70 vjec, i vjedhin me dhune 10 mije lek te pensionit
Grabitjet nuk njohin moshë e sedër. Davë Dani, 70 vjeçarja nga fshati Gjoricë e Epërme e rrethit të Bulqizës, është grabitur forcërisht gjatë natës duke u gdhirë dita e enjte nga persona të maskuar. E shtruar në Spitalin Rajonal të Peshkopisë, ajo rrëfen për “Shqip”: “Më rrahën dhe më vodhën. Menjëherë pas zhurmës, në dhomë futet një person që në pamje dukej i ri, por nuk munda ta njoh, pasi ishte me çorap në fytyrë. Menjëherë u drejtua tek divani ku flija me fjalët ‘mbylle gojën, mbylle gojën’ dhe më goditi dhe ma mbylli gojën me duar, duke më ngritur e lëshuar në mes të dhomës. Pasi më lidhi litarin për fyti duke më kërcënuar se do të më mbyste, nisi të më godasë me shkelma në shpinë”.
Ajo ka rrëfyer se pasi i kanë marrë 100 mijë lekë të vjetra të pensionit, i kanë hequr nga veshët vathët e floririt dhe unazën.
“Nga dera e hapur e dhomës, gjatë kohës që po përpiqesha të fshija me këmishë gjakun që më rridhte nga buzët, munda të shoh dy persona të tjerë, të cilët edhe ato kishin çorape në fytyrë, që po kontrollonin në dy dhomat e tjera të shtëpisë, duke përmbysur çdo gjë. Pasi marrin edhe thesin e groshëve, që e kisha mbledhur në arë, ku pata fshehur 1 milion lekë të vjetra, çelin derën e shtëpisë dhe largohen”, tregon Dani.