Prezenca e aktivistëve të forumeve politike në protestë

Protesta e ditës së sotme, pavarësisht incidenteve që në disa raste eskaluan dhe në dhunë, duket se po vazhdon e studentët janë më të vendosur se kurrë për plotësimin e kërkesave të tyre.
Ditën e sotme, tensionet dhe përpjekjet për përçarje u inskenuan nga aktivistë të forumeve rinore të partive politike dhe militantë partiak. Gazetarë të Historia-Ime në terren dhe studentë të shumtë kanë identifikuar të rinj që i përkasin grupimeve rinore të forcave kryesore politike, përkatësisht FRESSH, FRPD dhe LRI.
Të ardhur me axhendë e strategji të qartë dhe çuditërisht në disa raste dhe të mirëkoordinuar me njëri-tjetrin, i shihje të shpërndarë kudo, shumica në qendër të turmës e shumë vëzhgues në skajet e saj.
Studentët përmendnin me njëri-tjetrin emrat e bashkëmoshatarëve të tyre të angazhuar në politikë dhe disa prej tyre deklaronin se militantë partiak kishin ardhur dhe me grupin e studentëve nga Shkodra, i cili më pas vendosi të largohet nga protesta.
Përpjekjet për tensionimin e situatës duket se dështuan dhe në ditën e pestë të protestës. Të gjithë presin plotësimin e kushteve të studentëve dhe ndjekin zhvillimet e fundit, që mesa duket po e bëjnë të pashmangshme protestën e madhe të njoftuar për ditën e martë.