me kërkesë Gjykatës Kushtetuese e cila është shprehur se “kërkuesja nuk ka shfrytëzuar mjetin juridik të ofruar nga Konventa e Hagës, me qëllim transmetimin e kërkesës së saj për njohje dhe ekzekutim vendimi, në shtetin grek”. Në vendimin e saj Gjykata Kushtetuese ka theksuar detyrimin e organeve përgjegjëse për bashkëpunimin e ndërsjellë me organet homologe greke. “…Autoritetet gjyqësore të palëve kontraktuese do të komunikojnë midis tyre, për qëllimet e ndihmës juridike të ndërsjellë, për zbatimin e vendimeve gjyqësore me anë të organeve të tyre qendrore (d.m.th, nga ana e Republikës Greke me anë të Ministrisë së Drejtësisë dhe nga ana e Republikës së Shqipërisë, nga ana e Ministrisë së Drejtësisë)”.
Sipas Konventës së Hagës dhe marrëveshjes dypalëshe të ratifikuar mes Shqipërisë dhe Greqisë për ndihmën gjyqësore në çështjet civile dhe penale, ka një marrëveshje dypalëshe mes vendeve “Për njoftimin dhe dorëzimin jashtë shtetit të dokumenteve gjyqësore dhe jashtëgjyqësore në fushën civile dhe tregtare”.
Me ndihmën e QNLQ, qytetarja e ka dërguar në rrugë zyrtare kërkesën në Ministrinë e Drejtësisë por që prej vitit 2014 e deri më tani nuk është bërë asnjë hap më tutje në realizimin e të drejtës së R.G. për përfitimin e detyrimit ushqimor për fëmijët e saj.
/Marinela Gremi. Historia Ime/
Dhjetra gra qëndrojnë brenda mureve të shtëpisë nën tmerrin e dhunës së përditshme. Pjesë e dhunës në format më monstruoze të saj janë shpesh dhe fëmijët, teksa dëmet psikologjike që kjo sjell tek këta të fundit janë të pariparueshme.
Ky është një nga ato rrëfime të hidhura të një jete e cila ulëret dhimbje, padrejtësi dhe nëpërkëmbje.
Zonja me iniciale M.S nga Shkodra ka një histori dhune të cilën e përjeton prej vitesh brenda mureve të shtëpisë së saj. Ajo është nënë e katër fëmijëve, ndër të cilët, më i madhi 19 dhe më i vogli 12. Dhunuesi është bashkëshorti, babai i fëmijëve të saj.
E përkulur, me zërin që i dridhet ajo tregon:
“Kur u njoha me ish bashkëshortin, isha 15 vjeç. U fejova me shkuesi sepse e tillë ishte koha, po që në fillim vura re që dicka tek ai nuk shkonte. Ishte i ftohtë, i vrazhdë, më fajësonte për gjithcka. Ishte shumë më i madh se unë, nuk qeshte kurrë dhe më ngjallte frikë.
Përpara se të martohesha, ishte një moment në të cilin desha ta ndaj, por familja ime, vëllezërrit e mi nuk më lejuan sepse i vriste opinioni”.
Dhe ndërkohë që pyetet nëse është dhunuar që në fejesë ajo vazhdon:
“Nuk jam dhunuar para martese, edhe pse sillej ftohtë dhe ashpër. Dhuna mbi mua, ka filluar pas martese dhe sidomos pas lindjes së fëmijës së parë. Fjalët e tij: Ti nuk je grua për mua. Un e di si të kam gjetë ty…e të tjera si këto më vritnin, ndërkohë që unë kur e mora as që e kuptoja jetën, martesën dhe përgjegjësitë familjare. Nuk isha e përgatitur për cfarë më priste. Isha mësuar me punët e shtëpisë, rregullin, dhe me idenë që gruaja duhej t’i bindej burrit. Për këtë arsye vazhdoja jetën me të, dhe cdo herë që duroja fyerjet dhe veprimet e dhunshme ndaj meje, ato shtoheshin.
Veprimet e dhunshme nuk i kursente as ndaj djalit tonë, i cili po rritej jo vetëm duke parë nënën e tij të dhunohej, por po dhunohej edhe vetë.
Ndërkohë, gruaja e dhunuar vazhdon rrëfimin.
Ndërsa vitet kalonin, lindi djali i dytë dhe më pas vajza e cila ishte viktima e tij më e “parapëlqyer”. Ai jo vetëm që e dhunonte fizikisht, por një herë kishte aluduar dhe veprime të tilla të cilat nënkuptonin një natyrë abuzuese. Dhuna fizike dhe fyerjet ndaj saj të tilla si: “ti je prostitutë” kur ajo donte të dilte me shoqet apo presionet e vazhdueshme arritën në pikën që ajo të tentonte të vriste veten.
“Jam e shqetësuar për djalin e vogël”, vazhdon ajo.
“Ai flet shumë pak, është i mbyllur në vete, ka frikë dhe probleme në komunikimin me njerëzit”. Ajo është e vetëdijshme që dhuna e asistuar në të cilën ai ka qenë i pranishëm për vite me radhë, e ka dëmtuar emocionalisht.
Ajo tregon se më në fund e mori vendimin për t’iu drejtuar gjykatës.
Arsyeja ishte dhuna dhe kërcënimi për jetën, që ish bashkëshorti dhe babai i fëmijëve të saj në gjëndje totalisht të dehur ushtroi mbi ta. Me ndihmën e përfaqësuesit ligjor, ajo iu drejtua organeve të rendit ku denoncoi dhunën dhe ku njëkohësisht kërkoi dhe zgjidhjen e martesës.
Aktualisht ajo jeton në banesën e dikurshme bashkëshortore, dhe është një ndër rastet e suksesit në të cilat dhunuesi është detyruar të largohet nga banesa.
Historia e kesaj gruaje ngjason me shumë histori të tjera dhune në qytetin e Shkodrës, ku shkaqet e dhunës mbi vikitimat nuk i gjejmë vetëm tek mentaliteti dhe formimi përmes një kulture të dhunshme, por edhe në faktorë të tjerë, sic janë përdorimi i alkoolit apo lojrat e fatit.
Duke përmbyllur, kjo grua falenderon organet e rendit dhe drejtësisë për mbështetjen duke vijuar:
“Kultura në të cilën ne jemi rritur, ajo që nënat tona na kanë mësuar është të durojmë, të mbajmë përgjegjësitë e familjes dhe t’i përshtatemi burrit, sido që ai të jetë. Unë sot nuk them kështu. Kam një vajzë, e cila ka moshën që unë kisha kur më fejuan, të cilën e mbështes në pëpjekjet për t’u shkolluar dhe për të krijuar pavarësinë e saj në jetë. Unë nuk kam vazhduar studimet, dhe as nuk kam punuar. Besoj se kjo më shtynte të isha e varur prej tij.”
Pastaj vështron me krenari djemtë dhe vazhdon:
“Edhe pse unë nuk punoj, sepse është e vështirë për një grua të moshës sime, pa arsimin e lartë të gjejë punë në ditët e sotme…djemtë e mi punojnë. Mundohem t’i mbështes dhe të jem pranë tyre në cdo hap. Është detyra dhe përgjegjësia ime, që ata të rriten të zotët e vetes” Ajo tashmë është e bindur se ata do të jenë burra më të mirë, se ai që i ka dhunuar brënda mureve të shtëpisë. /A.A.
Edhe pse jeta nuk është e lehtë për të, transgjinorja Anxhela mundohet të ndihmojë edhe të pastrehët e tjerë. Për Anxhelën dhe Fatimen, shtëpia në këto ditë të ftohta dimri është lulishtja para Parlamentit, e krevati, stolat e lulishtes.
Fatimja është nënë e 5 fëmijëve, me të cilët i ka humbur kontaktet që prej vitit 2003. Ajo thotë për Report TV se djemtë i ka në Greqi ndërsa një vajzë të martuar në Fier dhe asnjëri nuk do t’ia dijë për të. Fatimja dhe Anxhela ndihmojnë njëra – tjetrën. Prej dy vitesh Fatimja ka humbur shikimin dhe gjatë ditës lyp në rrugët e Tiranës, ndërsa Anxhela kujdeset për të. Ajo thotë për Report TV se e mban afër e kujdeset për Fatimen sepse është e moshuar dhe e sëmurë.
“Një natë ishte sëmurë dhe lajmërova ambulancën. Erdhën deri këtu, pastaj nisën të tallen. “Pse thanë me endacakët e rrugëve do merremi ne”, tha një doktor”, tregon Anxhela për Report TV.
Për Fatimen, Anxhela është i vetmi person që ka familje dhe kujdeset për të sot. “Ditën unë dal e lyp se jam e verbër dhe nuk mund të punoj. Dhe për mua të rrojë e të mbretërojë Anxhela Hoxha se derisa të kem frymë unë, nuk ka për të punuar natën Anxhela”, thotë Fatimja.
Strehimi ka qenë prej kohësh problem për Anxhelën. Me gjithë ndihmën e organizatës Aleanca LGBT për të marrë me qira një shtëpi, deri tani ka qenë e pamundur. Xheni Karaj, aktiviste për të drejtat e komunitetit LGBT, shpjegon se edhe pse kanë siguruar lekët për të paguar qiranë, njerëzit nuk pranojnë.
“Na është premtuar nga bashkia Tiranë që për muajin Dhjetor do të merret një vendim për bonusin e qirasë. Ndërkohë për të mos pritur më gjatë se është edhe dimër, ne kemi filluar tashmë të kërkojmë për një banesë por jemi ndeshur me vështirësi pasi pronarët apo e marrin vesh për kë e duam banesën, nuk duan që ajo të strehohet aty”, thotë Karaj. /m.g/
Burimi/ Shqiptarja.com
Çeta, një grup anonim të rinjsh që përdorin “street art” për aktivizëm, realizoi dje në Tiranë veprën e quajtur “Buongiorno, vi parla l’Albania” (mirëmëngjesi , ju flet Shqipëria).
Aktivistët e Çetës kanë sjellë imazhin e Motrës Tone, veprës së famshme të piktorit Kol Idromeno, të vendosur në kontekstin e një prej 25.000 mijë të rinjve shqiptarë që punojnë në industrinë call center.
Në reagimin e publikuar në faqen e Facebook bashkë me veprën ata krahasojnë risinë që solli Motra Tone në artin shqiptar me grupin e ri të “studentëve punëtorë”, që ka nisur të shfrytëzohet nga sektori privat i call center vitet e fundit.
“Bashkëmoshatarët e motres Tone sot përballen me të vërtetën e hidhur se dijet e fituara me mund dhe diploma universitare, do të jenë fare të panevojshme me klientët matanë detit teksa përpiqen t’u shesin në biseda të stërgjatura në italishten e Pippo Baudos apo Cristina D’Avenës, ushqim për kafshë të ndryshme, sapunë organikë, siguracione makinash, asistenca linjash ajrore, e shumëçka tjetër që ndoshta si hyn në punë as dreqit. Kapanonë të tërë centralistësh që gëlojnë si koshere bletësh në ndërtesa të reja e moderne në qëndër të qytetit, apo skuta ilgale periferish teksa disa të tjerë ofrojnë seksualitetin e tyrë në linja të nxehta telefonike “, thuhet më tej në reagimin e Çetës.
Foto: Çeta- art- collective
Më tej ata denoncojnë kushtet e vështira të punës në këtë industri, duke ngritur në fund një pyetje për të rinjtë shqiptarë:
“Kushtet specifike të punës që ndikojnë drejtpërdrejt në vështirësimin e dëgjimit dhe pamjes, orë ekstra me apo pa pagesë, vonesa për pagat, presioni për të realizuar normat, pamundësia për të ndërvepruar, pamundësia për t’u organizuar, konkurrenca e ashpër, pagat jo të larta dhe mbi të gjitha mungesa e perspektivës, ka prodhuar një tëhuajzim të skajshëm të një brezi të tërë studentësh e të sapo diplomuarish në përballjen e tyre të parë me tregun e punës. Tonet e call-centerave janë zhveshur nga shpresa për një punë e një të ardhme më të mirë, teksa i ka ngërthyer ankthi nga diskutimet e fundit në senatin italian për mbylljen e tyre. Dhe ajo çka mbetet është dilema e përditshme shekspiriane: të papunë apo të skllavëruar në punë?
Buongiorno signore, come vi posso aiutare?”
Aksioni i grupimit Çeta vjen në kuadër të projektit “Heroes we love” dhe është i mbështetur nga Tirana Art Lab.
/l.k./
Parlamenti grek miratoi projekt-ligjin kontroversial, pavarësisht mungesës së 73 deputetëve nga gjithë partitë e ndryshme në një parlement prej 300 deputetësh.
Projekt-ligji do të zgjerojë të drejtat e çifteve të të njëjtit seks në Greqi, si dhe të sigurojë barazinë në vendin e punës, pavarësisht orientimit seksual, gjinisë apo fesë.
Projekt-ligji u miratua nga 201 deputetë dhe u votua kundër nga 21 të tjerë, ndërsa pesë as nuk e mbështetën as nuk e refuzuan legjislacionin.
Shtypi grek ka raportuar se Deputeti i djathtë Constantinos Katsikis kishte dalë kundër projekt-ligjit të Ministrisë së Drejtësisë, duke thënë se Grekët e Pavarur do të mbeten “besnikë” të “besimeve të krishtera dhe sociale si patriotë grekë.”
Kjo vjen pasi partneritetet civile brenda të njëjtit seks u legalizuan në dhjetor të vitit 2015 që erdhi si përgjigje ndaj Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut që dënoi Greqinë për diskriminim anti-gej..
Adoptimi i përbashkët për çiftet e gjinisë së njëjtë ende nuk është i ligjshëm, as martesa brenda të njëjtit seks ose trajtim IVF(fertilizim in-vitro) për çiftet lezbike.
Por ligji në lidhje me ndalimin e gjuhës së urrejtjes dhe krimeve të urrejtjes thuhet se është një nga më të ashprit në Evropë./A.A.
Aksioni i Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) ka hasur sot në kundërshtinë e banorëve ët rrugës “Faik Konica” në kryeqytet.
Pjesëtarët e familjes Duma, që pretendojnë se e kanë ndërtuar një mur rrethues me leje në vitin 1991, kundërshtojnë vendimin e IKMT për shembjen e murit që klasifikohet si i ndërtuar së fundmi dhe pa leje.
Balkanweb raporton se banorët kanë kërkuar punonjësve të IKMT t’u tregojnë dokumentin që urdhëron këtë ndërhyrje. Dokument i cili nuk është paraqitur dhe është bërë shkak për nisjen e konfliktit.
Ky konflikt ka sjellë përplasje të banorëve me policinë e cila ka përfunduar me 2 qytetarë që kanë humbur ndjenjat dhe 4 të tjerë të shoqëruar në ambientet e policisë.
Video: Përplasja mes banorëve të rrugës “Faik Konica” dhe policisë/ Balkanweb
Video: Qytetarja akuzon punonjësin e policisë për ushtrim dhune/ Syri.net
https://www.dailymotion.com/video/x5480mk_perplasja-tek-faik-konica_news#tab_embed
/l.k./
Pas një sërë protestash, aktivistët dhe qytetarët kanë nisur ta luftojnë ligjërisht ndërtimin e hidrocentraleve në lumin Vjosa. Një grup organizatash për mbrojtjen e mjedisit EcoAlbania, Riverwatch dhe EuroNatur bashkë me 38 banorë të prekur, çelën sot procesin gjyqësor kundër ndërtimit të hidrocentralit të Poçemit.
“Jemi të vendosur ta mbrojmë këtë kërkesë në të gjitha hallkat e sistemit të drejtësisë. Bëhet fjalë për mbrojtjen e një prej zonave natyrore më me vlerë jo vetëm në Shqipëri por në gjithë Evropën”, thotë Olsi Nika, koordinator i fushatës “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës” nga EcoAlbania.
Cilat janë arsyet e kësaj padie?
1.Vlerësimi në mjedis është i kopjuar dhe i papërshtatshëm
Aktivistët kanë analizuar Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis të hartuar për këtë projekt me ndihmën e profesorëve dhe specialistëve të huaj. Rezultat tregojnë se më shumë se 60% e kësaj VNM-je është plagjaturë e kopjuar nga projekte të tjera duke shtuar se mungon edhe vlerësimi i florës dhe i faunës.
Profesor Schiemer nga Vjena, i cili ka analizuar këtë raport VNM-je, së bashku me kolegë të tjerë nga Shqipëria, Gjermania dhe Austria konfirmon: “Nuk kam parë më parë një VNM kaq të dobët. Gjithçka është një farsë. VNM-ja duhet të përsëritet dhe të hartohet sipas standardeve ndërkombëtare.”
Aktivistët thonë se për këtë projekt është mbajtur vetëm një konsultim publik në qytetin e Fierit, ku asnjë nga pjesëmarrësit nuk ishte banor i zonave të prekura. Ndërsa banorët e fshatrave Kutë, Çorrush, Sevaster, Shkozë, Golimbas, Mazhar etj, të cilët preken nga projekti i HEC-it të Poçemit nuk janë informuar. Vetëm në fshatin e Kutës pjesa më e madhe e tokave bujqësore dhe ullishteve do të përmbyten nga rezervuari i HEC-it prej 2400 hektarësh dhe 90 persona do të detyrohen të shpërngulen.
Vjosa është lumi i fundit i egër në Evropë. Ajo rrjedh e paprekur përmes grykave të thella, zallishteve dhe ishujve për rreth 270 km nga malet e Pindit në detin Adriatik. Qeveria shqiptare i ka dhënë dritën jeshile kompanisë turke për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit, i cili është planifikuar të ndërtohet në pjesën më të pasur ekologjikisht të lumit të Vjosës.
Fushata “Save the Blue Heart of Europe” synon të mbrojë lumenjtë me vlera më të mëdha natyrore në gadishullin e Ballkanit. Fushata koordinohet nga OJF-të ndërkombëtare Riverwatch dhe EuroNatur në bashkëpunim me organizatat partnere në vendet e Ballkanit
/l.k./
Gjatë një takimi me të rinj, ministrat Ditmir Bushati, Blendi Klosi dhe Mirela Kumbaro u përballën me një pyetje që duket se i gjeti të papërgatitur. Në një bisedë ku flitej për karrierën, kohën e lirë etj, aktivistja e Organizatës Politike Albina Ruko, i pyet ministrat se cila është strategjia e tyre për të mbrojtur të rinjtë si Ardit Gjoklaj (17-vjeçari që ndërroi jetë në landfillin e Sharrës) dhe të tjerë si ai që punojnë.
“Për të rinj si puna e Arditit apo mijëra të tjerë që punojnë, çfarë strategjie do të kemi për këta të rinj? Apo thjesht do t’i lem aty në hije si gjithmonë?”, ka qenë pyetja e aktivistes Ruko që nuk mori asnjë përgjigje.
Siç shihet edhe nga videoja, ministri i Punëve të Jashtme Bushati dhe ministrja e Kulturës Kumbaro, kanë ulur kokat, ndërsa ka qenë ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Blendi Klosi, i cili ka kaluar bisedën duke thënë “Ka ndonjë pyetje tjetër”.
Pas salcës ndaj ministres së Arsimit Lindita Nikolla, pyetja e aktivistes Ruko duket se ishte një tjetër “shpëlarje” në pak kohë për Qevrinë Rama. /m.g/
Reagimi në Facebook i Organizatës Politike për pyetjen e aktivistes Albina Ruko
Në njërin nga takimet e shumtë propagandistikë të qeverisë, ishin të ftuar për të folur për rininë ministrat Blendi Klosi, Mirela Kumbaro dhe Ditmir Bushati. Pyetjet ishin të parapërgatitura për t’u lexuar nga “të rinjtë e interesuar” të forumit partiak që në shumicë mbushnin sallën. Pyetje sesi e kalonin kohën e lirë, çfarë këshillash mund të jepnin për një karrierë të suksesshme, etj.
Ministrat u gjendën të papërgatitur dhe u vunë në siklet nga pyetja e aktivistes së Organizatës Politike, Albina Ruko, e cila i pyeti se çfarë planesh kishin për të rinj si Ardit Gjoklaj, të cilin pushteti i tyre e vrau mizorisht mbi një mal mbeturinash në Sharrë. Ata heshtën dhe e devijuan bisedën drejt pyetjeve limonatë të forumistëve të tyre.
Por sado që t’i shmangen të vërtetës, Arditi kërkon drejtësi!
Po zonja, e dëgjuat mirë – të gjitha gratë në Rusi, që tani e tutje, mund të vrasin përdhunuesit e tyre për vetëmbrojtje! Kjo do të thotë se asnjë grua nuk do të jetë përgjegjëse për reagimin e saj, sepse ishte për vetëmbrojtje!
Disa javë më parë, Putin ka bërë të ditur luftën kundër përdhunuesve dhe pedofilëve, dhe tha se këta kriminelë po bëjnë akte të cilat turpërojnë drejtësinë ruse. Kjo është arsyeja kryesore pse ai sugjeroi këtë legjislacion, dhe disa javë më vonë – ai u miratua!
Legjislacioni i ri ka befasuar shumë njerëz në të gjithë Rusinë, veçanërisht gratë! Ato e kanë mbështetur këtë legjislacion, veçanërisht për shkak se përdhunimi është bërë “diçka”e përditshme në Rusi. Çfarë mendoni në lidhje me këtë ligj zonja?/A.A.
Princi Harry dhe ylli i muzikës pop Rihanna, kanë bërë testin e HIV-it për të shënuar Ditën Botërore të AIDS.
Të dy takuan vendas në ishullin Barbados, pas një festimi për 50-vjetorin e pavarësisë të ishullit.
Princi Harry bëri shaka se testi do të ishte i dhimbshëm, ndërsa u përpëlit kur infermierja shkoi për të shpuar gishtin e tij.
Kjo ishte hera e dytë që Harry ka bërë testin në publik brenda pesë muajve në një përpjekje për të zvogëluar stigmën rreth virusit.
Herën e fundit që Princ Harry bëri testin, ka pasur një rritje të pabesueshme të pesëfishtë tek njerëzit që bëjnë testin e HIV-it.
Momente më vonë, Rihanna dëshmoi se ajo ishte më e fortë se princi, duke thënë: “E bëre të duket sikur dhemb.
“Nuk është aq e dhimbshme sa the në mëngjes.”
Të dy, si Princi Harry ashtu dhe Rihanna dolën negativë kur erdhën rezultatet e tyre 20 minuta më vonë.
Princi ndjek gjurmët e nënës së tij, e cila ishte e famshme me fushatën e saj për t’i dhënë fund stigmës rreth njerëzve me HIV/AIDS.
Princ Harry vjen për eventin “Man Aware” të mbajtur nga Komisioni Kombëtar Barbados për HIV/AIDS
Pothuajse një e treta e britanikëve mendojnë se HIV mund të merret duke ndarë një furçë dhëmbësh me dikë që është i infektuar, ka sugjeruar një studim.
Bamirësi Terrence Higgins ka thënë: “Mitet e pasakta që nga viti 1980 janë ende thellësisht të ngulitura në shoqëri”.
Shifrat e publikuara nga Public Health England (Shëndeti Publik Anglez) sugjerojnë se 101,200 njerëz kanë jetuar me HIV në Britani të Madhe në vitin 2015, por rreth një në tetë ka infeksion të padiagnostifikuar.
Ka pasur 6,095 diagnoza të reja të infeksionit gjatë këtij afati kohor, 43% e të cilave ishin në Londër.
Burrat që bëjnë seks me burra mbeten grupi më i madh që infektohen me HIV, duke përbërë 56.1% të të gjitha infeksioneve të reja./A.A.
Historiaime.al është një zë i pavarur në mbrojtje të të drejtave të njeriut. Ne raportojmë si për shkeljet e të drejtave të njeriut ashtu edhe për histori njerëzore që i promovojnë këto të drejta. Ky projekt synon të ndryshojë qëndrimet jo fort etike karshi të drejtave të njeriut nga ana e medias kombëtare si ajo e shkruar, ashtu edhe ajo vizive dhe media e re online.