Arjan Sukniqi befasohet kur e pyesin per LGBT por shton se po piqet bashke me shoqerine
Koment i detajuar mbi nje debat qe perfundon me nje mesazh…
Kristi Pinderi
Skenografia është e këndshme dhe simbolike, dy anë, njëra e bardhë përballë tjetrës në ngjyrë të zezë, jo për të bërë thjesht kontrast në ngjyra për kamerat, por për të simbolizuar thelbin e emisionit “BarDH a Zi” në TV Scan (emision qe perfundon me idene se ne fakt, gjerat jo gjithmone jane bardh e zi apo bardh a zi). Të ftuar një psikologe, një koreograf, një regjisore dhe një gazetar e njëkohësisht aktivist për të drejtat e njeriut.
Nën moderimin e gazetares Ornela Gaçe dhe ndërhyrjet në formën e analistit nga Erion Kristo këta të ftuar duhet të zgjedhin secili nga një zarf që përban nga një pyetje dhe pastaj duhet të përgjigjen. Për gati 30 minuta zhvillohet mes tyre një debat i formës “talk show” për cështjen që ngre secila pyetje.
Jemi në emisionin e fundit, që u shfaq sot në mbrëmje (e shtunë, 3 nëntor). Pyetja e parë: sfiduese! Të ftuarit duhet të tregojnë se si reagojnë në rastet kur punëdhënësi nuk i paguan! Debati shndërrohet befas në debat për sindikatat, tek tuk gazetari dhe regjisorja tentojnë të ndajnë historitë personale, sidomos me punëdhënës pronarë të medias, psikologia e kalon temën me lezet të mungesa e informacionit që punëmarrësit shqiptarë kanë për kontratat (ajo përmend më vonë rastet e veta personale kur kontrata të ndryshme i ka firmosur pa i lexuar!). Bukuri! Vjen pyetja e dytë. Pyetet si ka mundësi që në jetën e përditshme ka drama e tragjedi pa fund por në skenat e artit nuk ka shfaqje? Koreografi që punon “në shtet” duket qartazi që ka ngarkesa e probleme pa fund për të folur. Të pranishmit sikur bien dakort që duhet ndryshuar sistemi në atë mënyrë që dhe arti të hyjë siç duhet në tregun e vlerave (fillimisht në treg, e përmes tregut të mbijetojë më i miri). Fort mirë!
Pyetja e tretë bëhet në formën: si do të reagonin të ftuarit po të kuptonin se përgjoheshin? Debate pafund edhe aty. Në një moment psikologia surprizon kur thotë se shqiptarët nuk dinë të ruajnë për vete gjërat e tyre (në fakt, sipas të gjitha gjasave shqiptarët më mirë dinë të bëjnë thashetheme për njëri tjetrin se të nxjerrin veten në meidan, por ky mund të jetë një debat më vete). Konfuzohet pak debati nëse bëhej fjalë për përgjimet e shtetit ndaj qytetarëve apo përgjime të qytetarëve ndaj njëri tjetrit?! Në të dyja rastet dukej se të ftuarit nuk kishin ndonjë habi të madhe (në një moment gazetari i ftuar përmend ekzistencën e një draft ligji që qarkullon me konsensus mes pozitës dhe maxhorancës sipas të cilit do kenë më lehtësisht dhe më shmë akses institucionet në rastet kur do duan të përgjojnë komunikimet elektronike të qytetarëve!). Po roli i kompanive të celularëve, pyet moderatorja? Kalon dhe ky debat.
Vijmë te pyetja e fundit… Koreografit (z. Arjan Sukniqi) i mbetet të zgjedhë zarfin e fundit. Pyetja është: si do të reagonit nëse do ju pushonin nga puna për shkak të orientimit tuaj seksual?
Heshtje… zgjat shumë më tepër sekonda sa mund të kuptohen në një transmetim televiziv. Sukniqi sikur nuk gjen dot përgjigjen e saktë. Ndërhyn psikologia, znj. Silvana Loka e cila jep mësim në Albanian University dhe nis të thotë të parën fjali skiç që do e pasojë nga ndërhyrje të tjera po aq skiç deri në fund të debatit! Thotë, mes të tjerash se është kundër çdo diskriminimi pozitiv por pa e sqaruar konkretisht (format e diskriminimit pozitiv për shembull, janë thelbësore në politikat e shërbimeve sociale në të gjitha vendet normale në botë sepse, fjala vjen, nuk do të kishim mënyrë tjetër më të mirë për të ndihmuar gratë në nevojë, grupet e marxhinalizuara, njerëzit që nuk gjejnë dot punë, të rinjtë që duhen stimuluar, njerëzit në nevojë, apo për të integruar në shoqëri personat me aftësi të kufizuara qoftë fizike, qoftë të shëndetit mendor, e kështu me rradhë).
Teksa hesht në fillim, pas këtij skiçi të parë të psikologes, ndërhyn Sukniqi: Po thotë, ja t’ju jap një shembull: unë kam fjala vjen, një artist të talentuar që nuk gjen dot punë por më duhet të paguaj një artist tjetër që nuk shikon (përdori fjalë të tipit që nuk është sagllam, apo që nuk është tamam!) vetëm pse na ekzistoka ky ligji kundër diskriminimit!
Nis debati për ligjin kundër diskriminimit. Gazetari dhe aktivisti (Kristi Pinderi) shpjegon filozofinë e ligjit. Thotë se është ndër të paktat ligje ku parashikon se barra e provës i bie personit të akuzuar dhe jo atij që akuzon dhe kjo bëhet që në të tillë legjislacion Shqipëria të përafrohet me ligjet e BE dhe e dyta për të luftuar sidomos diskriminimin e fshehtë, të sofistikuar dhe të nënkuptuar, por kjo nuk do të thotë se personi i akuzuar për diskriminim sidomos kur është punëdhënës shpallet fajtor, përkundrazi!
Skiçi i dytë nga psikologia: LGBT, thotë, ngaqë marxhinalizohen gjithë jetën mësohet me idenë dhe sillet si i tillë!!!! Por unë, vazhdon, nuk jam dakort të ketë ligj që diskriminon punëdhënësit! Ndërhyn gazetari dhe i thotë që nuk ka asnjë ligj që diskriminon në Shqipëri punëdhënësit. Ndërhyn me të vetën koreografi: jo pra, të punësohen të aftët dhe ata që janë sagllam dhe të mos punësohen njerëzit vetëm pse janë gej! Ndërhyn sërish Pinderi dhe sqaron se nuk ka asnjë rast në Shqipëri që njerëzit të jenë punësuar ngaqë janë gej (mund të jetë e kundërta) dhe shton se për të mos bërë populizëm apo teorira në ajër, është më mirë të pranojmë se në institucione shtetërore sidomos, po vuajmë mungesën e meritokracisë jo pse po punësohen njerëz gej të paaftë që sipas kësaj teorie po u marrkan vendet e punës njerëzve të aftë, por se po punësohen njerëz mbi baza politike, apo mbi baza nepotizmi të tipit “kunati i filanit”, apo “20 përqindëshi i koalicionit”…
Pasi psikologia bën një skiç tjetër ku ngatërron etikën që ajo ka mësuar për profesionin e vet me detyrat që sanskionon ligji kundër diskriminimit por së fundmi dhe Kodi i Punës, ndërhyn regjisorja (Anxhela Cikopano) – ndërhyrje e sinqertë duhet thënë, por edhe ajo skiç (sipas mendimit tonë). Thotë: pse duhet të merremi me diskriminimin e LGBT kur këtu diskriminohen gratë që mbeten shtatzëna e nuk mbahen në punë pas lindjes? Komenti sjell një problem të madh por përjashton, në fakt një problem tjetër. Pinderi ndërhyn duke thënë se ligji kundër diskriminimit i mbron të gjithë pavarësisht në janë gra apo burra e kështu me rradhë dhe se në konceptin e të drejtave të njeriut nuk ka ndonjë hierarki që thotë se këto të drejta të një grupi janë më të rëndësishme se të drejtat e një grupi tjetër! Shpjegon format e dhunës brenda familjes ndaj komunitetit të lezbikeve në një moment, por replikat vijojnë kështu: Po unë spo të flas për të, po të them që A-ja janë gratë e diskriminuara dhe s’mund të flasim për probleme që nuk ekzistojnë (Cikopano, përshkrimi është i riprodhuar mbi idenë, jo transkriptuar fjalë për fjalë); Po pse, lezbiket nuk janë femra?! (Pinderi).
Embëlsira për në fund: E pyet moderatorja, Sukniqin se si e shikon ai këtë problem në një fushë si baleti… dhe aty, më në fund, vjen një përgjigje që duhet përshëndetur: “Të jem i sinqertë, unë e kam patur siklet i kam patur bezdi këto gjëra por me kalimin e kohës nis edhe unë të kuptoj, si e gjithë dynjaja” dhe shton: “edhe unë piqem, bashkë me shoqërinë”.
Foto ilustruese nga programi