Nje vajze sugjeron ne Facebook t’ia bejme ne te gjithe nderet Ajshes se refuzuar nga familja
Ka nisur të qarkullojë në Facebook, falë një reagimi të sinqertë të një përdoruese të këtij rrjeti, ideja për të respektuar kujtimin e vajzës 18 vjeçare Ajshe Vata duke ndezur një qiri në sheshin Skënderbej të Tiranës.
Nga profili i vet, një e re me emrin Alidea (nuk po botojmë të dhëna për profilin e saj, por linkun e eventit që ajo ka krijuar në Facebook:
https://www.facebook.com/events/332806493485270/
Shkruan: Unë jam individ që dua të reagoj, nuk jam shoqatë e nuk jam pjesë e ndonjë klani partiak! Nuk do gjeni një stivë qirinjsh gati në këtë event, ndaj ju lutem blijini vetë sikurse do e blej dhe unë timin. Mbi të gjitha eja nëse vërtet e ndjen se duhet të vish, nuk garantoj media të pranishme e as ndonjë mundësi pompoziteti. Nuk mund të tolerojmë vrasjen e viktimës për herë të dytë ndaj ejani ti themi lamtumirën e fundit një të pafajshmeje që u bë e fajshme nga vetë pedofili kriminel, nga vetë familja, nga vetë shoqëria dhe nga vetë institucionet e shtetit që këtë kriminel e kishin lënë të lirë! Faleminderit sërish për mbështetjen Erion Kristo! Faleminderit dhe ju që doni të jeni nesër me ne por nuk mundeni, faleminderit dhe ju që kaloni kufirin e premtimit në Facebook!
Më tej, në përshkrimin e eventit, Alidea shkruan: Meqe familja e Aishës paska ndërprerë mortin kur paska marrë vesh se viktima ishte shtatzënë, pra i paska ‘çnderuar’, le të bëjmë ne një funeral simbolik për Aishen! U prehsh në paqe ëngjëll që realisht je viktimë e vetë shoqërisë që të rrethoi! Pate fund tragjik ti dhe fetusi që sigurisht nuk arriti të dalë në jetë, por të paktën tani je larg këtij makthi social, larg kërcënimit për thashetheme, larg prej vështrimit grushtues të inatosur e mbase dhunës që mund të ushtronte vetë babai yt mbi ty po të ishe gjallë dhe të kish mësuar për shtatëzaninë tënde”.
Nesër, në orën 18.00 në Sheshin Skënderbej