Queer Cinema for Palestine (QCP) është një festival filmi 10-ditor i kuruar kolektivisht që feston realitetet globale queer dhe qëndron në solidaritet me palestinezët. Kjo nismë e solidaritetit global është e para e llojit të vet që ofron një hapësirë të gjallë duke përdorur artin dhe kulturën për të kundërshtuar dhunën e vazhdueshme të aparteidit izraelit.
Ky festival, që u mbajt gjatë muajit nëntor në 11 qytete botërore, dukë përfshirë Seulin, Bilbaon, Tunisin, Bejrutin, Belfastin, Prishtinën, Parisin, Montrealin, Torinon, Sofjen, Londrën dhe Ontarion, po vjen edhe në Tiranë.
Këtë të premte, ky festival zbarkon në Tiranë, në Destil Creative Hub, nën organizimin e Aleanca LGBT, The NightFlix dhe Dylberizm. Queer Cinema for Palestinë në Tiranë sjell një program interesant,i cili ngërthen shfaqjen e disa filmave me karakter LGBTIQ+ dhe një diskutim mbi solidaritetin.
Queer Cinema for Palestine vjen si kundërpërgjigje e festivalit Tel Aviv Queer Film Festival, duke kundërshtuar fuqishëm “pink-washing” dhe përdorimin e komunitetit LGBTIQ+ për të mbuluar shtypjen dhe aparteidin ndaj palestinezëve. Izraeli tenton të kamuflojë shtypjen e gjakosur ndaj Palestinës me aktivitete LGBTIQ+, gjerësisht duke e promovuar Tel Avivin si një destinacion për personat LGBTIQ+ dhe si një vend që po e zhvillon kulturën LGBTIQ+.
Propaganda izraelite është tejet e fuqishme dhe rrjedhimisht informatat mbi konflitin Palestinë-Izrael janë të limituara dhe kontekstualisht të përshtatura. Prandaj, festivali QCP është shumë i rëndësishëm për informimin e drejtë dhe të paanshëm të situatës në Palestinë.
Filmat të cilët do të shfaqen gjatë mbrëmjes së të premtes do të na vizualizojnë shtypjen ndaj palestinezëve dhe uzurpimin e tokave të tyre. Po ashtu, filmat trajtojnë edhe shtypjen ndaj personave LGBTIQ+, e sidomos ndaj palestinezëve LGBTIQ+ që shtypen dyfish a trefish më shumë.
Pas shfaqjes së filmave, në programin e QCP në Tiranë do të zhvillohet edhe një panel diskutimi me aktivistë politikë dhe artistë, me të cilët do të flitet mbi solidaritetin me palestinezët (LGBTIQ+) dhe zhvillimit global mbi çështjen e aparteidit ndaj Palestinës.
Ky aktivitet është mjaft i rëndësishëm dhe synimi i tij nuk është propagandistik, por informues, marrë parasysh faktin që eksperiencat e palestinezëve do të jetësohen dhe humanizohen.
Aktiviteti fillon nga ora 19:00 dhe është i hapur për të gjithë.
Më shumë mbi festivalin mund të lexoni këtu: www.queercinemaforpalestine.org
Kurse, për këtë aktivitet mund të lexoni më shumë këtu: https://www.dylberizm.com/2022/01/26/qcp-t/
Agon Rexhepi