Bejko kishte thene: Greven vazhdojeni, por mos u digjni
Vazhdoni grevën por me dialog, jo me djegie. Nga shtrati i spitalit të Barit, në Itali, Lirak Bejko përmes një interviste ekskluzive për TV A1Report i drejton një apel shokëve të tij grevistë që ndodhen ende në çadrat në zonën e Komunës së Parisit në kryeqytet.
“Grevën ta vazhdojnë por i porosis të mos bëjnë akte të tilla, por me dialog”, thotë Bejko duke folur për miqtë e tij grevistë, ndërsa me zërin që i dridhet nga emocionet shton: “I dua shumë”.
Lirak Bejko prej ditës së djeshme gjendet në Spitalin e Barit po merr një ndihmë mjekësore të specializuar pasi i vuri flakën vetes në shenjë proteste kundër indiferencës së Qeverisë ndaj kërkesave të ish-të përndjekurve politikë.
“Porosita shokët e mi mos ta bëjnë më – tha Liraku nga spitali i Barit për A1Report – Është shumë e vështirë të ndjesh dhimbjet e djegies së trupit, është sikur piqet një mish në hell”. Sapo mendimi kalon te ish-të burgosurit e tjerë që vazhdojnë grevën, zëri i tij fillon të meket nga emocionet: “Për arsye se unë shokët e mi i dua shumë, kemi një ideal, nuk dua që të ndjejnë ato dhimbje”.
“Kemi pasur një grevë urie kundra Qeverisë – shpjegon ai më pas – për shkeljen e të drejtave dhe liritë themelore të njeriut, përsa i përket ish-të burgosurve politikë dhe kishim ditë që nuk merrnim asnjë përgjigje, përkundrazi, diskriminimi vazhdonte dhe kishim arritur që këtë çështje ta sensibilizonim përmes disa akteve të atilla që të shkonin deri në ekstrem dhe, ashtu siç u pa, edhe ndodhi”, tha Bejko për A1Report. “Unë, Gjergj Ndreca dhe disa të tjerë, jemi organizatorët e asaj greve”, pohoi ai.
Duke folur për gjendjen e tij shëndetësore, Lirak Bejko tha: “Gjendja ime është pak më e mirë: kam dhimbje, ethe… them se ndodhem në dorë të sigurta”./Shqiptarja.com