Reagon per te treten here KSHH dhe thote se po cenohet e drejta e tubimit ne Shqiperi
Komiteti shqiptar i Helsinkit ka reaguar ashpër sot, për të tretën herë në lidhje me grevën e urisë. Në një komunikim me median, ky organizëm i rëndësishëm i të drejtavë të njeriut thotë:
“Si edhe më parë, ne vazhdojmë të bëjmë thirrje për dialog konstruktiv midis këtij grupi qytetarësh dhe qeverisë, sepse ky është mjeti më i përshtatshëm për mirëkuptimin midis tyre dhe zgjidhjen e kërkesave të ligjshme”. Me keqardhje ky komitet konstaton se, “Kryeministri dhe përfaqësues të organeve të ndryshme të shtetit jo vetëm janë pozicionuar, kategorikisht, kundër dialogut, por duke përdorur një gjuhë fyese dhe denigruese ndaj grevistëve, por edhe mjete e ndërhyrje të formave të ndryshme për të ndikuar në shpërndarjen e këtij tubimi, pa vullnetin e lirë të pjesëmarrësve, acarojnë situatën dhe përshkallëzojnë gjendjen, e cila është tashmë tepër e rënduar”.
KSHH e sheh me vend të theksojë se e drejta e tubimit është një nga liritë dhe të drejtat politike themelore të shtetasve dhe garantohet shprehimisht nga neni 47 i Kushtetutës.