Te pakten mos na turperoni ne syte e Europes…
Nje personalitet i diaspores shqiptare ne Zvicer, Edlira Dedja (ne foto bashke me sopranon Ermonela Jaho), ka nxituar t’i dërgojë sot një letër zemëratë kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, lidhur me performancën e dobët dhe pa dinjitet të trupës shqiptare të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit dje, në një koncert në Gjenevë me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Saktësisht në letrën e saj thuhet:
“I nderuar Zoti Kryeministër.
Si artiste shqiptare, si personazh politik e publik në Zvicër dhe si anëtare e komisionit special të politikës kulturore e teatrit, në një nga kantonet frankofone të saj (për periudhën legjislative 2012-2016), desha të shpreh indinjatën time të lartë për paraqitjen tejet joprofesionale dhe pa dinjitet të Teatrit Kombëtar të Operës e Baletit shqiptar në Gjenevë, me rastin e 100-Vjetorit të Pavarësisë së shtetit shqiptar.
Desha të shpreh indinjatën për mungesën e plotë të organizimit, për programin e ndërtuar në mënyrë diletante dhe për nivelin jashtëzakonisht të dobët artistik, për zgjedhjen e një salle krejtësisht të papërshtatshme për një koncert të tillë, për mashtrimin publicitar me anë të TV për të shitur biletat minutat e fundit (ku përmendën emra artistesh, 90 përqind e të cilëve s’morën pjesë), për mungesën e spektatorëve në sallë (mbi 80% bosh), për trajtimin antinjerëzor karshi artistëve, që mbetën pa ngrënë e pa hotel deri në darkë vonë, për shfrytëzimin e emrit të artisteve të nivelit ndërkombëtar (Saimir Pirgu), që duke respektuar vendin e tij erdhi me modesti dhe mbeti i befasuar në mes të Zvicrës, ku ka reputacionin më të lartë nga publiku vendas, që e ka duartrokitur dhe e ka pritur gjithnjë me respektin e admirimin me te madh, etj.
Po ju drejtohem në emër të shumë artistëve dhe intelektualëve shqiptarë, një pjesë të mesazheve të të cilëve do t’ua bashkëngjis me letrën time, ashtu si edhe disa reagime e përshtypje të pjesëmarrësve në sallë që m’i dërguan sot me anë të internetit.
Po ju drejtohem juve, si kryetar i organit më të lartë ekzekutiv të shtetit shqiptar, që të merrni masa e të ndaloni abuzime të tilla, që bëhen për interesa të ulëta individësh të paskrupuj, që drejtojnë sot artin shqiptar.
Ne e kemi ndërtuar me mund, djersë e shumë vështirësi identitetin tonë jashtë Shqipërisë dhe kemi arritur të japim një imazh shumë pozitiv si për kulturën, ashtu edhe për kombin tonë. Kjo është arsyeja që s’mund ta tolerojmë një demaskim të tillë në një nga qytetet më të rëndësishme të Europës, në një kohë që i kemi pasur të gjitha mundësitë për të organizuar një nga manifestimet më të shkëlqyera e më mbresëlënëse për këtë përvjetor, ku të merrnin pjesë artistë të mrekullueshëm të të gjitha trevave shqiptare, që kontribuojnë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e jashtë.
Por pikërisht, përpjekjet tona thellësisht humanitare u sabotuan nga administratorët e kulturës në Tiranë, për të arritur sot në këtë skandal artistik.
Nuk di nëse do t’i shërbente imazhit të shtetit të konsoliduar shqiptar një performance e tillë, por unë kërkoj të ngre zërin që përgjegjësitë e saj të japin llogari publikisht, deri në dorëheqjen e tyre.
Me respekt,
Edlira Dedja Bytyqi,
Zvicër