Një prind është pak e ndërsa dy nuk janë fare”

Është paradoksale të mendosh që në shekullin 21-të jemi ende duke advokuar dhe lobuar për respektimin e të drejtave themelore të njeriut. Në një botë utopike ku standardet nuk do të përcaktoheshin, dhe “normalja” nuk do të njihej si term, nuk mendoj se do të përballeshim me të tilla paragjykime.
Shumë kohë më parë “i pari i fshatit” përcaktoi se cfarë është e mirë apo e keqe, normale ose jo dhe të jemi të sinqertë, ai nuk e pa të arsyeshme atë mëngjes që në thesin e këtyre gjërave të moralshme të përfshinte dhe dashurinë e burrave dhe grave midis tyre. Ndoshta nuk i është dukur estetikisht e saktë, ose ndoshta ishte zgjuar në anën e gabuar të shtratit, këtë nuk do e marrim vesh kurrë, por edhe pse qenia njerëzore është në një evoluim të pandalshëm mesa duket fjalët e të parit janë ende të ngulitura në mendjet e njerëzve edhe pas 202 dekadave.
Akoma më shumë për të qeshur është ta mendosh një vend të vogël si Shqipëria jonë e bukur, të jetë gati për të dalë nga “shinat” dhe krahëhapur e krenare të përqafojë dicka e cila cmohet si e pamoralshme apo më keq dicka që njihet si e gabuar. Që të jemi të drejtë, ligji shqiptar është munduar sado pak që të sjellë ato risitë të cilat sovranit, që ai i shërben, t’i pëlqejnë ose më mirë të themi ato risi që ndoshta kalojnë pa u kuptuar. Populli shpeshherë thotë “sipas vendit bëj kuvendin” dhe për tema delikate, temën e seksualitetit respektivisht, nuk ndikon dot ligji më shumë se opinioni publik, që është pasojë e komponenteve si kultura, mentaliteti, gjeografia e demografia. Mund te supozojmë se ligji për disa gjëra është më shumë i varur nga dëshira e qasja e njerëzve sesa nga ndarja e mirë apo e keqe. Në fund të ditës nuk duhet t’i gjuash samarit me ndryshimin e ligjeve duke u vënë përballë riskut të demonstratave pa u ndergjegjësuar populli dhe pa e pranuar ata vetë.
Ligj Nr.10 221, datë 4/2/2010 shprehet qartazi mbi respektimin e parimit të barazisë në lidhje me gjininë, racën, ngjyrën, etninë, dhe ndër të tjera orientimin seksual gjë e cila lë shumë vend për diskutim. Me anë të një interpretimi të zgjeruar mund te themi se ky ligj duhet të zbatohet si një parim për cdo ligj apo nen tjetër i cili do të vijë në fuqi. Por në rast se ky ligj duhet të jetë me cdo kusht i pacënueshëm, atëhere pse shoqëria sot është duke renditur në një listë të gjatë e të pafundme arsyet se pse një cift homoseksual nuk duhet lejuar kurrësesi të jenë prindër dhe të rrisin një fëmijë të tyrin?
Në qoftë se do të flasim për anën ligjore, shumë lehtë mund të kthejmë sytë nga parimi i shumë përdorur i juristëve,”Cfarë nuk është e ndaluar, është e lejuar”. Në Ligjin nr.10 129, datë 11/05/2009 “Për Gjendjen Civile ” në asnjë moment nuk sanksionohet apo ndalohet në mënyrë të drejtëpërdrejtë prindërimi nga një cift homoseksual dhe të njëjtën analizë mund të bëjmë dhe për nenet 243 – 245 të kodit penal të cilat shprehen mbi rastet kur birësimi është i ndaluar.
Të konsumosh cigare në një ambient të mbyllur jo vetëm që është e paligjshme, por dhe absurde të mendohet, megjithatë të lejosh një fëmijë të rritet me dashurinë dhe përkujdesjen e dy prindërve që do t’i jepnin këtij fëmije botën me sa duket konsiderohet e pamoralshme. Pse? Sepse ky fëmijë do të kishte dy mama ose dy baballarë, por për një arsye apo një tjetër dëshira e sovranit është që ky fëmijë të rrisë vetë veten e tij, ose në rastin më të mirë të rritet vetëm me njërin prej prindërve. Me dashje ose jo, ligji ka lënë mjaft hapësira të lira për interpretimin dhe rregullimin e normave dhe dispozitave të tij. Ndoshta në një të ardhme jo shumë të largët sovrani do të jetë gati t’i pranojë këto rregulla, por deri atëherë, “Një prind është pak e ndërsa dy nuk janë fare”. Anxhela Kokoshi