Arvizu: Vjedhja e pronesise intelektuale ne Shqiperi eshte si vjedhja e energjise
Në një forum të organizuar në lidhje me çështjen e pronësisë intelektuale, ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, bëri një paralelizëm. Ai tha se pronësia intelektuale këtu vidhet njësoj si energjia, të cilën nuk e paguan gjysma e popullsisë. Ai tha se ky nuk është sistem i qëndrueshëm.
“Është pak a shumë si elektriciteti. Nuk dua të ndalem tek debati me CEZ-in, por siç e dini, problemi thelbësor me elektricitetin këtu është se gjysma e popullsisë paguan për elektricitetin, kjo përfshirë edhe agjencitë qeveritare. Dhe nëse vetëm 50 për qind e popullsisë paguan për elektricitetin kjo nuk vlen, nuk është një sistem i qëndrueshëm, dhe nuk mund të bësh biznes,” tha Arvizu.
Ndërkohë ambasadori i BE në Tiranë, Etore Sekui, tha se mbrojtja e pronësisë intelektuale është një kusht për hyrjen në BE, por në këtë drejtim Shqipëria nuk është askund.
“Marrëveshja e Stabilizim Asociimit thekson se Shqipëria duhet të marrë masat e nevojshme për të garantuar të drejtën e pronësisë intelektuale njësoj si vendet e Bashkimit Evropian deri në 1 dhjetor 2010. Fatkeqësisht nuk jemi askund,” u shpreh Sekui./TemA/