A ka Partia Socialiste nje qendrim zyrtar per te drejtat e LGBT? E pyet Pro LGBT dhe Aleanca LGBT
Pro LGBT dhe Aleanca Kunder Diskriminimit konstatojne me keqardhje se ndonëse brenda Partisë Socialiste ka një grup të fortë mbështetësish për të drejtat e njeriut dhe për të drejtat e komunitetit LGBT në veçanti, përfaqësues të kësaj partie sërish refuzojnë që të prononcohen publikisht për qëndrimin e tyre ndaj këtij komuniteti.
Një ditë para mbledhjes së Asamblesë së PS, deputeti i Beratit Erjon Braçe, i njohur për komunikimet e tij të hapura dhe të sinqerta në rrjetet sociale ftoi qytetarët dhe grupet e tyre që të shprehnin mendimet, kërkesat dhe fjalën e tyre për PS. Ne ia përsëritëm disa herë një pyetje për të cilën edhe këtë herë nuk morëm përgjigje. Pyetje që po e ripërsërisim publikisht:
A ka zyrtarisht dhe publikisht Partia Socialiste një qëndrim në lidhje me përpjekjet që komuniteti LGBT po bën qoftë për të përmirësuar legjislacionin (ide konkrete për zbatimin më të plotë të Ligjit kundër Diskriminimit, ide mbi draft propozimin që kemi bërë bashkë me Avokatin e Popullit për amendimin e Kodit Penal që të përfshihet në të edhe koncepti ligjor për Krimet e urrejtjes apo fjalimet e urrejtjes, etj) apo qoftë për të sjellë një kontribut në debatin publik që synon dekriminalizimin kulturor e social të homoseksualizmit?