Nga Isa Myzyraj
Më vjen turp sepse 1 në 2 gra e vajza, janë të dhunuara në vendin tim e vendin tënd!
Më vjen turp, sepse djemtë në vendin tim vrasin të dashurat, nënat e fëmijëve të tyre vetëm pse i kapin duke bërë seks me dikë tjetër.
Më vjen turp, sepse djemtë në Shqipëri martohen, bëjnë fëmijë dhe ikin në emigrim lënë gratë e tyre të vetme, dhe kur kjo e fundit shkon me dikë tjetër ata nuk ngurojnë t’i publikojnë edhe videon në media. Sigurisht që gruaja do të shkojë me dikë tjetër, kur ti e trajton si lodër dhe e lë 10-15 vjet duke të pritur. Kush je ti që dikush të të presë?
Më vjen turp, që shokët e mi në një bisedë 1 orëshe në kafe, 40 minuta flasin vetëm si e si të “kapin vajza” e i trajtojnë ato vetëm si objekte seksuale. Mos thoni që nuk është e vërtetë, e bëni të gjithë, këtë, në fjalinë e dytë të bisedës i thoni shokut: “Ke kapur ndonjë gjë?” për këtë më vjen turp.
Më vjen turp sepse nëse një djalë bën seks me 10 vajza i thonë “bravo” e nëse një vajzë bën po të njëjtën gjë, i bëjnë gjyqin dhe minimum e quajnë “kurvë” e maksimumi do e vrasin. Ka ndodhur, mos thoni jo, ndodh akoma!
Më vjen turp që akoma në periferitë e vendit tonë, por edhe në qytete, vajzat martohen me dëshirën e babait, apo nënës. Më vjen turp të shikoj këdo që e trajton gratë e vajzat në këtë vend si pronë, e që fatkeqësisht janë shumë.
Më vjen turp, kur shoh të lindin një vajzë sepse e di, e di mjaft mirë se çfarë do të heqë e gjora në këtë vend maskilist, burrash të dobët e përdhunuesish. Por ngushëllohem me faktin që dashtë zoti deri sa të rriten ato, ky vend të ndryshojë mendim, të ndryshoje qasjen ndaj gruas.
Më vjen turp që komshia ime punon 8 orë në fabrikë, por burrin e ka pijanec tek shtëpia, dhe një zot e di çfarë ndodh Brenda atyre mureve. Përtej se më vjen keq, dhe ta themi shqip më këputet shpirti, më vjen turp që gratë e vajzat në vendin tim akoma vriten, akoma rrihen, akoma duhet të marrin leje tek burri për të bërë këtë e atë gjë.
Më vjen turp, se si trajtohet gruaja e vajza në vendin tim.
Të na vijë turp të gjithëve, djemve, burrave shqiptarë nëse ka ngelur ndonjë i tillë.
Qeveria deklaron se Policia e Shtetit po “bën çmos” për të garantuar të drejta të barabarta për komunitetet rome, egjiptiane dhe LGBTI.
Pas një raporti të botuar nga Komisioni Evropian kundër Racizmit dhe Intolerancës (ECRI), autoritetet shqiptare iu përgjigjën shumë kritikave.
Shumë pika shqetësuese përgjatë raportit përfshijnë një mungesë të përgjithshme veprimi ose përparimi nga autoritetet në luftën kundër intolerancës. Raporti zbuloi se veçanërisht individët LGBTI dhe anëtarët e komunitetit Rom dhe Egjiptian janë diskriminuar vazhdimisht në të gjitha nivelet e shoqërisë.
Sa i përket krimit të urrejtjes, ata mbrojtën pozicionin e tyre duke thënë se nuk kishte raste të regjistruara të krimit të urrejtjes ndaj anëtarëve të komunitetit LGBTI gjatë vitit 2018-2019.
Por gjatë vitit 2019 pranë Aleancës Kundër Diskriminimit LGBTI, janë në total 304 raportime të dhunës (psikologjike, fizike dhe seksuale) me bazë orientimin seksual dhe identitetin gjinor. Nivelet e larta të homofobisë kanë sjellë që mbi 50% të personave LGBTI që kanë raportuar, përjetojnë në mënyrë sistematike dhunë (psikologjike, fizike dhe seksuale).
Nisur nga të dhënat e grumbulluara, nga 304 raste në total 152 prej tyre kanë përjetuar dhunë fizike, si: dëmtuar ose vjedhur (4 raste); Rrahur(13 raste); Shkelmuar (9 raste); Shtyrw/goditur/tërhequr (105 raste); Larguar nga vendi i punës (6 raste); Përzënë nga ambienti ku jetojnë (12 raste); Sulmuar me armw apo sende të forta (3 raste).
65 raste nga 304 totali raportojnë që kanë përjetuar dhunë seksuale; si ngacmim seksual (22 raste); Përdhunim (6% e rasteve); shfrytëzim për të kryer marwdhënie seksuale (6 raste); prekje kundër dëshirës (18 raste); Përdhunim i mbetur në tentativë (3 raste); Detyrim për të parë materiale pornografike (6 raste); Alkolizuar/droguar kundër dëshirës (4 raste);
Ata gjithashtu thanë që nuk ka raste kur oficerët e policisë kanë përdorur dhunë ose kanë diskriminuar komunitetin LGBTI, por ama nuk adresuan faktin që shumë anëtarë të komunitetit nuk i raportojnë incidentet në polici, sepse janë injoruar, dekurajuar ose diskriminuar në të kaluarën, apo thjesht, nuk besojnë se policia do të bëjë diçka.
Për këtë arsye Aleanca Kundër Diskriminimit LGBTI bën me dije se:
5-raste kanë raportuar dhunën te drejtuesi i institucionit ku ndodhi dhuna.
15-raste Në polici ( 6 raste janë orientuar nga Aleanca LGBT për të raportuar pranë policisë)
10-raste Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi (6 raste prej tyre i ka ndihmuar Aleanca LGBTI me asistencë ligjore për të raportuar)
4-raste Avokati i Popullit (2 prej rasteve i ka orientuar Aleanca LGBTI për të raportuar drejt Avokatit të Popullit)
Qeveria tha që modulet e trajnimit policor janë azhornuar bazuar në aktet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe antidiskriminimit me një fokus të veçantë te anëtarët e komunitetit LGBTI.
Nisur nga të dhënat e grumbulluara nga Aleanca Kundër Diskriminimit LGBTI, vetëm 4 raste (12%) kanë marrë zgjidhje; 7 raste (20%) deklarojnë që janë në proces, 23 raste (65%) nuk kanë marrë zgjidhje, si dhe 1 rast (3%) nuk është deklaruar. Siç vihet re, pjesa më e madhe që kanë raportuar dhunën nuk kanë marrë zgjidhje. Kjo sjell që në vazhdimësi ky fakt të ndikojë në uljen e besimit për të deklaruar në vazhdimësi.
Sipas përgjigjes së tyre, vetëm dy ankesa të “gjuhës së urrejtjes” janë adresuan nga AMA për emisione televizive. E para mori një gjobë, e dyta u paralajmërua të mos përsëriste veprimin. Komenti nuk adresoi çështjen e zyrtarëve publikë dhe anëtarëve të qeverisë të cilët shpesh përfshihen në gjuhë të urrejtjes nëpër forume publike.
Sipas rekordeve të prganizatave tona, në dy ankesa të bëra nga ana jonë gjatë vitit 2019 pranë AMA, në asnjë prej përgjigjeve të marra nuk rezulton dënimi me gjobë i subjektit të transmetimit.
Shkaqet e mos raportimit në institucionet përkatëse që garantojnë mbrojtjen dhe sigurinë e personave të komunitetit LGBTI janë të shumta si:
Sipas tyre Policia e Shtetit ka “krijuar kontakte” dhe ka bashkëpunuar me drejtuesit e Komunitetit LGBTI, me qëllim që të zhvillojnë aktivitetet e tyre në vende publike, në mënyrë të veçantë marshimin e Krenarisë. Ata thanë se nuk ka pasur “shkelje të rendit apo incidente të tjera në lidhje me veprimtarinë e anëtarëve të këtij komuniteti”.
Duam të ritheksojmë se kontakti i Policisë me organizatat LGBTI nuk mjafton, për aq kohë sa besimi te institucionet vijon ende të jetë tepër i ulët. Pikat e kontaktit për rastet e dhunës me bazë diskriminimin për shkak të orientimit seksual apo identitetit gjinor duhen vendosur në komisariate dhe zyrat e institucioneve ligj-zbatuese.
Për sa i përket veprës penale të “nxitjes së urrejtjes ose mosmarrëveshjes”, vetëm 7 vepra penale janë identifikuar gjatë vitit 2019, me 13 autorë krimi. Në vitin 2018, vetëm 6 vepra penale janë identifikuar me 13 autorë krimi dhe nuk është bërë asnjë ndjekje penale. Kur bëhet fjalë për veprën penale të “kërcënimit me motive racizmi dhe ksenofobie përmes një sistemi kompjuterik” është identifikuar vetëm një rast në vit, gjatë viteve të fundit. Është bërë një ndjekje penale.
Krime të tjera përfshirë shpërndarjen e materialeve raciste përmes sistemit kompjuterik dhe fyerje për motive raciste apo ksenofobike përmes kompjuterit, ka patur 0-2 raste në vit me vetëm një ndjekje penale.
Qeveria injoroi shqetësimet për dëbimet e familjeve rome dhe egjiptiane, përfshirë përdorimin e forcës së tepërt dhe gazit lotsjellës. Ajo gjithashtu injoroi faktin që ECRI theksoi se ata nuk kishin ndjekur procedurat ligjore kur dëbuan banorët nga Bregu i Lumit.
Ata pretenduan se “qytetarët nuk do të detyrohen të largoheshin nga shtëpitë e tyre derisa të sigurohej një zgjidhje adekuate për ta në kuadër të programit të strehimit social”. Ka pasur raste të shumta kur e kundërta ka ndodhur në Tiranë dhe jo vetëm, gjatë viteve të fundit.
Qeveria nuk adresoi asnjë nga sugjerimet që lidhen me martesën brenda të njëjtit seks apo njohjen administrative të ricaktimit gjinor.
Përparimet e fundit në fushat ligjore dhe të politikave ende nuk kanë gjetur zbatim konkret në terren për personat LGBTI.
Në përmbyllje, vlen të përmendet dhe fakti se qeveria shqiptare ka kundërshtuar publikisht dhe në mënyrë zyrtare ndryshimin e Kodit të Familjes për njohjen e bashkëjetesës dhe martesës brenda seksit, duke kundërshtuar dhe rekomandimet e Këshillit të të Drejtave të Njeriut të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), pjesë e mekanizmit UPR.
Në reagimin zyrtar të Shqipërisë në sesionin e 42-të të Këshillit shkruhet: “Në lidhje me ndryshimet e Kodit të Familjes për të siguruar njohje ligjore për partneritetin dhe bashkimin civil të personave të seksit të njëjtë siç thuhet konkretisht në rekomandimet e mësipërme, Qeveria e Republikës së Shqipërisë aktualisht nuk po planifikon (për 4 vitet e ardhshme) propozime për të përfshirë këto ndryshime në Kodin e Familjes
Burimi: exit.al
Plotësimi i shifrave të denoncimeve në institucione të ndryshme janë marrë nga raporti vjetor i Aleanca Kundër Diskriminimit LGBT per 2019.
Në një mbledhje të thirrur nga Aleanca e Grave Deputete, fjalët e deputeteve socialiste Mimi Kodheli dhe Vasilika Hysi, kanë bërë xhiron e rrjetit.
Seanca u thirr për rastin që ka tronditur vendin, të abuzimit seksual të 15-vjeçares në Kamëz nga roja i shkollës.
Vasilika Hysi, tha qartë se shteti ka dështuar në këtë aspekt,dhe propozoi se nëse nuk bëhet diçka konkrete, ato duhet të linin mandatet e deputetit.
“Ne kemi dështuar në mbrojtjen e fëmijëve, ju mund të thoni se jemi shumë mirë por mua më vjen turp, jemi të dështuar. Po të bëjmë sot një fushatë në të gjithë shkollat dhe të kërkojmë nga fëmijët se kush i ka ngacmuar besoj se shifrat do të jenë shumë të larta dhe ne të tëra nuk do të kemi fytyrë jo vetëm të bëjmë kështu mbledhje por të dalim në rrugë. Si mundet policia komunitare në Babrru që shikon parrullat dhe nuk njofton nuk reagon. Në kuadër të kësaj ne si deputete duhet të bëjmë një nismë konkrete, përndryshe le të lëmë mandatet dhe të vijojmë karriere tona ku ne mund të bëjmë më shumë”, është shprehur Hysi gjatë fjalës së saj në mbledhjen e “Aleancës së Grave Deputete”,
Nga ana tjetër, në një deklaratë që u quajt skandaloze të deputetes Mimi Kodheli, ajo bënte fajtore mësueset dhe make-up-i që ato bënin, apo edhe statusi i martuar ose beqare e tyre.
“Dikur ne mësuesit i konsideronim si prindërit tanë të dytë, të ka marrë në telefon prindi, të paktën unë i takoj asaj gjenerate, dhe mësuesja merrte në telefon dhe thoshte se pse ka munguar fëmija.
Por sot zysha tona e kanë mendjen për të bërë të tjera punë, nuk të del koha të jesh edhe zyshë të bësh ditarin tërë ditën, të lysh edhe flokët, sytë buzët, vetulla me funde e minifunde.
Zysha tona kanë qenë të pamartuara dikur por sot smerret vesh se kush është bërë zyshë. Do ta marrim këtë situatë në dorë apo do flasim”, tha Kodheli në deklaratën e saj.
Por, ajo që ka bërë Kuvendi i Shqipërisë, është e paprecedentë, dhe skandaloze për institucionin më të lartë vendim-marrës në Shqipëri.
Kuvendi që duhet të bëjë publike çdo mbledhje, e ka fshirë videon, e më pas e ka rihedhur duke prerë dhe censuruar pjesën ku flet ish-ministrja Mimi Kodheli.
Më poshtë kronika e televizionit ABC News me fjalën e Kodhelit: https://youtu.be/Tfe7hBaq9Vs
Më poshtë videoja e rihedhur nga Kuvendi, ku është hequr pjesa e Kodhelit: https://youtu.be/k08HOOxcJDw
Dhuna seksuale sistematike me të cilën është përballur një 15-vjeçare nga roja i shkollës ku ajo shkonte në Babrru të Kamzës, ka tronditur opinionin publik në vendin tonë, ndërsa ka shfaqur edhe një herë këtë plagë me të cilën po përballet shoqëria shqiptare.
Të shqetësuar dhe në alarm për këtë ngjarje, dy institucionet ndërkombëtare në mbrojtje të së drejtave të njeriut, UNICEF dhe UN WOMEN, kanë reaguar ashpër për këtë rast.
“Dhuna seksuale e kryer ndaj kujtdo është një krim, ne jemi veçanërisht të shqetësuar për intensitetin me të cilin prek gratë, vajzat e reja dhe fëmijët,” -tha nëpërmjet një njoftimi për shtyp UN Women dhe UNICEF.
“Kjo përbën një shkelje të rëndë të të drejtave themelore të njeriut dhe sjell ndikim shkatërrues afatgjatë mbi viktimat dhe vendit ku jetojnë. Gratë dhe vajzat duhet të ndjehen të sigurta në hapësirat ku mësojnë, jetojnë dhe luajnë.”-vijon më tej dekalarata.
Gjithashtu dy institucionet ndërkombëtare, kanë apeluar edhe median, që të jetë e kujdesshme në raportim, duke thëën që nuk mund dhe nuk duhet të zbulohen ose publikohen detaje që lidhen me aktin ndaj fëmijëve.
“Ne gjithashtu i bëjmë thirrje mediave që të ndalojnë raportimin e detajeve që zbulojnë identitetin e të mbijetuarave dhe familjeve të tyre. Informacioni që ndahet me publikun duhet të ndihmojë në zhdukjen e kulturës së dhunës seksuale”, shkruan stafi i UN WOMEN.
Më tej këto institucione bëjnë thirrje ndaj shoqërisë civile që të reagohet ndaj këtyre rasteve, dhe institucioneve që të hetojnë këto ngjarje, dhe të mos ketë asnjë tolerim./ Historiaime
Një ngacmim seksual, që kishte ndodhur prej kohësh, nën hundën e institucioneve publike, por edhe me dijeninë e një pjese të mirë të shoqërisë, është tronditëse për atë që po ndodh sot në vendin tonë.
Në këto kushte, kur heshtja e institucioneve përballë një ngjarje kaq të rëndë, aktivistët e shoqërisë civile kanë mbushur rrugët e Tiranës me shkrime kundër dhunës ndaj vajzave e grave, e fëmijëve, dhe të enjten në orën 16:00 në sheshin Nënë Tereza kanë lajmëruar një protestë.
Shoqes që e përdhunuan.
Ti nuk je fajtore!
Përdhunimi nuk është faji yt! Nuk ka rëndësi se ç’kishe veshur, sa ishte ora, ku ndodheshe, nëse ishe në gjendje të kthjellët apo jo. Ti nuk je fajtore! Fajtor është përdhunuesi! Fajtor është shteti, i cili është i paaftë që të mbrojë dhe garantojë jetën e sigurinë tonë. Fajtor është sistemi arsimor dhe shkolla që nuk edukuan, trajtuan dhe fuqizuan njësoj vajzat dhe djemtë. Edhe familjet që nderin dhe turpin e mishëruan mbi ekzistencën, sjelljen dhe jetën tonë.
Faji është i gjykatave që aministojnë përdhunuesit. Faji është i një qeverie reformat e së cilës vetëm sa thelluan mjerimin, varfërinë, krimin dhe dhunën, nga ku e pësojnë veçanërisht vajzat dhe gratë e varfra. Se të jesh e varfër nuk është turp, sikurse të përdhunohesh është krim e kurrsesi turp i yti!
Fajtor është burri që të zuri pritë dhe abuzoi me ty. I panjohuri që të përndoqi, apo ai që tradhëtoi besimin tënd dhe zgjodhi të të lëndonte. Ai që abuzoi me pushtetin dhe forcën e tij për të përftuar kënaqësi të sëmurë nëpërmjet dhunës e poshtërimit. Ai që perversitetin zgjodhi ta çonte më tej, duke të të kërcënuar më pas apo/dhe duke filmuar veten teksa kryente një akt krimi, si një mënyrë për të të mbajtur peng të dëshirave të tij të errëta; për të të frikësuar e turpëruar për turpin, që në fakt vetëm ai e mban mbi shpinë, sepse ti nuk je fajtore!
Fajtorë janë të gjithë ata/ato që përmes heshtjes së tyre e normalizojnë krimin. Fajtorë janë edhe ata që zgjodhën të mos reagonin, por e thelluan këtë krim duke të të lënduar sërish me moskokëçarje, përbuzje apo nënqeshje. Edhe ata që të kërcënuan se fajin e tyre do ta hidhnin mbi ty e më pas, do t’u tregonin gjithë të tjerëve.
Fajtore është e gjithë bota, vetëm ti jo!
Sikur të kishe një thes me para, do të zhdukeshe nga sytë këmbët, jo? Larg përdhunuesit. Larg atyre që gishtin e drejtojnë gabim. Larg medias që zgjodhi të të lëndonte rishtazi duke të të ngarkuar përgjegjësitë e përdhunuesit. Larg të gjithë atyre që nuk do ta kuptojnë dot kurrë dhimbjen tënde, ndjesinë e hidhur në stomak, mendimet që ta vrasin gjumin, lotët në dush teksa përpiqesh të pastrosh një pisllëk që nuk është yti.
Ti nuk i ke paratë, por ke guximin për ta përballuar ballëlartë këtë situatë, sepse ti nuk je ajo çka të ndodhi – kjo gjë as nuk të përshkruan dhe as të përcakton. Ti je një grua e guximshme dhe e fuqishme. Mbi të gjitha, ti nuk je vetëm! Dhimbja yte është edhe e jona!
Dhuna ndaj teje është dhunë ndaj të gjithave ne! Ne jemi shumë dhe jemi të revoltuara, prandaj nuk do të heshtim, por do t’i bashkojmë duart e do të ecim krah për krah, derisa kjo të mos përsëritet ndaj askujt më, derisa ne të trajtohemi me dinjitet dhe të respektohemi në mënyrë të barabartë.
Derisa të mos druhemi të dallojmë dhunuesin dhe krimin, derisa drejtësia të vihet në vend dhe derisa të kemi një shoqëri më të mirë për vajzat dhe gratë!
Deri atëherë dhe gjithmonë, bashkë e të zëshme!
Motrat.
P.S.: Nëse ti apo dikush që njeh është viktimë e përdhunimit, ju mund të kontaktoni falas 24/7 në numrat a adresat më poshtë për të kërkuar ndihmë dhe mbrojtje.
Linja Kombëtare Për Vajzat dhe Gratë: 116 117 ose [email protected]
Qendra e Menaxhimit të Krizës Për Rastet e Dhunës Seksuale Për të Miturit: 116 111 ose [email protected]
Tiranë/ Nga Isa Myzyraj
Shembja e Teatrit Kombëtar në orën 04:30 të datës 17 maj, do të mbetet një ngjarje e rëndësishme në historinë tonë.
Mënyra si u bë shembja, aksioni i policisë, dhuna me të cilën u nxorën artistët u kritikua masivisht nga qytetarë, organizata të huaja, dhe personalitete të ndryshme e media vendase e të huaja.
Historia Ime sjellë, zërat e 79 personave, për 79 vjetët e ekzistencës së Godinës së Teatrit Kombëtar, që iu vu kazma me 17 maj 2020. Si u ndjenë 79 persona? Çfarë menduan 79 persona? Çfarë i bëri të kuptojnë kjo ngjarje, 79 persona?
Komisioni Evropian kundër Racizmit dhe Intolerancës (ECRI) i krijuar nga Këshilli i Evropës ka ngritur shqetësime për një numër çështjesh që lidhen me diskriminimin e njerëzve LGBTI në Shqipëri.
Ky organ, i cili monitoron çështje që lidhen me racizmin, diskriminimin, ksenofobinë dhe intolerancën, vuri në dukje se është bërë përparim, por tha; “ka disa çështje të cilat shkaktojnë shqetësim.”
Ndër të tjera u tha që ndërsa disa masa për të luftuar ngacmimin/bullizmin në shkolla janë zbatuar, këto masa në thelb përjashtonin fëmijët LGBTI.
ECRI rekomandon që autoritetet të vazhdojnë të punojnë në arritjet e bëra tashmë në lidhje me parandalimin dhe luftimin e racizmit dhe intolerancës në shkolla. Ata duhet të kalojnë, në veçanti, nga aktivitete të përgjithshme kundër bullizmit, në zhvillimin dhe zbatimin e moduleve specifike kundër ngacmimit të pjesëtarëve të komuniteteve të cënueshme, të tilla si fëmijë dhe të rinj romë dhe / ose LGBTI; si dhe zgjerimin e këtyre veprimtarive në të gjithë vendin, përfshirë edhe zonat rurale. Në këtë kontekst, autoritetet duhet të marrin frymëzim nga Rekomandimi i Politikës së Përgjithshme Nr. 10 të ECRI mbi arsimin gjithëpërfshirës dhe të lidhin aktivitetet me planet ekzistuese dhe të ardhshme të veprimit kombëtar për romët dhe LGBTI.
Plani i veprimit LGBTI i qeverisë shqiptare për vitet 2016-2020, edhe pse është një “bazë e dobishme” për ndryshime, nuk është zbatuar plotësisht dhe ka mjaft probleme. ECRI tha se duhet të bëhet punë në parandalimin e diskriminimit dhe promovimin e barazisë për personat LGBTI në sektorët e shëndetit dhe arsimit.
ECRI rekomandon që autoritetet të sigurohen që Plani Kombëtar i Veprimit për personat LGBTI për vitet 2016-2020 të financohet dhe zbatohet plotësisht, në partneritet me organizatat përkatëse të komunitetit; dhe që mangësitë e identifikuara në kuadër të zbatimit dhe monitorimit të Planit Kombëtar të Veprimit, të adresohen në mënyrë adekuate, veçanërisht në nivelin komunal.
Ai gjithashtu vuri në dukje se partneritetet dhe martesat e të njëjtit seks nuk njihen me ligj. Kjo, thanë ata, mund të çojë në forma të ndryshme diskriminimi dhe duhet të korrigjohet. Autoritetet shqiptare duhet të sigurojnë një kornizë ligjore që parashikon njohjen e partneriteteve të të njëjtit seks.
Për më tepër, qeveria duhet të krijojë procedura për ricaktimin e gjinisë dhe të sigurojë mekanizma të aksesueshëm për ata që dëshirojnë të ndryshojnë gjininë e tyre në mënyrë administrative.
ECRI gjithashtu monitoroi situatën për personat interseks. Ata u njoftuan nga autoritetet se nuk është e detyrueshme në Shqipëri të kryhet operacioni i ashtuquajtur “normalizim seksual” për foshnje interseksuale. Sipas informacionit të disponueshëm, operacione të tilla, në të vërtetë, nuk kryhen fare në Shqipëri. ECRI u informua nga autoritetet në lidhje me qëllimin e tyre për të parë më nga afër nevojat e personave interseksual në vend, dhe ECRI i inkurajoi autoritetet për ta bërë këtë.
Raporti gjithashtu vuri në dukje incidencën e gjuhës së urrejtjes nga figura të larta politike dhe publike. Kjo ndodh “shumë shpesh për t’u konsideruar e pranueshme” dhe shpesh u është drejtuar individëve LGBTI.
Ata zbuluan se mekanizmat për raportimin dhe ndjekjen penale të gjuhës të urrejtjes LGBTI “mungojnë” dhe ata rekomanduan krijimin e një sistemi gjithëpërfshirës të raportimit për të regjistruar incidente të gjuhës së urrejtjes.
ECRI vuri në dukje se nuk ka pasur ndonjë përmirësim të vërtetë gjatë pesë viteve të fundit, për situatën në lidhje me gjuhën e urrejtjes homofobike / transfobike në Shqipëri.
ECRI rekomandon që autoritetet të vazhdojnë të organizojnë takime konsultimi midis oficerëve të policisë, përfaqësuesve të grupeve të cenueshme dhe OJQ-ve në mënyrë që të krijojnë dialog të rregullt, besim të ndërsjellë dhe bashkëpunim./A.A.
Burimi – exit.al
Organizata Terre des Hommes, në një deklaratë për media, shprehet se janë të shqetësuar për situatën e fëmijëve në vendin tonë.
Duke i tërhequr vëmendjen institucioneve përgjegjëse, medias dhe shoqërisë shqiptare, për pasojat e veprimeve apo mos veprimeve tek fëmijët, viktima të abuzimit seksual, Tdh, shkruan se realiteti për fëmijët në Shqipëri është larg atij që aspiron çdo prind dhe qytetar i vendit.
Deklarata e plotë:
Këtë 1 Qershor jemi të shqetësuar që realiteti për fëmijët në Shqipëri është larg atij që aspiron çdo prind dhe qytetar i vendit. Edhe njëherë kishim provën e mos funksionimit të një sistemi të koordinuar që mbron dhe garanton një fëmijëri të sigurt për çdo fëmijë.
Terre des hommes i tërheq vëmendjen të gjitha institucioneve përgjegjëse, medias dhe shoqërisë shqiptare, për pasojat e veprimeve apo mos veprimeve në adresimin e çeshtjeve të sigurisë dhe mirëqënies së një fëmije, veçanërisht fëmijë viktima të abuzimit seksual.
Policia – 112/127
Linja Kombetare e Ndihmes per Femijet ne Shqiperi – ALO 116 – 116 111
Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës – [email protected]
Sot shëndohet Dita e Fëmijëve, ndërsa politika ka shpërthyer në urime për vogëlushët anembanë vendit.
Por, kjo festë po shënohet në mes të një skandali tronditës, të zbuluar së fundmi pak kilometra larg Tiranës, në një shkollë 9-vjeҫare në Babrru.
Një roje i shkollës, 65-vjeҫ, ka abuzuar për disa muaj me një 15-vjeҫare, nxënëse e kësaj shkolle.
Si të mos mjaftonte, i moshuari dhunues, ka filmuar aktin, dhe më pas e shpërndarë atë, tek disa të rinj që dyshohet që kanë abuzuar edhe ata me të miturën.
Ngjarja është shokuese, ndërsa detajet që ka dhënë gazetarja Anila Hoxha, përmes një shkrimi në rrjetet sociale, e zbehin pafundësisht këtë ditë që duhet të ishte e fëmijëve.
https://www.facebook.com/anila.hoxha.988
Gazetarja shkruan se emiri i të abuzuarës, shkruhej në muret e lagjes, të gjithë e dinin kush e shkruante, dhe pse e bënte, veҫ policisë dhe familjarëve.
Të tjera detaje të rënda ka zbuluar i vëllau i viktimës së abuzimit seksual, në një emision në “News 24” teksa ka thënë se policia e dinte rastin më përpara.
I moshuari është arrestuar pak ditë më parë, teksa ka pranuar akuzën, dhe bashkë me të janë arrestuar edhe 3 persona të tjerë që dyshohet të kenë abuzuar në grup me të miturën./ HistoriaIme
Pak ditë më parë në media u publikua një video Skandaloze, ku shihen disa policë teksa dhunojnë një fëmijë 15-vjeç, pasi ai kishte thyer karantinën.
Videoja bëri xhiron e rrjetit, ndërsa polici u pezullua nga puna.
Sot, çështja është kthyer sërish në vëmendje, kjo pasi Drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, në një deklaratë që është duke u quajtur skandaloze, ka arsyetuar dhunën duke thënë se mamaja e tij është shfaqur në një video me armë.
“Por a është në të vërtetët djali që i është bindur të gjithë thirrjeve të policisë siç pretendon mamaja? Do iu shfaq një video të mamasë së tij, që të shikoni se nga çfarë familje vjen. Kjo është mamaja e djalit me pistōletë në dorë. Për të thënë se nga çfarë familje vjen. Jo se dua të mbroj policinë, por duhet të jemi realistë dhe të ftohtë në gjykim”, tha drejtori i policisë në një raportim në një komision parlamentar.
Por cila është e vërteta e nënës së djalit, dhe pse po kërkohet shkarkimi i Ardi Veliut.
Zaida Çobo është e ëma e djalit të dhunuar, ndërsa ajo është aktore.
Vetë ajo ka thënë se skena që ka publikuar Veliu është një skenë filmi.
Veç të tjerash, Veliu në pak sekonda ka konsumuar disa shkelje të ligjit, dhe ka përdorur nota të rënda seksiste.
Ardi Veliu u mundua sot të paraqesë ndër të tjera gruan, si një shkaktare e problemeve në shoqëri, çka në vetvete përbën një skandal.
Aktivistja dhe feministja, Gresa Hasa në një postim në facebook shkruan:
“Gruaja nuk është zanafilla e gjithë të këqijave dhe prindërimi nuk është detyrë e nënës. Policia shtetërore nuk mund të mbrojë vetveten duke demonizuar publikisht kësisoj një grua teksa cenon identitetin dhe privatësinë e saj e të të gjithë familjarëve apo personave të tjerë që kanë të bëjnë me të dhe të birin, duke i vendosur a priori përpara rrezikut të sulmeve të panevojshme. Ndër të tjera, ne nuk kemi asnjë informacion për videon personale të gruas dhe rrethanat në të cilat ajo është xhiruar. Mbi të gjitha, ky informacion nuk na hyn aspak në punë për ngjarjen ku policia rrethon dhe dhunon një të mitur në mënyrë brutale. “
Së dyti, Veliu ka shkelur rëndë privatësinë e qytetarëve, duke mbledhur informacion, për një person ndaj të cilit nuk ka një hetim, në këtë rast nëna e djalit.
Aktivistë të tjerë, janë duke u shprehur se vetëm në sistemin komunist, fëmija persekutohej, për “gabimet” e prindërve.
Avokatja e njohur Dorina Asllanaj, në një postim në facebook shkruan se, në deklaratën e Veliut ka shkelje të rënda të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, por edhe Kushtetuës së vendit tonë.
“Pra nese femija e ka babain te denuar per vrasje, policia mund ta vrase femijen ne mes te rruges. Vetem ne kete deklarate jane shkelur gjysma e parimeve te KEDNJ dhe Kushtetutes, se per ligje e dime qe nuk e kane shume problem.”-shkruan Avokatja./ HistoriaIme
“I varfëri dhunohet, Krimineli nderohet”
“70 kanaçe = 1 bukë 70 lekë”
“Një i varfër = dajak”
“Një i pasur = Kullë” me këto pankarta në duar, disa anëtarë të komunitetit Rom në Tiranë, kanë protestuar para Bashkisë, kundër dhunës ndaj të varfërve.
Kjo protest vjen disa ditë pasi policia bashkiake, u shfaq në një video duke dhunuar një të ri rom që po mblidhte kanaҫe, ndërsa solli reagimin e ashpër të shoqërisë civile.
Avokati i Popullit ka hapur tanimë një hetim në lidhje me rastin, ndërsa aktivistët e kanë paditur policinë.
“Nuk mund të përdorësh dhunë mbi një të varfër, kur nuk i ke siguruar kushtet për të punuar. Bashkia e Tiranës duhet të tregohet e kujdesshme me veprimet pasi së pari duhet ti siguroj kushtet këtyre familjeve për të dalë nga situata ku ndodhen” shprehet Romina Sefa në video në rrjetet sociale pas rastit flagrant të dhunës.
Komuniteti rom prej vitesh tanimë është duke u përballur me vështirësi të mëdha, edhe nga policia bashkiake e cila nuk lejon mbledhjen e kanaҫeve apo sendeve të tjera, me të cilat ky komunitet siguron jetesën./ HistoriaIme
Me një ligj të ri, qeveria Orbán po kufizon të drejtat e njerëzve transgjinorë dhe transseksualë. Ai është një hap i mëtejshëm në luftën kundër gjithçkaje që nuk përkon me botëkuptimin e kryeministrit hungarez.
Ligji nuk erdhi në befasi. Që në fund të marsit – në mes të krizës së koronavirusit – kryeministri i djathtë hungarez, Viktor Orbán, njoftoi se do të shfuqizohej opsioni për të ndryshuar gjininë. Koalicioni i tij qeveritar e miratoi ligjin me dy të tretat e votave në parlamentin hungarez. Ligji parashikon që njerëzit trans- dhe ndërseksualë të mos mund ta ndryshojnë më gjininë biologjike që është regjistruar në regjistrin personal pas lindjes. Sipas ligjit të ri, caktimi i gjinisë “përcaktohet nga gjinia primare ose nga kromozomi” – përgjithmonë.
Protestat e politikanëve të opozitës, të cilët theksuan efektet serioze tek të prekurit, u injoruan. Imre Vejkey, anëtar i partnerit të koalicionit kristian-konservator të Viktor Orbán-it, KDNP, tha në prill: “Mendimi i të prekurve nuk ka rëndësi”.
Kritika masive brenda dhe jashtë vendit
Organizatat për të drejtat e njeriut e dënuan me forcë ligjin e ri. David Víg, drejtori i Amnesty International Hungari, tha se vendimi e hedh “Hungarinë përsëri në Mesjetë”.
Tamás Dombos nga shoqata Háttér, një organizatë që bën fushata për të drejtat e pesonave LGBTQI në Hungari, e përshkroi ligjin në një intervistë me DW si “jashtëzakonisht problematik”. Sa herë që të ketë kontrolle të identitetit, transeksualët duhet të zbulojnë transeksualitetin e tyre, thotë Dombos.
Ligji anti-trans shkaktoi gjithashtu kritika masive ndërkombëtarisht. Komisionerja e Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatovic, e quajti ligjin e ri një “goditje në dinjitetin njerëzor të transeksualëve”. Ajo tha se ai bie ndesh me praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe organizatat LGBTQI nëpër botë gjithashtu e dënuan ndryshimin në ligjin hungarez. Kundërshtarët e ligjit filluan një fushatë proteste në mediat sociale nën hashtagun #drop33. Në të, ata hodhën në plehra në mënyrë simbolike ndryshimin e miratuar në nenin 33 të ligjit.
Beteja gjyqësore do të zgjasë me vite
Meqenëse ligji nuk është në përputhje me kushtetutën hungareze ose me standardet evropiane të të drejtave të njeriut, “ne do ta kundërshtojmë me të gjitha mjetet”, thotë Tamás Dombos për DW. Háttér i bëri thirrje Presidentit, János Áder, të mos e nënshkruajë ligjin dhe ta paraqesë atë për rishikim në Gjykatën Kushtetuese. Por, si Áder ashtu edhe gjyqtarët kushtetues janë besnikë ndaj kryeministrit Orbán dhe në përgjithësi nuk kundërshtojnë vendimet e qeverisë.
Një tjetër mundësi është të paraqitet një padi në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, thotë Dombos. Por ai nuk është optimist: “Një vendim i formës së prerë do të marrë vite, qoftë në Hungari, qoftë në Strasburg. Deri atëherë, transeksualët nuk do të kenë asnjë shans për njohjen ligjore të gjinisë së tyre, gjë që i ekspozon ata ndaj diskriminimit dhe ndoshta edhe dhunës.”
Njerëzit LGBTQI nuk bëjnë pjesë në botëkuptimin e Orbán-it
Në fakt, toni i atyre që janë në pushtet në Budapest ndaj njerëzve LGBTQI është ashpërsuar në vitet e fundit. Për shembull, Presidenti i Parlamentit, László Kövér, e krahasoi birësimin e fëmijëve nga çifte homoseksuale me pedofilinë. Pak më vonë, István Boldog, nënkryetar i grupit parlamentar të Fidesz, bëri thirrje për anulimin e Paradës së personave LGBTQI në Budapest. Dhe publicisti pro-qeverisë, Zsolt Bayer, e tha me krenari: “Po, ne jemi homofobë”.
“Me këto deklarata, qeveria dëshiron t’i drejtohet elektoratit të saj, sepse ata kanë parë që ato kanë funksionuar mirë në Poloni”, thotë Tamás Dombos. Ashtu si në Poloni, edhe në Hungari njerëzit LGBTQI, sipas qeverisë, nuk hyjnë në botëkuptimin e krishterë konservator. Viktor Orbán ka theksuar vazhdimisht se Hungaria është një shtet joliberal në sytë e tij, një shtet në të cilin jo të gjithë duhet të jenë në gjendje të jetojnë ashtu siç dëshirojn.
Menjëherë pas marrjes së detyrës dhjetë vjet më parë, Orbáni e ndryshoi kushtetutën në frymën e tij. Që atëherë ai thoshte se “Hungaria mbron institucionin e martesës si një bashkim midis burrit dhe gruas (…) dhe të familjes, si bazë për mbijetesën e kombit”.
Orbáni ka gjetur një koncept të luftës për gjithçka që nuk korrespondon me botëkuptimin e tij: “Gender”. Termi përshkruan pikëpamjen shkencore se gjinia e një personi përcaktohet jo vetëm biologjikisht, por varet edhe nga ndikimet shoqërore dhe kulturore. Qeveria hungareze nuk e konsideron të domosdoshme hulumtimin e kësaj fushe. Kurset e studimeve gender janë ndaluar. Kohët e fundit, qeveria hungareze e refuzoi të ratifikojë Konventën e Stambollit për shkak të “qasjes së saj të papranueshme” për përcaktimin e gjinisë. “Ne kemi të drejtë të mbrojmë vendin tonë, kulturën tonë, ligjet tona, traditat dhe vlerat kombëtare. Perspektiva gjinore, e cila devijon nga bindja e shumicës (popullsisë), nuk duhet ta rrezikojë këtë,” thuhet në Budapest.\DW
Aktualisht Shqipëria vijon të ketë një nuëmr të ulët të rasteve me koronavirus. Në vendin tonë, deri sot 25 maj 2020 janë konfirmuar me COVID-19, 1006 raste, nga të cilat 795 janë të shëruar, 32 kanë humbur jetën dhe 177 janë aktualisht aktivë.
Por, pas gati 3 muajsh mbyllje vendi ynë do të shkojë drejt hapjes totale.
Kështu, kryeministri i vendit Edi Rama, ka bërë me dije se me datën 1 qershor do të happen kufijtë tokësorë.
Gjithashtu me datën 1 qershor do të happen plazhet, vetëm për hotelet, ndërsa me 10 qershor plazhet për të gjithë qytetarët.
Kjo ishte fundjava e fundit e kufizimit dhe orareve në Tiranë dhe qytetet tona. Por ndërkohë fundjava pa makina do të mbetet në fuqi dhe dy të shtuna dhe të diela.
Kryeministri deklaroi se kjo praktikë do të kthehet pas sezonit të verës çdo të dielë minimalisht nga tetori deri në marsin e ardhshëm si një moment i përjavshëm kushtuar ajrit pa tym makinash, familjeve, të moshuarve, fëmijëve dhe mjedisit tonë.
Pas hapjes së ekonomisë duket se më në fund i erdhi radha edhe rivendosjes në punë të transportit publik.
Kryeministri Rama tha sot se deri në fund të këtij muaji qeveria do të ketë gati strategjinë e re për transportin publik.
Gjithashtu kryeministri ka propozuar edhe një nismë të diskutueshme, ku nga tetori 2020 deri në mars 2021 ҫdo fundjavë nuk do të lejohet përdorimi i makinave./ HistoriaIme
Historiaime.al është një zë i pavarur në mbrojtje të të drejtave të njeriut. Ne raportojmë si për shkeljet e të drejtave të njeriut ashtu edhe për histori njerëzore që i promovojnë këto të drejta. Ky projekt synon të ndryshojë qëndrimet jo fort etike karshi të drejtave të njeriut nga ana e medias kombëtare si ajo e shkruar, ashtu edhe ajo vizive dhe media e re online.